Open Data Albania ka zbardhur sipërfaqet e Pronave të Ushtrisë apo të administruara nga Ministria e Mbrojtjes, të dhëna për Investime nëpërmjet Programit “Shqipëria 1 Euro”. Në këtë artikull evidentohen VKM-të për dhënien e këtyre pronave për shfrytëzim në favor të privatit, sipërfaqet përkatëse, përfituesit dhe qëllimin e biznesit.

Artikulli ka marrë si bazë të dhëna të mirë-strukturuara në databazën Open Corporates Albania, web faqe e cila ka pasaporta me informacion mbi zotërimin, menaxhimin dhe funksionimin e shoqërive të biznesit, mes tyre edhe kategori Përfitues Programi Shqipëria 1 Euro.

Përfitues të Programit Shqipëria 1 Euro, fitojnë këtë status nga Këshilli i Ministrave bazuar në VKM Nr.54, datë 05.02.2014 “Për Përcaktimin e Kritereve, të Procedurës e të Mënyrës së Dhënies me Qera, Enfiteozë apo Kontrata të Tjera të Pasurisë Shtetërore”, i ndryshuar. Programi synon ti japë punëdhënësve potencial prona shtetërore në përdorim me qëllim rritje të investimeve private dhe punësimit.

Qeveria Shqiptare i ka dhënë gati 1.56 milionë metër katror tokë investitorëve në të gjithë vendin, nëpërmjet Programit “Shqipëria 1 Euro”, prej të cilave 904 mijë metër katror janë prona shtetërore të administruara nga Ministria e Mbrojtjes apo ish-Zona Ushtarake.



Tabela: VKM-të për Pronat Ushtarake, Sipërfaqe Administruara nga Ministria e Mbrojtjes dhënë me Programin Shqipëria 1 Euro
Burimi: Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Rreth 904 mijë metër katror tokë janë dhënë nëpërmjet shtatë kontratave për shoqëri biznesi që kanë fituar të drejta reale mbi këto prona, kundrejt çmimit simbolik 1 euro. Dy vendime në vitin 2016, dy në vitin 2019 dhe tre në vitin 2020. Pronat janë kryesisht në zonat e Tiranës, të tjera në Sarandë, Gramsh dhe Berat.

Investitori me më shumë sipërfaqe të përfituar është Blu – Imperial, 353,686 m2 për një periudhë 20 vjeçare. Në vend të dytë, me Vendim Nr.514 dt. 01.07.2020, kompanitë Kastrati Group dhe Concord Investment përfitojnë 265,320 m2 truall, nga të cilat 206,915.5 m2 janë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe 4,404 m2 në administrim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Shijaku  ka përfituar 136,716 m2 tokë publike të administruar nga Ministria e Mbrojtjes, duke u pozicionuar në vend të tretë. Vijon listën Bomira me 42,009 m2 sipërfaqe toke të përfituar me çmimin 1 euro, ndjekur nga Ceren – Ismet Shehu me 40,000 m2 tokë publike të përfituar me Programin “Shqipëria 1 Euro”.

Në fund të listës pozicionohen Partizani Sh.a (37,000 m2 sipërfaqe tokë shtetërore) dhe Rozafa  (28,960 m2 sipërfaqe toke të përfituar për vetëm 1 euro).



Burimi: Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Këto investime, sipas vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave parashikonin në planin e biznesit të paraqitur në komisionin e vlerësimit të dokumentave, në total 375 vend të reja pune, për të cilat nuk ka ndonjë parashikim kontraktor që duhet të jenë të punësuar shtetas shqiptar.

Shijaku kishte parashikuar në investimin e tij minimalisht 80 të punësuar. Investimi i dytë që parashikon më shumë vende pune në planin e biznesit, ishte shoqëria Rozafa” me 60 punonjës.

Partizani Sh.a., Ceren – Ismet Shehu, Bomira dhe Blu – Imperial kishin minimalisht 50 të punësuar secili, në planin e investimeve përkatëse.

Investimi nga Kastrati Group dhe Concord Investment, është projekti me më pak potencial në punësim, i cili planifikon 35 të punësuar.



Burimi: Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kastrati Group dhe Concord Investment, kanë investimin më të lartë ndër kompanitë që kanë përfituar tokë shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes, për vetëm 1 euro/kontrata. Me qëllim ushtrimin e veprimtarisë në fushën e turizmit, investimi në fjalë arrin vlerën 6.2 miliardë lekë.

Investimi i dytë në vlerë më të lartë i realizuar nga kompania “Shijaku” (1.58 miliardë lekë), ka për qëllim ngritjen e qendrave të organizuara sociale dhe shërbimeve jo-publike në fushën e shërbimeve sociale.

Blu – Imperial investon 942 milionë lekë, për ndërtimin e një kapanoni për mbushjen e një uji të gazuar dhe të pagazuar.

E katërta në listë për velerë investimi, Bomira, për ngritjen e një qendre multifunksionale për grumbullimin, seleksionimin, ambalazhimin, ruajtjen dhe tregtimin e frutave dhe perimeve të freskëta, investon 210 milion lekë.

Vijon listën Partizani sh.a, me një investim prej 200 milion lekësh për ndërtimin e kompleksit sportiv “Akademia e Sportit e Klubit të Partizanit”.

Ceren – Ismet Shehu investon në fushën e agrobiznesit për grumbullimin, përpunimin e produkteve bujqësore-blegtorale nga fermerët e zonës përreth, rreth 100 milion lekë.

Investim më të ulët, ndër përfituesit e Pronave të Ushtrisë me kontratën 1 euro/kontrata realizon “Rozafa” rreth 63 milion lekë, për rikonstruksionin e 4 kapanonëve me qëllim ndërtimin e një fabrike për përpunimin e karkalecit.



Burimi: Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Tabela: Qëllimi i Përdorimit të Pronave Ushtarake të dhëna me Programin “Shqipëria 1 Euro”
Burimi: Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Open Corporates Albania ka përgatitur pasaporta transparente për Bizneset që kanë fituar kontrata për qiradhënie për vetëm 1 Euro të pronave shtetërore. Web Faqja opencorporates.al është një databazë e krijuar nga AIS me qëllim mirë-strukturim dhe lehtësi në  informacion për çdo biznes që operon në vend.

Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Pajtim Nikolli