Open Data Albania po hulumton mbi Administrimin e Bankave të Nivelit të Dytë në Republikën e Shqipërisë. Bankat e Nivelit të Dytë, janë shoqëri me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, që ushtrojnë veprimtari bankare duke përfshirë por pa u kufizuar me pranimin e depozitave monetare ose i fondeve të tjera të ripagueshme nga publiku dhe përdorimi i tyre për dhënie kredie, si dhe emetimi i mjeteve të pagesës në formën e parasë elektronike.

Në bazë të nenit 32 të ligjit nr. 9662 datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), Banka drejtohet nga këshilli drejtues dhe drejtoria, ku organet drejtuese konsiderohen: asambleja e aksionarëve; këshilli drejtues; drejtoria (administratorët ose drejtorët ekzekutivë), si dhe komiteti i kontrollit.

Duke qenë se, në formularin e deklarimit të të dhënave në QKB, raportohet vetëm në lidhje me Këshillin Drejtues dhe Drejtorët Ekzekutivë, edhe kuptimi i termit “administrim” në këtë artikull merr në konsideratë këto dy grupe administratorësh të bankave të nivelit të dytë në Shqipëri.

Në bazë të të dhënave zyrtare nga ekstraktet e bankave pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), deri në Mars të vitit 2017, situata e administrimit të këtyre subjekteve paraqitej si vijon: Të gjitha bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë janë të themeluara si subjekte juridike me një nivel organizimi, në përputhje me ligjin “Për Shoqëritë Tregtare” dhe nenin 30 të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”; Në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri dominojnë drejtorët ekzekutivë (administratorët) e gjinisë mashkullore me shtetësi të huaj. 16 bankat së bashku kanë gjithsej 31 drejtues ekzekutivë (administratorë), prej të cilëve 23 janë meshkuj (ose 74.2%) dhe 8 janë femra (ose 25.8%). 19 drejtues (ose 61.3%) janë me origjinë të huaj që punojnë e jetojnë në Shqipëri ndërsa, 12 (ose 38.7%) janë administratorë vendas.

Në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri dominojnë anëtarët e këshillave drejtues të gjinisë mashkullore me shtetësi të huaj, me një nivel dominance më të theksuar sesa tek drejtuesit ekzekutivë. 16 bankat së bashku kanë gjithsej 88 anëtarë të këshilli drejtues, prej të cilëve 76 janë meshkuj (ose 86.4%) dhe 12 janë femra (ose 13.6%). 64 anëtarë (ose 72.7%) janë me origjinë të huaj ndërsa, 24 (ose 27.3%) janë anëtarë vendas;

2 banka nga 16 në total (Banka NGB Albania dhe Banka Ndërkombëtare Tregtare) janë në shkelje të nenit 35, pika 2 të ligjit nr. 9662 datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), sipas të cilit këshilli drejtues përbëhet nga një numër tek individësh, jo më pak se pesë dhe jo më shumë se nëntë anëtarë;

Banka me numrin më të madh të drejtuesve ekzekutivë është Banka Kombëtare Tregtare me 7 administratorë (6% e rasteve), e ndjekur nga Raiffiesen dhe NGB me nga 4 administratorë secila (13% e rasteve), tre banka me nga 2 administratorë (19% e rasteve) ndërsa dhjetë banka me nga 1 administrator të vetëm (62% e rasteve);

Katër banka (25% e rasteve) kanë numrin më të madh të anëtarëve të këshillit drejtues me nga 7 anëtarë (Banka Intesa Sanpaolo, Banka Amerikane e Investimeve, Banka Credins dhe Banka Union) , të ndjekura nga Banka NBG (6% e rasteve) me 6 anëtarë, dhe dhjetë banka (rreth 63% e rasteve). Banka Ndërkombëtare Tregtare (6% e rasteve) ka vetëm 4 anëtarë të këshillit drejtues;

Bankat sipas Numrit te Drejtuesve Ekzekutive



Burimi: QKB
Komentet dhe Analiza: ODA


Bankat sipas Numrit te Anëtarëve te Këshillit Drejtues


Burimi: QKB
Komentet dhe Analiza: ODA


Burimi: QKB
Komentet dhe Analiza: ODA


Burimi: QKB
Komentet dhe Analiza: ODA

15 banka (94% e rasteve) kanë në strukturën e tyre të paktën një drejtor ekzekutiv (administrator) mashkull, ndërsa vetëm 7 banka (44% e rasteve) kanë të paktën një drejtor ekzekutiv femër. Vetëm 1 bankë (6% e rasteve) i ka të gjithë administratorët femra, ndërsa në 9 banka (56% e rasteve) të gjithë administratorët janë meshkuj;

Të gjitha bankat (100% e rasteve) kanë të paktën një prej anëtarëve të këshillit drejtues mashkull, ndërsa vetëm 9 banka (56% e rasteve) kanë të paktën një anëtare femër. 7 banka (44% e rasteve) i kanë të gjithë anëtarët e këshillit drejtues meshkuj;

Administrimi I Bankave te Nivelit te Dyte ne Shqipëri

Burimi: QKB
Komentet dhe Analiza: ODA

12 banka (75% e rasteve) kanë në strukturën e tyre të paktën një drejtor ekzekutiv (administrator) me shtetësi të huaj (18 meshkuj dhe 1 femër), ndërsa vetëm 9 banka (56% e rasteve) kanë të paktën një drejtor ekzekutiv me shtetësi shqiptare (5 meshkuj dhe 7 femra);

Të gjitha bankat (100% e rasteve) kanë të paktën një prej anëtarëve të këshillit drejtues me shtetësi të huaj (59 meshkuj dhe 5 femra), ndërsa vetëm 10 banka (63% e rasteve) kanë të paktën një anëtar të këshillit drejtues me shtetësi shqiptare (17 meshkuj dhe 7 femra).


Burimi: QKB
Komentet dhe Analiza: ODA


Burimi: QKB
Komentet dhe Analiza: ODA