Open Data Albania po hulumton mbi Strukturën e Shpenzimeve buxhetore publike në vite, referuar klasifikimit ekonomik në shpenzime korente dhe kapitale.

Shpenzimet kapitale janë shpenzimet që kryen njësia buxhetore për blerjen e aseteve të reja publike apo riparimin e atyre të mëparshme dhe jetëgjatësia e të cilave shkon përtej një viti fiskal. Shpenzimet kapitale përfshijnë financimin e brendshëm dhe të jashtëm për investime publike. Po aty futen edhe  shpenzimet për shpronësime dhe kategori të tjera në vite speciale si Fondi i Rindërtimit që është shtuar në Buxhetin 2020 e në vazhdim.

Shpenzimet korente përbëjnë shumën e të gjithë shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes, që kryen një njësi për një periudhë të caktuar kohore, dhe përfshin kostot e vazhdueshme të njësisë për përmbushjen e funksioneve të përditshme. Në këtë kategori përfshihen: shpenzime personeli për paga, shpërblime dhe te tjera shpenzime personeli, kontribute për sigurime shoqërore dhe shëndetësore; mallra dhe shërbime te tjera; subvencionet; transferimet korente te brendshme; transferimet korente jashtë; transferta për buxhetet familjare dhe individët; Fondi i veçante; Rezervat.

Si rezultat i rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve buxhetore pothuajse në çdo vit, vërehet rritje e vazhdueshme në kategorinë e shpenzimeve korente gjatë gjithë periudhës 2000-2022. Ndërsa shpenzimet kapitale krahas rritjes, shfaqen vazhdimisht dhe me rënie si në vitet 2002, 2003, 2010, 2012, 2016, 2022, duke reflektuar ndryshime dhe të peshave të shpenzimeve të secilës kategori.


Burimi: MFE( 2022)
* vlera 2022 referuar planit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Nga një analizë 2000-2022, referuar buxhetit të konsoliduar deri në 2021 dhe planit të 2022,  vërehet se pesha mesatare e shpenzimeve kapitale ndaj shpenzimeve totale buxhetore është 18 përqind, ndërsa pesha mesatare e shpenzimeve korrente të cilat dominojnë shpenzimet publike, përbën mesatarisht 81 përqind.


Burimi: MFE( 2022)
* vlera 2022 referuar planit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Vitet 2006-2009 rezultojnë me një peshë më të lartë se ajo mesatare në shpenzime kapitale, përkatësisht 20-27 përqind të shpenzimeve totale. Kjo rritje ka rezultuar nga ndërmarrja e një serë projektesh publike në infrastrukturë rrugore siç është ndërtimi i autostradës Milot-Morinë.

Gjithashtu, viti 2020, 2021 dhe 2022 shënojnë rritje të peshës së shpenzimeve kapitale në krahasim me peshën mesatare në vite, përkatësisht në 19, 22 dhe 19 përqind. Kjo rritje lidhet kryesisht me krijimin e një fondi të posaçëm për menaxhimin e efekteve të tërmetit 2019 ‘Fondi i Rindërtimit’ që u konsolidua në shumën 16. 6 miliardë lekë në 2020 ose 16.3 përqind të shpenzimeve kapitale dhe planifikuar 28 miliardë lekë për 2021 dhe 20 miliardë lekë për vitin 2022.

Investimet publike ndikojnë drejtpërdrejt në krijimin e pasurive të reja shtetërore si asete publike, por dhe indirekt në rritjen e ekonomisë përmes ofrimit të të mirave dhe shërbimeve si urat, rrjetet e telekomunikacionit, rrugët etj. Mungesa e rritjes së vazhdueshme të investimeve publike rezulton kryesisht nga pamjaftueshmëria e të ardhurave buxhetore për të përballuar shpenzimet korrente dhe për të financuar gjithashtu rritje në shpenzimet kapitale. Kjo pamjaftueshmëri të ardhurash vërehet dhe në prezencën e hendekut ose deficitit buxhetor në çdo vit. Nga një analize e korrelacionit të shpenzimeve kapitale me deficitin buxhetor ndër vite, konstatohet se vitet me më shumë rritje në shpenzime kapitale shoqërohen me thellim të deficitit buxhetor.


Burimi: MFE( 2022)
* vlera 2022 referuar planit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Një rritje e peshës së shpenzimeve kapitale në vitin 2008 dhe 2020, shoqërohet me thellim të deficitit buxhetor në këto vite. Në 2008 ndërkohë që pesha e shpenzimeve kapitale ndaj totalit rezulton 7 përqind më shumë, pesha e deficitit buxhetor ndaj shpenzime totale rritet me 5 përqind. Ndërsa në 2020 pesha e shpenzimeve kapitale rritet me 3 përqind ndërkohë pesha e deficitit rritet me15 përqind. Kjo rritje më e lartë ndikohet gjithashtu nga rritja e lartë e shpenzimeve korrente për përballimin e efekteve të pandemisë.


Burimi: MFE( 2022)
* vlera 2022 referuar planit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në disa vite konstatohet që shuma e deficitit buxhetor tejkalon shumën e shpenzimeve kapitale. Konkretisht vitet 2000, 2013, 2014 dhe 2020 e ilustrojnë këtë tejkalim mase, sidomos në vitin 2000 ku deficit është në masën 138 përqind e shpenzimeve kapitale vjetore.

Në vitin 2016, në Ligjin për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor, u vendos një klauzolë mbi masën e deficitit buxhetor e cila nuk mund të tejkalojë masën e shpenzimeve kapitale të parashikuara çdo vit në ligjin e buxhetit.


Burimi: MFE( 2022)
* Ne 2016 futet rregulli fiskal ne Ligj
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Pas vitit 2016 ky rregull fiskal është zbatuar përveç vitit fiskal 2020 ku vërehet një cenim i detyrimit ligjor pasi deficit buxhetor tejkalon me 9 përqind shpenzimet kapitale. Ky cenim justifikohet nga ndikimet e jashtëzakonshme buxhetore të pandemisë.

Shkarko excel: Shpenzime buxhetore Korente dhe Kapitale në vite 2000-2022
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Blerina Gjaci