Open Data Albania ka bërë një hulumtim lidhur me listat e miratuara nga Këshilli Bashkiak Tiranë për subjekte përfitues nga granti i rikonstruksionit sipas kategorive të dëmit DS1, DS2 dhe DS3 në muajt Shkurt – Prill 2021.
Këshilli Bashkiak Tiranë ka nxjerrë gjatë kësaj periudhë 3 vendime për miratim liste, por listat nuk janë bërë publike. Open Data Albania i ka aksesuar ato përmes një kërkese zyrtare për informacion, kërkesë e cila fillimisht u refuzua por pas ankesës drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe ndërhyrjes nga Institucioni i Komisionerit u bë pranimi i kërkesës dhe dorëzimi i tyre.
Sipas përgjigjes/listave të marra nga Bashkia Tiranë dhe analizës së ODA-së numri total i subjekteve përfitues nga granti i rikonstruksionit për nivele dëmit DS1, DS2 dhe DS3 është 797 persona (VKB 6/2021; VKB 16/2021 dhe VKB 64/2021 – Bashkia Tiranë) nga ku 78 prej tyre janë renditur si përfitues pas ankimimit që kanë paraqitur pranë Institucionit sepse fillimisht nuk kualifikoheshin si të tillë.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.5 datë 06.01.2020 i ndryshuar ka përcaktuar që masa e vlerës së rikonstruksionit/riparimit (vlerat tavan) miratohet nga Këshilli Bashkiak i njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore, dhe çdo rast nuk kalon: 500 000 lekë për nivel dëmtimi DS3; 250 000 lekë për DS2 dhe 100 000 lekë për nivel dëmtimi DS1 (kreu IV, pika 5, shkronjat a, b dhe c i VKM 5/2020).
Bashkia Tiranë me VKB Nr.57/2020 ka vendosur që masa e vlerës së grantit të jetë sa 70 % e vlerave të përcaktuara sipas VKM-së më lart. Konkretisht për DS3 masa e grantit është 350 000 lekë; për DS2 175 000 lekë dhe për DS1 70 000 lekë.
Njësia Administrative Nr. 11 me qendër në Laprakë renditet e para për nga numri i subjekteve më 112 përfitues, duke vijuar me njësinë Administrative Nr. 7 që ndodhet pranë rrugës së “Kavajës” me 103 përfitues, Njësinë Zall-Bastar me 91 përfitues e me radhë siç dhe paraqiten në tabelat më poshtë:
Bashkia Tiranë sipas Transaksione Thesari ka paguar për dhënie grantesh 848 589 220 lekë (kërkim me fjalën kyçe grant për institucion buxhetor Bashkia Tiranë janar 2020-maj 2021).
Ndërsa pagesa të ekzekutuara për data zgjedhore 25 mars 2021 – 25 prill 2021 shkojnë ne një total prej 124 915 000 lekësh.
Shkarko excel: Përfitues Grant Rindërtimi DS1, DS2 dhe DS3 – Bashkia Tiranë – VKB 2021Comment and Analysis: Open Data Albania