Plan Buxheti për Vitin 2023 karakterizohet nga një rritje e lartë e Buxhetimit për Funksionin Mbrojtje, krahasuar me vitin e mëparshëm. Rritja shënon 35% më shumë shpenzime për funksionin Mbrojtje në 2023 krahasuar me 2022. Ky funksion përfshin dy programe kryesore: Forcat e Luftimit dhe Mbështetja e Luftimit, ku bëjnë pjesë Forcat Tokësore, Detare dhe Ajrore. Mbrojtja është përgjegjësi funksionale e Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbulon të gjitha shpenzimet për struktura, personel dhe kapacitete ushtarake për të kontrolluar, parandaluar dhe vepruar në mbrojtje të sigurisë kombëtare nga kërcënime të mundshme, ushtarake, terroriste, ruajtjen e ujërave detare dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore, përfshirë shpenzimet që lidhen me sigurimin e kapaciteteve të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve si një vend anëtar i NATO-s.
Burimi: MF
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Funksioni Qeveritar Mbrojtje përbën nga 0.7 deri 0.8 % të Produktit të Brendshëm Bruto dhe 2.4 deri 2.7 % të totalit Shpenzime Buxhetore.
Burimi: MF
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Shqipëria ka hartuar një dokument të Plan Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025 Ligji nr 121/2015, ku angazhohet se buxheti i mbrojtjes do të rritet gradualisht, duke arritur në 2% të PBB-së në vitin 2025. Buxheti i mbrojtjes në Plan Afatgjatë Zhvillimi i referohet buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe jo funksionit qeveritar shpenzime për Mbrojtje. Shpenzimet faktike të mbrojtjes kanë arritur në nivelin 1.3% e PBB-së në 2021. Për trevjeçarin në vijim është parashikuar rritje, duke synuar peshën 6.6% ndaj të totalit të shpenzimeve buxhetore në 2024-2025, nga 4.2% në vitin 2021.
Burimi: MF
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: MF
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Ministria, përveç dy programeve kryesore të lidhura direkt me funksionin e Mbrojtjes, mbulon edhe programe të tjera si: Mbështetje Shëndetësore ku përfshihen shërbimet në spitalin e specializuar të Traumave; Arsimi Ushtarak ku përfshihen shpenzimet për sistemin arsimor të standardizuar të forcave të armatosura; Mbështetje për Ushtarakët ku përfshihen shpenzimet për mbështetjen financiare dhe pensionet e ushtarakëve në rezervë, lirim dhe pension; Emergjencat civile dhe Rezervat ku përfshihen shërbimet ndaj komunitetit për përballimin e krizave dhe emergjencave në vend; si dhe të gjitha shpenzimet financiare për administratën e Ministrisë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Atashetë Ushtarake, Misioni Ushtarak në Bruksel, Shtabet multinacionale të NATO-s.
Rritja e shpenzimeve buxhetore në vitin 2018 lidhet me përfshirjen rishtazi të programit Mbështetje për ushtarakët, me një vlerë shpenzimi vjetor rreth 5 – 6 miliard lekë, kryesisht transferta për pensionet e parakohshme të ushtarakëve. Rritje tjetër e lartë është bërë në vitin 2022 për forcat e armatosura dhe emergjencat civile, rritje që planifikohet të vijojë në vitet 2023-2025 kryesisht për programin Forcat e Luftimit.
Burimi: MF
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Sipas aktiviteteve ekonomike Ministria e Mbrojtjes ka 17.88 miliard Lek investime planifikuar për 2023. Shpenzimet e personelit paga, sigurime dhe transferta në 2023 zënë 37% të buxhetit të mbrojtjes, në përputhje me objektivin strategjik që synon uljen graduale të shpenzimeve të personelit nga 48% në 2016 deri në 35% në 2025. Shpenzimet operacionale (mallra dhe shërbime) në 2023 zënë 17% të buxhetit të mbrojtjes; shpenzimet për investime dhe pajisje-armatim (aktivet e trupëzuara) në 2023 zënë 44% të buxhetit të mbrojtjes, tregues që nuk është në përputhje me objektivin strategjik që synon rritjen graduale nga 14% në 2016 deri në 30% në 2025.
Burimi: MF
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Për një krahasim midis vendeve, databaza e shpenzimeve ushtarake SIPRI publikon statistika vjetore për shpenzimet e mbrojtjes në terma të peshës ndaj PBB-së dhe totalit të shpenzimeve buxhetore, si dhe treguesin e shpenzimeve për banorë sipas vendeve të ndryshme. Raportimi për Shqipërinë bëhet për totalin e shpenzimeve të buxhetuara (plan) të Ministrisë së Mbrojtjes. Krahasuar me disa vende të rajonit dhe Evropës, Shqipëria ka këto tregues për shpenzimet e mbrojtjes në 2021:
4.4% ndaj të totalit të shpenzimeve buxhetore, krahasuar me intervalin prej 1.5% (Austria) dhe 6.5% (Greqia),
1.4% ndaj të produktit të brendshëm bruto (PBB), krahasuar me intervalin prej 0.8% (Austria) dhe 3.9% (Greqia),
82.3 USD për banorë, krahasuar me intervalin prej 42 USD (Kosova) dhe 866 USD (Franca).
Burimi: MF
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: MF
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: MF
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Franca është vendi evropian me më shumë shpenzime për frymë për Mbrojtjen Ushtarake, pasohet nga fqinji ynë Greqia, të fundit në renditje janë Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova.
Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Elivar Golemi