Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë me Vendim Nr. 14 datë 03. 05. 2011 ka shpallur si antikushtetues Vendimin Nr. 107 datë 23. 05. 2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Vendimin Nr. 117 datë 03.03. 2009 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe Vendimin Nr. 760 datë 24. 06. 2010 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Dhomë Këshillimi) për dënimin e të pandehurit Luan Mara me burgim të përjetshëm.

Çështja Luan Marra njihet për opinionin publik si “Masakra e Kozarës”. Pesë vite pas arrestimit dhe dënimit si autor i vrasjes së katërfishtë të vëllait dhe familjes së tij, Gjykata Kushtetuese rikthen Luan Marrën në gjendjen e prezumimit të pafajësisë dhe vendimet e tre niveleve të gjyqësorit i shpall antikushtetuese.

Rasti shënon një precedent unik të një individi të dënuar me burgim të përjetshëm në kushte të një procesi të parregullt ligjor. Procesi dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që bën të pavlefshëm dënimin me burgim të përjetshëm për Luan Marrën u finalizua pas një mbrojtjeje katërvjeçare nga dy avokatët Dilaver e Alban Bengasi.

Ngjarja

Me 9 shkurt 2006 në fshatin Kozarë në afërsi të Kuçovës janë vrarë në shtëpinë e tyre tre pjesëtarët e një familjeje të re, ndërsa vrasja është konsideruar e katërfishtë pasi njëra nga viktimat ishte një grua shtatzënë. Të vrarë nga të shtënat e një arme zjarri mbetën Shpëtim Marra 35 vjeç, bashkëshortja e tij Florie Marra shtatzënë dhe fëmija dyvjeçar Artiol Marra.

Pas ngjarjes u ngritën dy pista hetimore. E para përkonte me akuzat ndaj Luan Marrës, vëllai i viktimës. Sipas policisë motiv për krimin përbënte një marrëdhënie shtatzënie dhe intime e supozuar mes të dyshuarit dhe kunatës së tij, viktimë e ngjarjes.

Prova e ADN-së së fëmijës që pritej të lindte nuk verifikoi atësinë e të dyshuarit si motiv për grindje dhe vrasje mes vëllezërve Marra. Pista tjetër implikonte një individ të ri në moshë i cili ishte në konflikt me familjen Marra për shkak të një fejese të dështuar me ndërhyrjen e babait të viktimës.

Kjo pistë dhe vendndodhja e personit të dyshuar nuk u verifikuan në asnjë moment të hetimit ndonëse në vendin e ngjarjes u zbuluan dhe fiksuan dy gëzhoja arme zjarri te cilat i korrespondonin automatikut te sekuestruar në banesën e personit të dyshuar me iniciale A. M. Personi i dyshuar nuk u ndalua asnjëherë nga policia edhe për shkak të largimit të tij nga banesa natën e krimit.

Vendimi i Kushtetueses

Sipas Gjykatës Kushtetuese, Polica e Beratit dhe Prokuroria e këtij rrethi gjyqësor insistuan në fajësinë e vëllait të viktimës duke marrë dëshmi vetëfajësimi në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale dhe në kushte të denigrimit dhe trajtimit çnjerëzor të personit nën hetim dhe familjes së tij.

Për deklarimin e fajësisë e tërë familja, babai i viktimës Shefqet Marra dhe dy djemtë Iliri dhe Luani i janë nënshtruar dhunës fizike dhe torturave në ambientet e komisariatit të Beratit. Në këtë mënyrë, Prokuroria e Rrethit të Beratit duhet të rihapë hetimin, duke konsideruar edhe pista të tjera mbi vrasjen për të shmangur fajësimin e një individi në kushte pafajësie dhe lirinë e padrejtë të vrasësit të katërfishtë. Ndërkohë, Gjykata e Rrethit të Beratit duhet të rivlerësojë masën e sigurisë.

Dënimet me burgim të përjetshëm

Gjykatat në Republikën e Shqipërisë në harkun kohor 2004 – 2009 kanë dhënë 69 vendime penale të formës së prerë me burgim të përjetshëm. Sipas Open Data Albania në vend dënohen çdo vit mesatarisht 11 persona me dënimin maksimal “burgim i përjetshëm”. Vëllimin më të madh të krimeve të dënuara me burgim të përjetshëm e kanë autorët e dënuar për veprat penale të vrasjes pasuar nga vjedhja me pasojë vdekjen.

Sipas ODA në vitin 2008 në burgjet shqiptare vuanin dënim me burgim të përjetshëm 116 të dënuar. Dënimi me burgim të përjetshëm është dënim maksimal për ligjin penal në RSH. Të dënuarit me burgim të përjetshëm nuk mund të përfitojnë nga faljet, amnistitë dhe kërkesat për ulje dënimi pa kaluar 25 vite të vuajtjes së dënimit.

Rasti i dënimit maksimal për një individ të pafajshëm përbën shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe shënon një precedent të rrezikshëm ku drejtësia dënon të pafajshëm duke lënë një vrasës të lirë.