Sektori privat i prodhimit të energjisë elektrike është një treg i vogël dhe me një ndikim ende të ulët në sigurimin energjisë në vend. Edhe pse pas vitit 2008 është shtuar numri shoqërive që operojnë në të, treguesit e pozicionojnë larg të qenit “faktor i rëndësishëm”. Sipas Open Data Albania, aktualisht në këtë treg funksionojnë HEC-e të privatizuara dhe të dhëna me koncesion. 
Në vitin 2009 dhe 2010 ka pasur një rritje shumë të lartë të sasisë së prodhuar nga HEC-et e vogla, sidomos nga HEC-et e dhëna me koncesion. Në vitin 2009 kjo sasi ishte 44% më e lartë sesa viti 2008, ndërsa më 2010-n rritja ishte 78%. Pavarësisht këtyre hapave pozitivë, prodhimi nga HEC-et privatë dhe me koncesion në vitin 2010 përbënte vetëm 2% të prodhimit total. Megjithatë, duke qenë se në vitet e fundit janë lidhur disa kontrata koncesionare, pritet që pesha e këtij sektori të vijë gjithmonë në rritje. 
Deri në vitin 2010, ishin në punë 51 hidrocentrale, të zotëruara nga 19 kompani. Ndërkohë që në bazë të Buletinit Statistikor të vitit 2009 të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, vetëm gjatë viteve 2007-2009 janë lidhur 87 kontrata për 208 HEC. Vlera e tyre e investimit është rreth 238 miliardë lekë, ndërsa energjia e prodhuar 4214 GWh. Në kohën kur këto HEC-e do të fillojnë prodhimin e tyre, padyshim që vendi ynë do të jetë në rrugë të mbarë për të zgjidhur çështjen e furnizimit me energji elektrike në mënyrën më eficente të mundshme.