Koncepti i parave të humbura, jo domosdoshmërisht ka të bëjë me një shumë në dispozicion e cila për një sërë arsyesh zhduket apo firon pa dhënë rezultatet e duhura. Ka të bëjë edhe me konceptin e shumave që mund të ishin përfituar, por që në fakt, nuk përfitohen. Nëse në terma strikt të financave të një korporate, një term i përshtatshëm është ai i fitimit të munguar, në një kontekst më të përgjithshëm mund të flitet për “përfitim të munguar”. E tillë është historia e marrëdhënieve të Shqipërisë me institucionet europiane dhe përfitimin e munguar, për shkak të performancës tejet të keqe të vendit në plotësimin e kushteve dhe standardeve të caktuara nga Bashkimi Europian.
Performanca e dobët e vendit nuk përbën më lajm, por gjatë kohëve të fundit, kjo e fundit është shndërruar në një ndalesë të plotë të mekanizmave që institucionet shqiptare duhet të kishin vënë në punë për të arritur progresin e kërkuar nga Europa. Kështu, gjatë ditëve të fundit zyrtarë të lartë europianë lëshuan një shuplakë të fortë mbi qeverinë shqiptare duke theksuar se nuk është përmbushur asnjë prej 12 kritereve kyçe. “Mendoj se situata, ashtu siç qëndron sot, është më pak e ndritur se ç’ishte dy vite më parë. Prioriteti i parë kyç, ne nuk e konsiderojmë këtë Parlament se funksionon siç duhet”, ishte deklarata e Marta Garcia Fidalgo, shefe e Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit të KE-së.
Qeveritë shqiptare, tradicionalisht, janë përballur me kritikat e ashpra të institucioneve ndërkombëtare, por pa dyshim, kjo e fundit ishte një ndër goditjet më të forta të dhëna ndonjëherë, e dyta e kohëve të fundit, ndoshta vetëm pas rrëzimit të kërkesës së qeverisë shqiptare për statusin e vendit kandidat në fund të vitit 2010.
Lidhur me këto zhvillimi, i pyetur nga “MAPO” për mundësinë e ngadalësimit të ritmit të progresit të vendit drejt Bashkimit Europian, Gledis Gjipali, drejtor i European Movement Albania (EMA), thekson se gjërat janë më keq se kaq. “Procesi i integrimit të Shqipërisë ka ngecur sepse s’mund te flasim më për ritëm, pas deklaratave të fundit të përfaqësuesve të Komisionit dhe Parlamentit Europian”, thotë Gjipali. Ai thekson se Shqipëria po vazhdon të vendosë precedentë negativë dhe tashmë është pothuaj e sigurt që do të ketë një refuzim të dytë të kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. “Situata politike dhe bllokimi i reformave për disa vite me radhë po bëjnë që Shqipëria të zbresë poshtë në renditjen e vendeve të cilat synojnë anëtarësimin në BE, si Mali i Zi apo Serbia”, shpjegon ai.
Krizë politike – dështim financiar?
Por, në rastin e dështimit të radhës të qeverisë shqiptare për marrjen e statusit të vendit kandidat, shtyrja e periudhës së kalimit të këtij pragu, do të rezultonte, përveçse në një dështim të politikave të integrimit për të mundësuar vetë integrimin, edhe në një humbje prej miliona eurosh që mund të ishin orientuar drejt zhvillimit të sektorëve kyç të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.
Me fondet e huaja që ulen dita-ditës, politikëbërësit i kanë kthyer sytë nga vitet që vijnë, për të përfituar nga skema e mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural, IPARD, çka përfaqëson shtyllën e pestë të IPA-s, instrumenti i asistencës së përdorur nga Bashkimi Europian për të mbështetur zhvillimin e sektorëve prioritarë të vendeve që ndodhen në fazën e paraanëtarësimit. Por, për të përfituar nga kjo skemë e cila pritet të bëhej aktive në vitin 2012, Shqipëria duhet më parë të ketë marrë statusin e vendit kandidat. Diçka e tillë po rezulton një mision i pamundur për qeverinë shqiptare. Sipas një studimi të EMA-s, Shqipëria mund të marrë vetëm nga fondet IPARD (zhvillimi rural), 5.6 – 14.6 milion euro në vit çka do ta rriste në mënyrë të ndjeshme shpenzimet publike për bujqësinë. Këto janë para që në kushtet aktuale, mund të llogariten si të humbura, për të paktën vitin e parë që bëhen të aksesueshme.
Lidhur me këtë pikë, Gjipali thekson se vonesat e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, rrisin numrin e mundësive të humbura për vendin. “Në aspektin financiar Shqipëria vazhdon të largojë momentin kur do të mund të përfitojë nga 3 komponentët kryesorë të ndihmës së BE-së, te quajtur IPA, ato të zhvillimit rajonal, burimeve njerëzore dhe zhvillimit rural”, vëren ai. Drejtuesi i EMA-s shpjegon se këta komponentë janë shumë të rëndësishëm jo vetëm për shumat financiare që ofrojnë por dhe sepse pjesa më e madhe e tyre, ndryshe nga ndihma që merret aktualisht kryesisht për institucionet shtetërore, do të shkojë tek bizneset, fermerët e qytetarët shqiptarë. “Pra qytetarët do e ndjejnë drejtpërdrejt efektin e mbështetjes së BE-së”, vëren Gjipali.
Sa mpër të dhënë një ide se për sa para bëhet fjalë, mjafton të përmendet rasti i Maqedonisë, e cila e ka përfituar statusin e vendit kandidat prej vitesh, që nga nëntori i 2008-s. Që nga ky çast, vendi fqinj – i cili ka rreth një milionë banorë më pak se Shqipëria – u kualifikua për të përfituar 448.8 milionë euro brenda kornizës së IPA-s, për periudhën 2008-2012.
Sa i përket vendeve kandidate, shumica e fondeve IPA janë parashikuar për Turqinë, 3.4 miliard euro, ndërsa Kroacia është parashikuar të përfitojë 769 milionë euro. Qëllimi i këtij instrumenti është të sigurojë ndihmesë për periudhën që i paraprin integrimit të vendeve në Bashkimi Europian për vendet aktualisht kandidate Maqedonia, Kroacia dhe Turqia, dhe për vendet kandidate – Shqipëria, Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi.
Në këtë pikë, problemi thellohet edhe më sepse ndërkohë që përfituesit ndër fqinjët po i përdorin me sukses një pjesë të këtyre fondeve, çka rezulton në progres dhe zhvillimit të sektorëve përkatës, Shqipëria nuk po bën diçka të tillë, madje ka gjasa që të mos ketë mundësi ta bëjë edhe në vitet që vijnë, nëse tallazet e politikës nuk qetësohen e fillojnë të japin rezultate pozitive. Shenjat nuk flasin për këtë gjasë të fundit. Për më tepër, në kontekstin tregtar, vendi sakaq pozicionohet shumë keq në rajon. Sipas një hulumtimi të Open Data Albania (ODA) mbi nivelin e importit dhe eksportit të mallrave në vendet e Evropës Juglindore, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, dhe FMN për vitin 2010. Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me përqindjen më të ulët të eksporteve ndaj PBB krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Shqipëria dhe Kosova eksportojnë mallra me vlerë respektivisht 9.5% dhe 4.6% ndaj PBB-së, ndërkohë që Maqedonia eksporton 37.1%, Serbia 20.9% dhe Mali i Zi 17.3%. Në këto kushte, brenda një kornize konkurrence rajonale, Shqipëria po vazhdon të humbasë pikë, gradualisht por me hapa të vendosur.
Edhe sikur…
Por, dhe nëse një ditë, tensionet politike do të fashiteshin dhe gjërat do të ndreqeshin si me magji, sërish vendi ka humbur “momentum”-in në një tjetër dimension. Paraliza politike është transferuar në mosrealizimin e një sërë reformash, çka do të mundësonin tërheqjen e fondeve aq të lakmuara të Europës. Sepse nuk mjafton që vendi të kualifikohet për t’i marrë ato – duhet që më parë të ketë ngritur infrastrukturën e domosdoshme për t’i përfituar realisht. Me fjalë të tjera, marrja e statusit nuk është gjithçka.
Gledis Gjipali sqaron se “marrja e statusit të vendit kandidat është një kërkesë ligjore që duhet plotësuar për të bërë të mundur përfitimin e tyre”, por diçka e tillë realizohet “së bashku me pasjen e kapaciteteve administrative të afta për të menaxhuar këtë ndihmë”. Dhe ngritja e kapaciteteve nuk mund të bëhet siç është bërë zakonisht, në letër, sepse në këtë rast BE-ja nuk do të kufizohet të japë para, por dhe do ta monitorojë vetë krejt procesin. Diçka e tillë paraqet vështirësi serioze për institucionet shqiptare, sepse rritja e rëndësisë dhe fondeve publike në dispozicion, kombinuar me fondet e pritshme të BE-së përmes IPARD, rrisin rëndësinë dhe nevojën e planifikimit më të kujdesshëm, si dhe përmirësim të menaxhimit, zbatimit dhe monitorimit të skemave mbështetëse.
Kjo do të ulte prirjet keqmenaxhuese, aq mbizotëruese në Shqipërinë e dy dekadave tranzicion. Problemi është se ndonëse puna në këtë drejtim ka nisur, pengesat e ngritura nga konflikti politik, po bëhen çdo ditë e më të pakalueshme, ndërkohë që vendi ka nevojë urgjente pikërisht për ngritjen e këtyre kapaciteteve. Përndryshe, nëse në një farë pike mbërrin dita e shënuar kur vendi mund të përfitojë nga paratë e Bashkimit Europian, mund të ketë të njëjtin fat si Bullgaria, të cilës para pak vitesh iu bllokuan 200 milionë euro asistencë.
Ndonëse vendi nuk po përfiton nga komponentët e rinj të IPA-s, ai është sakaq përfitues nga dy komponentë ekzistues. Që nga viti 2007 deri në 2011-n, Shqipëria ka pasur mundësinë të përfitojë nga një vëllim total prej rreth 401 milionë eurosh. Edhe pse nuk ekziston asnjë vlerësim zyrtar mbi nivelin e përfitimit real – ndryshe: aftësia e vendit për t’i tërhequr këto fonde të disponueshme – në më shumë se një rast, ekspertët kanë vërejtur se masa e përfitimit faktik është shumë më e vogël nga fondet në dispozicion.

