Open Data Albania ka hulumtuar në lidhje me normat njëvjeçare të interesit në Shqipëri gjatë periudhës  Dhjetor 2010 – Mars 2016. Norma e depozitave paraqet normën mesatare të depozitave të reja me afat maturimi për një vit.

Norma e kredive të paraqitura është norma mesatare vjetore e kredive të reja me afat maturimi 1-3 vjet sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Spread-i i depozitave paraqet diferencën midis normës mesatare, çka përbën edhe fitimin bruto të bankave të nivelit të dytë.

Norma Reale e interesit është diferenca midis normës së bonove të thesarit me maturim një vjeçar me normën e inflacionit vjetor. Primi i riskut të huadhënies është diferenca midis normës së kredive të reja të dhëna me normën e bonove të thesarit një vjeçare që përbëjnë edhe alternativën pa risk të investimit duke qenë se janë investimi i sigurt në borxh qeveritar.


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Gjatë viteve Norma Mesatare për Depozitat e reja ka ardhur në rënie duke pësuar edhe rënien vjetore  më të madhe për depozitat në lekë me gati 2 % nga viti 2013 në 2014. Norma Mesatare për Depozitat në lekë shënoi 1.07% në mars të 2016 kur kjo normë në 2010 ishte 6.4. E njëjta tendencë paraqitet edhe për depozitat në Euro ku ka një rënie 2010 vs 2016 me gati 4%, ndërsa për depozitat në Dollar kemi një rënie në total me 1.8%.

Për sa i përket normave të kredive të reja në lek kemi rënie të ndjeshme në 2012 e ndjekur nga një rritje në 2013 dhe më pas rënie në vitet në vazhdim. Normat e kredive në Euro dhe Dollar kanë ardhur në ulje duke ndjekur edhe normat bazë të shpallura të monedhave respektive. Ndryshim përbën norma e marsit 2016 ku kemi një shtrenjtim të kreditimit në Dollar e kushtëzuar nga efekti i riskut të kursit të këmbimit si pasojë e shtrenjtimit të kësaj monedhe kundrejt monedhave të tjera në bursat ndërkombëtare.

Për sa i përket spread-it të normave të interesit vlerat më të larta të tij janë të orientuara në diferencën e normave në lekë, ndërkohë që për sa i përket vlerave në dy monedhat e huaja,ato janë kryesisht në vlera të njëjta.


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Norma reale e interesit përfaqëson kthimin real të siguruar nga investitorët në bono thesari 1-vjeçare duke marrë parasysh efektin e reduktimit të kthimit si pasojë e inflacionit vjetor. Në vite ky tregues ka pësuar luhatje. Vlera më e lartë prej 5.27% është në 2011 si pasojë e reduktimit të inflacionit në 1.7% përkundrejt vlerës së lartë të kthimit të bonove.

Nga ana tjetër kthimi real më i ulët i përket vitit 2015 prej 0.44% e ndikuar nga një inflacion në nivelin e 2% në përputhje me stabilitetin e çmimeve dhe një kthim të ulët të bonove prej 2.4%. Kosto e huamarrjes së qeverisë është ulur si pasojë e uljes së vazhdueshme e normës së bonove nga 7.1 % në 2009 në 1.63% në mars 2016 me uljen më të madhe në vitin 2013 me gati 2.7 %. Një trend i tillë është edhe në kuadër të reflektimit të efekteve të uljes së normës bazë të interesit në minimum historik prej 1.25%.


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Primi i riskut të huadhënies është kthimi shtesë që një huadhënës kërkon të realizojë nga angazhimi i fondeve në alternativa të tjera nga ato në letra me vlerë shtetërore. Primi i riskut është llogaritur për kthimin shtesë që bankat e nivelit të dytë kërkojnë nga dhënia e huave  të cilat mbartin risk në krahasim me investimin në bono thesari që vlerësohet një investim pa risk.

Primi ka ardhur në rënie deri në 2012 duke u pasur me një rritje të lehtë në 2013 dhe rritje në vazhdim deri në 2015. Rritja në 2013 vjen njëkohësisht si pasojë e uljes së normës së bonove të thesarit dhe rritjes së normave të kredive të reja. Në 2013-2015 ulja vjen si pasojë e uljes më të madhe të normës së kredive sesa ulja e normës së bonove. Për marsin 2016 rritja e primit të riskut vjen si pasojë e uljes më të madhe të normës së kthimit të bonove.