Open Data Albania po hulumton mbi paga mesatare në vend duke analizuar ecurinë e pagës mujore mesatare prej vitit 2001 e deri në tremujorin e parë të vitit 2021. Hulumtimi zbardh edhe të dhëna dhe renditje, sipas pagës mesatare për vende të Rajonit dhe Europës. Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe për vendet e rajonit nga Eurostati apo platforma Trading Economics.

Në vitin 2001 paga mesatare bruto për një punonjës ishte rreth 17 218 (shtatëmbëdhjetë mijë e dyqind e tetëmbëdhjetë) Lekë. Në vitin 2020 niveli i pagës mesatare është rritur me më shumë se 200% duke arritur në vlerën 53 662 (pesëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy) Lekë rreth 436 Euro. Deri në vitin 2009 vërejmë rritje me bazë vjetore dyshifrore. Pas vitit 2009 vijon trendi rritës po në nivele një shifrore. Në vitin 2015 shënohet rënia e pagës mesatare me minus 11.7% krahasuar me 2014. Konkretisht paga mesatare në vitin 2020 është vetëm një përqind më e lartë se paga mesatare e vitit 2014. Vitit 2021 kemi rritje të detyrueshme të kufirit minimal të pagës nga 26 mijë Lekë në 30 mijë.


Të dhënat: INSTAT,TRADING ECONOMICS (2021)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sektori shtetëror ka pagë mesatare 33 % më të lartë se sektori privat. Pavarësisht diferencave të pagës mesatare mujore në sektorin shtetëror dhe atij privat, vërehet se në të dy këto sektorë paga mesatare ka ardhur në rritje, konkretisht në tre mujorin e parë të vitit 2021 kalon vlerën mbi 50 mijë lekë edhe në sektorin privat. Një nga faktorët që shpjegon trendin rritës të pagës mesatare është edhe rritja e pagës minimale që përcaktohet me ligj, konkretisht nga 24 mijë Lekë në vitin 2018 në 30 mijë Lekë për vitin 2021. Kjo rritje e pagës minimale me 15% krahasuar me vitin paraardhës, është rritja më e madhe pas vitit 2006.


Të dhënat: INSTAT
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Krahas studimit të pagës mesatare sipas sektorit, me rëndësi shihet dhe studimi i pagës mesatare sipas aktivitete ekonomike, përcaktuar nga Nomenklatura e Aktiviteteve Ekonomike (NVE). Sektor më të mirë paguar rezultojnë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit, ku paga mesatare mujore, shkon mbi 100 mijë lekë. Në këtë kategori shërbimesh, rritja është nga 101 mijë lekë pagë mesatare në 2016, në 109 mijë lekë në vitin 2020.

Kategoria e dytë më e mirë paguar shfaqet në aktivitetet e Informacionit dhe Komunikacionit, ku paga mesatare mujore ka shkuar nga 75 mijë lekë në 2016 në 80 mijë lekë në 2020.

Ndërsa kategoria e aktiviteteve më pagat mesatarisht më të ulëta, deri në 2018 ishte Tregtia, riparim i automjeteve, transport, akomodim, shërbim ushqimor, me nivel mesatar të pagës mujore rreth 34-36 mijë lekë, e pas këtij viti me pagat mesatare më të ulëta rezulton kategoria të punësuar në aktivitetet Bujqësi, Silvikulturë dhe Peshkim.  Në ndryshim nga aktivitetet e tjera ekonomike, vërehet se kjo kategori përveç se më pak e paguara, gjithashtu ka pasur përkeqësim dhe rënie të nivelit mesatar të pagave në 2020.

Veç Aktivitetit apo Sektorit Ekonomik një diferencim negativ është niveli i pagës mesatare sipas gjinive. Për fat të keq të gjithë sektorët kanë diferencim të thellë në pagë mesatare për Gratë dhe Burrat ku këta të fundit për çdo rast paguhen më shumë.


Të dhënat: INSTAT
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Shqipëria ka pagën mesatare më të ulët ndërmjet vendeve të Ballkanit, ndërsa pagën mesatare më të lartë në Ballkanin Perëndimor e ka Mali i Zi rreth 787 Euro, ndërkohë që paga mesatare për Ballkanin Perëndimor, llogaritet rreth 655 Euro.


Të dhënat: INSTAT,TRADING ECONOMICS (2021)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në shumicën e vendeve Evropiane, legjislacioni i punës përfshin nivelin e pagës minimale, megjithatë jo në të gjithë shtetet, p.sh Italia apo dhe shtete si: Austria, Suedi, Finlandë, Austri, Sllovenia, Danimarkë, janë shtete ku nuk zbatohet një pagë minimale ligjore. Nga ana tjetër konstatohet se disa shtete kanë jo vetëm një nivel pagë minimale, e tillë është Kosova që ka dy nivele page minimale, diferencuar sipas moshës.

Shqipëria shfaqet në vendet e rajonit  me pagën minimale më të ulët rreth 244 euro (300 mijë lekë), pas Kosovës. Ndërsa Serbia aktualisht ka nivelin më të lartë të pagës minimale rreth 366 Euro në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por nëse shikojmë dhe fqinjët e tjerë në Ballkan, pagën minimale më të lartë e ka Sllovenia mbi 1000 euro, ndërsa në rang kontinenti, vendet me pagë minimale më të lartë janë: Luksemburg, Irlanda dhe Gjermania. 

Paga mesatare në Rajon (me Fqinjët) është rreth 1070 Euro, ku vlerën më të ulët e ka Shqipëria rreth 436 euro, ndërsa pagën mesatare mujore më të lartë, mbi 2400 Euro e ka Italia. Gjithashtu, Sllovenia, Greqia, Kroacia dhe Rumania janë vendet që e kalojnë pagën mesatare të rajonit.


Të dhënat: Eurostat (2021)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Më të gjerë në të gjithë vendet e Evropës, Shqipëria pozicionohet në vendet më pagën mesatare më të ulët. Konkretisht jemi vendi i gjashtë me pagën më të ulët, duke tejkaluar shtete si Gjeorgji, Azerbajxhan, Armenia, Bjellorusi dhe Moldavi, ku paga mesatare luhatet 330-420 euro.


Të dhënat: Eurostat (2021)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Zvicra, Danimarka dhe Luksemburgu janë në vendet e para, sa i takon pagës mesatare sipas vlerës. Në Zvicër paga mesatare është 6000 Euro.

Shkarko excel: Paga mesatare në Shqipëri, Rajon dhe Europë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Blerina Gjaci