Hulumtimi është realizuar për prokurime të shpallura dhe finalizuara nga korriku i vitit 2015 deri në datën 20 janar 2017. Korriku 2015 është data e fillimit të funksionimit të Bashkive sipas ndarjes së re territoriale dhe administrative. Subjekte Biznesi apo ekonomike janë konsideruar të gjithë subjektet e regjistruar si persona fizik apo si shoqëri biznesi. Si subjekte të zotëruara nga femra janë konsideruar të gjitha ato shoqëri dhe subjekte ku një grua ka aksione apo kuota. Kontrata me Bashki apo Njësi të qeverisjes vendore, janë konsideruar të gjitha kontratat e realizuara me prokurim publik nga Bashkitë, institucionet e tyre të vartësisë dhe shoqëritë apo ndërmarrjet ku pushteti vendorë ka aksione dhe kuota.
Qëllimi kryesor i këtij hulumtimi ishte evidentimi i subjekteve të administruara apo zotëruara nga një femër dhe pesha apo fuqia e tyre në procesin e ndarjes së parave publike përmes kontratave me Bashkitë. Përmes prokurimeve publike përzgjidhen subjekte ekonomike që realizojnë punë, furnizime dhe shërbime publike me para të taksapaguesve.
Në këtë artikull analizohet sa është pesha e kontratave dhe vlerës së kontratave të lidhura nga subjekte biznesi zotëruar nga femra. Një tregues tjetër është edhe eficensa e prokurimit. Kjo eficensë është diferenca ndërmjet vlerës së planifikuar për kontratë si vlerë fond limit dhe vlerës së ofertës së shpallur fituese. Kjo diferencë përkon me para të kursyera për buxhetin e bashkisë përmes garës dhe konkurrencës së lirë. Gjatë periudhës korrik 2015-janar 2017, në 61 bashkitë kryesore në vend janë përfundur gjithsej 4820 tendera. Fondi limit i tyre ishte 26.4 miliardë lekë, ndërsa Totali i Vlerës në lekë, për Ofertat Fituese ishte 22.8 miliardë lekë, ose 86.4% e fondit limit. Eficensa e tenderimit mund të konsiderohet 13.6%.
Totali i Vlerës në lekë, për Ofertat Fituese nga subjektet me pronësi femër ishte 731.6 milionë lekë për të njëjtën periudhë, ose vetëm 3.2% e vlerës së kontratave të akorduara nga njësitë e qeverisjes vendore.
Nga 4820 tendera në total, subjektet me pronësi femra kanë arritur të fitojnë 256 kontrata, ose 5% të totalit.
Subjektet me pronësi femra rezultojnë të jenë më eficiente në përdorimin e fondeve të njësive vendore. Kontratat e fituara prej tyre ishin sa 83% e fondit limit, ndërsa ato të subjekteve me pronësi meshkuj sa 86.5% e totalit. Efincensa e tenderimit për kontrata të fituara nga gratë është 17% e vlerës fond limit ndërsa në tendera të fituar nga subjekte zotëruar nga meshkuj është 13.5%.
Burimi: Prokurime Transparente
Komentet dhe Analiza: ODA
Eficensa e Tenderimit me njësi të qeverisjes vendore në %
Burimi: Prokurime Transparente
Komentet dhe Analiza: ODA
Bashkia Cërrik mban vendin e parë, për vlerën totale të kontratave të lidhura nga subjektet femra. Për periudhën korrik 2015-janar 2017, me këtë bashki janë lidhur 6 kontrata nga subjekte femra, me një vlerë totale të ofertave fituese prej 125 milionë lekë, apo 15% të totalit të kontratave që kanë të paktën një subjekt femër, në 51 njësitë e qeverisjes vendore të marra në analizë.
Bashkia e dytë, që u ka akorduar më shumë kontrata, në vlerë absolute, subjekteve me pronësi femra është Elbasani, me 110 milionë lekë. Më pas vijojnë bashkitë e mëdha të Tiranës dhe Vlorës, përkatësisht me 90 dhe 74 milionë lekë. Grafiku i mëposhtëm paraqet 20 Bashkitë, ku subjektet femra kanë vlerën më të lartë të kontratave për periudhën korrik 2015-janar 2017.
Burimi: Prokurime Transparente
Komentet dhe Analiza: ODA
Cërriku mban rekordin edhe për vlerën e kontratës së akorduara subjekteve, që kanë një pronar femër, në raport me totalin e kësaj bashkie, me 49%, nga 3.2% që është mesatarja e gjithë vendit. E dyta është bashkia e Pukës, që u ka akorduar subjekteve femra gati 25% të vlerës së kontratave. Më pas renditen bashkitë e Kuçovës, Dropullit dhe Mirditës, me përkatësisht 12%, 11.8% dhe 10.4%.
Bashkitë e mëdha rezultojnë, që u akordojnë subjekteve femra vlera minimale të kontratave, në raport me totalin. Në Bashkinë Tiranë, kjo peshë është vetëm 3%. Nga 447 tendera, që janë zhvilluar në kryeqytet në periudhën korrik 2015-janar 2017, subjektet femra kanë fituar vetëm 15 kontrata. Në bashkinë e Durrësit, pesha është 5.2%, në atë të Fierit 1.5%.
Burimi: Prokurime Transparente
Komentet dhe Analiza: ODA
Bashkitë Fushë-Arrëz, Tepelenë, Mat, Poliçan, Peqin, Bulqizë, Librazhd, Përmet, Libohovë, Kavajë, Devoll nuk kanë asnjë kontratë të lidhur me subjekte biznesi të zotëruar nga një femër.
Sipas numrit të kontratave, Bashkia që ka numrin më të madhe të subjekteve me të paktën një aksionere femër është Shkodra, me 25 të tilla. Megjithatë, këto janë kontrata me vlerë relativisht të vogla, pasi Shkodra renditet e shtata në listën ku subjektet femra kanë peshën më të lartë të vlerës së kontratave ndaj totalit. Në Shkodër bizneset nën pronësi të femrave kanë fituar vetëm 9.8% të vlerës së kontratave që janë finalizuar nga kjo bashki. Pas Shkodrës, për numër kontratash renditen Tirana , Vlora, Elbasani, me përkatësisht 15, 14 dhe 13.
Burimi: Prokurime Transparente
Komentet dhe Analiza: ODA
Subjektet me administratore femra rezultojnë të kenë fituar 169 kontrata me njësitë e qeverisjes vendore gjatë periudhës korrik 2015 deri janar 2017. Këtu raporti qëndron vetëm 3.5% të totalit të kontratave. Në vlerë, pesha është edhe më e ulët, në vetëm 1.32% (nga 3.2% që është pesha për subjektet me pronësi femër). Interesant është fakti që edhe në ato raste, kur subjektet janë në pronësi të femrave, administrimi duket se i është lënë në dorë meshkujve.
Numri më i madh i kontratave nga subjektet me administratore femra është lidhur po në Shkodër, me 16 të tilla, i ndjekur nga Tropoja, Tirana e Roskoveci, me përkatësisht 11, 10 dhe 10.
Në kontratat sipas vlerës, kryeson Tirana, ku subjektet me administratore femra, kanë një total prej 89.5 milionë lekësh. Përgjithësisht, subjektet me administratore femra rezultojnë të fitojnë kontrata tepër të vogla. Psh, në Bashkinë Bulqizë, subjekti me administrator femër, që është dhe pronare njëkohësisht, në gati tre vjet ka fituar vetëm një kontratë me 5,800 lekë, në Librazhd me 3,300 lekë.
Ky artikull publikohet në kuadër të projektit ‘Monitorimi i Klientëve të Bashkive në Kontrata Publike’ projekt që mbështetet nga LevizAlbania – Për një demokraci të fortë vendore.
Kontribuoi: R.E