Open Data Albania ka bërë një hulumtim lidhur me listat e miratuara nga Këshilli Bashkiak Tiranë për subjekte përfitues nga programet e rikonstruksionit në muajt Shkurt – Prill 2021. Këshilli Bashkiak Tiranë ka nxjerrë gjatë kësaj periudhë 10 vendime ku 9 janë për miratim liste dhe një është për korrigjim liste të miratuar më parë. Listat e përfituesve janë aksesuar përmes një kërkese zyrtare për informacion, kërkesë e cila fillimisht u refuzua por pas ankesës drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe ndërhyrjes nga Institucioni i Komisionerit u bë pranimi i kërkesës dhe dorëzimi i Listave.
Sipas përgjigjes/listave të marra nga Bashkia Tiranë dhe analizës së Open Data numri total i përfituesve nga programi i rindërtimit është 1 390. Numri i subjekteve përfitues nga granti i rikonstruksionit për nivele dëmit DS1, DS2 dhe DS3 është 797 persona VKB 6/2021; VKB 16/2021 dhe VKB 64/2021 – Bashkia Tiranë.
Sipas VKB Nr.57/2020 Bashkia Tiranë masa e vlerës së grantit të rikonstruksionit/riparimit për DS1, DS2 dhe DS3 është 70 % të vlerës së përcaktuar në VKM-në nr.5/2020 i ndryshuar që parashikon: 500 000 lekë për individë shtëpitë/banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime thelbësore të mëdha, që konsistojnë në çarje të moderuara në strukturë ose çarje të mëdha në mure ndarëse; 250 000 lekë për individë shtëpitë/banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime të lehta strukturore dhe 100 000 lekë për individë shtëpitë/banesat e të cilëve nuk kanë dëmtim strukturor ose kanë dëmtim të papërfillshëm deri në të lehtë jo strukturor, në çdo rast dëmi i përcaktuar nga akt konstatimi ose akt ekspertiza e thelluar (kreun IV, pika 5, shkronjat a, b dhe c i VKM 5/2020).
Njësia Administrative Nr. 11 renditet e para për nga numri i subjekteve më 112 përfitues të grantit rikonstruksioni DS1, 2 dhe 3 duke vijuar me njësinë Administrative Nr. 7 me 103 përfitues, Njësinë Zall-Bastar me 91 përfitues e me radhë siç dhe paraqiten në tabelat më poshtë:
Përfitues për nivel dëmtimi DS4 dhe DS5 janë 258 persona (VKB 7/2021; VKB 8/2021; VKB 65/2021 dhe VKB 66/2021 – Bashkia Tiranë).
Vlerat e grantit për nivel dëmtimi DS4 dhe DS5 janë të parashikuara në VKB Nr. 160, datë 7.12.2020, të Këshillit Bashkiak Tiranë ku në pikën 1 dhe 2 të tij përcaktohet:
- Për banesa të subjekteve të klasifikuara me nivel dëmtimi DS5:
- Subjektet me përbërje familjare deri në 2 anëtarë, përfitojnë banesë me strukturë 1+1; vlera e grantit 2 100 000 lekë.
- Subjektet me përbërje familjare 2 deri në 4 anëtarë, përfitojnë banesë me strukturë 2+1; vlera e grantit 2 500 000 lekë.
- Subjektet me përbërje familjare 5 e më shumë anëtarë, përfitojnë banesë me strukturë 3+1; vlera e grantit 2 800 000 lekë.
- Për banesa të subjekteve të klasifikuara me nivel dëmtimi DS4 jo më shumë se 70 përqind të vlerës prej:
- 2 100 000 lekë për banesat 1+1;
- 2 500 000 lekë për banesat 2+1;
- 2 800 000 lekë për banesat 3+1 ose më shumë.
Njësia administrative nr 6 renditet e para me 35 përfitues me nivel dëmi DS4 dhe DS5, duke vijuar me Njësinë Administrative Nr.1 me 30 përfitues. Sipas tabelave më poshtë jepen përfituesit sipas njësive adnimistrative.
Gjithashtu përfitues nga programi i zhvillimit të objekteve të reja janë 335 persona ( VKB 17/2021 dhe VKB 63/2021 – Bashkia Tiranë).
Programi i zhvillimit të objekteve të reja është pjesë e procesit të rindërtimit dhe përbëhet nga disa nënprograme të parashikuara në Aktin normativ nr.9 te 2019 nenet 19 – 22 si më poshtë:
- Zhvillimi i objekteve dhe/ose zonave të reja dhe i infrastrukturës publike nga autoritetet shtetërore;
- Zhvillimi i objekteve dhe/ose zonave të reja dhe infrastrukturës publike nga donatorët;
- Rindërtimi i objekteve të shembura nga fatkeqësia natyrore në të njëjtin truall;
- Bashkëpunimi për ndërtime me sektorin privat.
Zonat e reja për zhvillim qe prekin VKB e mësipërme në të cilat do ndërtohet janë Njësia Administrative nr. 6, zona Kombinat e cila ka dhe numrin më të madh të përfituesve – 269 subjekte; Njësia Administrative Baldushk me 31 përfitues; Njësia Administrative Pezë me 22 përfitues dhe Njësia Administrative Ndroq 13 përfitues.
Sipas Transaksione Thesari nga Bashkia Tiranë janë paguar në total 848 589 220 lekë (kërkim me fjalën kyçe grant për institucion buxhetor Bashkia Tiranë janar 2020-maj 2021).
Ndërsa pagesa të ekzekutuara për data zgjedhore 25 mars 2021 – 25 prill 2021 shkojnë ne një total prej 124 915 000 lekësh.
Shkarko excel: Bashkia Tiranë Përfitues Grant Rindërtimi Shkurt – Prill 2021Comment and Analysis: Open Data Albania