Open Data Albania po analizon mbi arsye dhe potencial për rritje të nivelit të përgjithshëm të çmimeve dhe kostove në Shqipëri, çmime prodhimi, eksporti apo në finale konsumi. për këtë po listojmë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm. Përveç embargove në tregje për shkak të Agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, janë edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në rritje kostosh që që lidhen me politikën e brendshme. Ndryshimet e fundit makroekonomike në Shqipëri, dëshmojnë për rritje të inflacionit ose njohur ndryshe si rritje e nivelit të përgjithshëm të çmimeve.


Burimi: Banka e Shqiperise, INSTAT
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sikurse ilustrohet nga të dhënat, norma vjetore e Inflacionit ka filluar të rritet me ritme më të larta nga muaji Nëntor 2021, ku inflacioni tejkalon shenjest rimin e politikës monetare 3%, duke rezultuar 3.1% krahasuar me muajin Nëntor 2020, ndërsa  ka vijuar në muajt pasardhës. Respektivisht në Dhjetor 2021 dhe Janar 2022 norma e inflacionit rezulton në vlerën 3.7%, në Shkurt 2022 rezultoi 3.9 % dhe vijon ritme më të larta rritje duke shënuar 5.7% në Mars 2022 krahasuar me Mars 2021 (vlerësuar me 1.2% ).

Sipas teorive ekonomike rritja e nivelit të përgjithshëm të çmimit mund të ndodhë nga dy arsye kryesore: Rënia e nivelit të përgjithshëm ofertës së prodhimit kombëtar (ofertës agregate) ose nga Rritja e kërkesës për prodhimin kombëtar (kërkesës agregate). Inflacioni i shkaktuar nga oferta njihet si inflacion nga kosto dhe shihet ndër situatat më të këqija ekonomike pasi krahas rritjes së nivelit të çmimeve shoqërohet dhe me rritjen e papunësisë, ndërsa në Inflacionin nga kërkesa ndeshet rasti i kundërt pasi papunësia ulet.


Burimi: Banka e Shqiperise, INSTAT
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në përgjithësi norma e papunësisë ka shënuar rritje në vitin 2020 si rezultat i pandemisë, nga 11.4 % në 11.8 % dhe kthehet në trend rënës pas tremujorit të parë 2021. Megjithatë tremujori i fundit i vitit që lamë shënon një tjetër kthesë duke rezultuar me rritje të normës së papunësisë nga 11.3 % tremujor i tretë në 11.4 % në tremujorin e fundit 2021.

Situata e ndeshur në tremujorin e fundit të vitit 2021, ku vërehet rritje papunësie dhe inflacioni dëshmon se vendi po kalon situatën e stagflacionit (kombimin i dy fenomeneve njëkohësisht). Rritja e papunësisë dhe inflacionit gjithashtu tregon se kemi të bëjmë me Inflacion nga Kosto, pra shkaktuar rënia e ofertës agregate. Për tu theksuar është edhe fakti që Papunësia në vend regjistrohet vetëm me numër të papunësh të cilët u drejtohen axhensive shtetërore të punësimit. Për pasojë mosregjistrimi si të papunë është i konsiderueshëm pasi lidhet drejtpërdrejt ëme besimin apo mosbesimin e ndihmës së këtyre axhensive për punësim dhe trajtim të individëve me statusin i papunë.


Burimi: Banka e Shqiperise, INSTAT
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Nga analizimi i korrelacionit ndërmjet normës së inflacionit dhe papunësisë, kur këto norma divergjojnë, pra ndryshojnë në kahe të kundërta atëherë kemi të bëjmë me inflacion nga kërkesa. Për periudhën e shqyrtuar divergjenca  e normave konstatohet në periudhën nga tremujori i katërt 2020 deri në tremujorin e tretë 2021.

Konkretisht në tremujorin e katërt 2020, ku ndërkohë që inflacioni rritet papunësia ulet. Ndërsa pas tremujorit të tretë 2021 vërehet një konvergim i normës së inflacionit me normën e papunësisë, të dyja shfaqen në rritje, pikërisht kjo situatë dëshmon për inflacion nga kosto (oferta) dhe fenomeni njihet si stagflacion.

Aktualisht shumë ekonomi në 2022 po ndeshën me inflacion nga kosto. Inflacioni nga oferta mund të shkaktohet nga shumë faktorë, por ai rezulton kryesisht nga:

1. Rritja më e madhe e pagave nga produktiviteti i punës,

2. Ndryshimi i kursit të këmbimit – zhvlerësimi i monedhës së vendit,

3. Rritja e shpenzimeve të lëndëve të para të importuara – inflacioni i importuar,

4. Rritja e taksave indirekte dhe masave të ngjashme

Në këtë artikull do të analizohen faktorët që kanë çuar në rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve, bazuar në ndryshimet zyrtare të secilit nga faktorët që ka ndikuar në rritje të kostove. Konkretisht, faktori i parë nuk konstatohet në këtë situatë, kështu analiza përfshin tre faktorët e tjerë.

Faktori 2: Kursi i këmbimit-faktor ndërkombëtar

Kursi i këmbimit është çmimi i një Monedhë (Lekut) shprehur në terma të një monedhe tjetër, e cila tregon fortësinë apo dobësinë e saj. Nëse Leku zhvlerësohet, importet do të bëhen relativisht më të shtrenjta dhe eksportet më të lira.  Dy monedhat kryesore të përdorur për realizimin e tregtisë së jashtme ose importe dhe eksporte janë Euro dhe Dollari Amerikan.

1. Të dy kurset dëshmojnë për dobësimin e monedhës vendase Lekut, duke nënkuptuar rritje në çmimet ndërkombëtare për tregtinë në euro dhe dollar amerikan. Referuar të dhënave mujore të kursit të këmbimit, konstatohet se Kursi i këmbimit Lekë/Dollar amerikan në muajin e fundit Mars 2022 shfaqet me rritjen më të lartë në 4 vitet e fundit, konkretisht shënon 5 % rritje, nga 107 lekë/dollar në Shkurt në 112 Lekë/Dollar në Mars 2022. Kjo rritje nënkupton zhvlerësimin e Lekut kundrejt Dollarit, pra për të blerë një dollar duhet një sasi më e madhe në Lek. P.sh nëse në Shkurt 2022 një artikull kushtonte 1 Dollar pra do të paguanim 107 Lekë, me të njëjtin çmim, në Mars vetëm nga ndryshimi i kursit të këmbimit,  do të kushtonte 112 lekë.

Dhe kursi Lekë/Euro shfaqet me rritjen më të lartë referuar 4 viteve të fundit, në Mars 2022 është 1.7% më i lartë se në Shkurt 2022 ose nga 121 Lekë/Euro në Shkurt në 123 Lekë/Euro në Mars 2022.


Burimi: Banka e Shqiperise, INSTAT
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

2. Ndërsa Euro shfaqet e forcuar në tregun tonë vendas, në tregun ndërkombëtar ajo shënon rënie. Dollari amerikan dhe euro janë dy monedhat më të tregtuara në botë. Dhe EUR/USD është çifti më i tregtuar në nivel ndërkombëtar. Nëse shikojmë luhatjet e fundit të këmbimit të Euros më Dollar amerikan vërehet dobësim i Euros. Konkretisht në javën e parë Prill 2022, Euro shënon 1.2 % rënie në terma të dollarit amerikan krahasuar me javën e fundit të Marsit 2022. Pra Monedha Euro, e cila ndërsa humbet pike ne tregje ndërkombëtare, ruan pozicion ose forcohet ne tregun shqiptar për disa arsye: siç është euroizimi i disa tregjeve, psh tregu i ndërtimeve është thuajse 100% i euroizuar.


Burimi: Banka e Shqiperise, INSTAT
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Faktori 3: Rritja e shpenzimeve të lëndëve të para të importuara (inflacioni i importuar)- faktor ndërkombëtar

Ky faktor po ashtu ndikon drejtpërsëdrejti në ndryshimin e nivelit të përgjithshëm të çmimeve në vend.  Një ndër shkaqet kryesore për rritjen e çmimeve në tregje ndërkombëtare, së fundmi është bërë agresioni Rusi-Ukrainë, ku bllokimi i tregtisë dhe ndërmarrja e masave kufizuese (embargo dhe sanksione) me këto vende në produktet që eksportojnë, si: lëndë djegëse, drithëra, grurë etj ka ndikuar në rënien e ofertës ndërkombëtare e rrjedhimisht në rritje çmimesh respektive.  Open Data ka publikuar më parë një artikull në lidhje me Eksportet Ruse sipas grupmallrave dhe pozicionin e saj në tregun ndërkombëtar.

Në tabelën e mëposhtëm janë paraqitur ndryshimet e çmimeve të lëndëve të para të cilat janë impute në proces prodhimi si nafta, energjia, gruri, drithërat, produktet industriale  etj.

Sipas treguesve ndërkombëtar WTI dhe BRENT, çmimi i naftës së papërpunuar është 111.43 $/fuçi dhe 106.68$/fuçi respektivisht. Krahasuar me Muajin Prill 2021, treguesi WTI është rritur me 66.55%, ndërsa  treguesi BRENT është rritur me 68.11%. Ndërsa krahasuar me muajin Mars 2022, gjatë muajit Prill çmimi i naftës së papërpunuar sipas treguesit WTI  është rritur me 14.26% dhe sipas treguesit BRENT është rritur me 12.54%.

Rritje e çmimit vihet re edhe në produktin e Gazit me rreth 174.10% krahasuar me një vit më parë. Aktualisht Gazi shitet me 7.28 Dollarë për MMBtu (njësi termale britanike).

Gjithashtu një rritje të konsiderueshme ka pësuar edhe çmimi i energjisë elektrike, ku sipas Bursës Hungareze HUPEX që është bursa me pozitë lider në Evropën Qendrore dhe Lindore, çmimi mesatar për muajin Prill 2022 është  227.7 Euro/ MWh, rreth 400% më shumë se çmimi energjisë në muajin Prill 2021.

Sa i përket mallrave të tjera, gjatë muajit Prill 2022 vihet re një rritje me 68.95% për grurin dhe 34.07% për drithërat e tjera krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Sa i përket produkteve industriale rritja më e madhe vihet re për Nikelin me rreth 101.7% më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm.


Burimi: Banka e Shqiperise, INSTAT
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Faktori 4: Rritja e taksave indirekte dhe masave të ngjashme- Faktorë  Kombëtar (TVSH, Akciza)

Paketa fiskale 2022 në vend po ashtu ka luajtur një rol kryesor në koston e prodhimit mallrave dhe shërbimeve, e rrjedhimisht në nivelin e çmimeve të produkteve. Ndryshimet fiskale të ndërmarra në vitin 2022 që ndikojnë, janë kryesisht ndryshimet në ligjin e TVSH-së dhe Akcizës.

Konkretisht, lidhur me TVSH, janë ndërmarrë këto ndryshime me impakt në rritje kostove të prodhimit:

1.Trajtimin me shkallë të reduktuar të TVSH-së prej 10 për qind të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë: plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, përveç hormoneve të klasifikuara në kodet 2937 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave.  Para këtij ndryshimi pra para 2022, në këtë kategori aplikohej përjashtim nga TVSH, prandaj ky ndryshim ligjor do të shënoje rritje të çmimit në artikujt e specifikuar që shërbejnë si input në prodhime bujqësore, rrjedhimisht do të pritet dhe rritje e cmimeve për produkte bujqësore.

2.Përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe të pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë. Para këtij ndryshimi përpara 2022, përjashtoheshin nga TVSH nëse vlera investimeve në këtë kategori kalonte 50 milionë lekë. Ky ndryshim fiskal do të zgjerojë bazën e tatueshme në këtë kategori investimesh. Rrjedhimisht prodhimtaria ku aplikohet këto makineri do të shënoje kosto më të lartë në prodhim, e cila i kalon konsumatorit final në produktet e konsumit, ose mund të çojë në uljen e interesit të investitorëve vendas dhe të huaj, për të investuar në teknologji, sidomos në industritë prodhuese.

3. Zëvendësimin e normës së kompensimit të prodhuesit bujqësor prej 6 % në 0 për qind.  Nga ndryshimi ligjor për heqjen e TVSH-së 6% të kreditueshme për sektorin bujqësor që aplikohej nga 2019, prodhuesit bujqësor nuk do të përfitojnë më nga faciliteti tatimor, duke shënuar kështu rritje kostove të prodhimeve bujqësore.

Të gjithë produktet si më lartë, për të cilat kostot TVSH rriten në vitin 2022, janë produkte që ndikohen nga limitimi e për pasojë rritja e çmimit të mallrave ne tregjet botërore si pasojë e embargove të ndërsjella me Federatën Ruse për shkak të agresionit në Ukrainë.


Burimi: DPT (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Ndërsa lidhur me Akcizën janë ndërmarrë këto ndryshime me impakt në rritje kostos së prodhimit.

Unifikimi i akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarbureve të tjera gazoike. Aktualisht akzica për gazet e naftës dhe hidrokarbureve të tjera gazoike aplikohet vetëm për rastet e përdorimit e gazit si lëndë djegëse për motorin e automjeteve në vlerën 8 lekë/ litër. Ndërkohë me ndryshimet e reja ligjore të cilat do të fillojnë të aplikohen nga muaji Korrik 2022, tashmë të gjithë konsumatorët pa dallim përdorimi të gazit (pra si për përdorim vetjak ashtu edhe për qëllime biznesi) do të paguajnë akcizë prej 6 lekësh për çdo litër. Pra konsumatorët e gazit pa dallim tashmë do të përballen më një tarifë shtesë prej 6 lekë për litër.

Heqja e rimbursimit të akcizës së lëndëve djegëse të konsumuara në serat me ngrohje, për prodhimin e produkteve industriale dhe agroindustriale, të cilat përdoren për nevoja teknologjike të prodhimit të produkteve në këto  sektorë (farmaceutika, tullat, çimento, birra dhe nafta bruto), duke rritur kështu koston e prodhimit në këta sektorë.

Indeksimin e niveli të akcizës bazuar në indeksin e rritjes së çmimeve. Duke qenë se akciza nuk reflekton ndryshimin e indeksit të çmimeve të konsumit të mallrave, është vendosur që duke filluar që nga Janari 2022, mbi tarifat specifike të akcizës të aplikohet çdo vit indeksimi me normën vjetore të inflacionit. Kjo automatikisht sjell rritjen e kostos së prodhimit dhe si pasojë edhe të konsumit.


Burimi: DPT (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Disa ndryshime të tjera tatimore që ndikojnë në çmimin final që konsumatorët paguajnë janë: vendosja e taksës kombëtare për qumështin pluhur (100 lekë/kg), për hirrë qumështi (150 lekë/litër), për pijet e homogjenizuara (16 lekë/litër) dhe për krem qumështi (150 lekë/ litër).

Ndërsa efekte të mundshme të Liberalizimit të Furnizimit me Energji Elektrike për Bizneset (jo bizneset e vogla) janë prezantuar në një artikull të veçantë me titull Çmimi i Energjisë Elektrike furnizimi për bizneset 2015 – 2022.

Të dhënat për këtë hulumtim janë marrë nga databaza të instucioneve përgjegjës për raportimin e treguesve të shqyrtuar, si Banka e Shqipërisë, Instituti i Statistikave, Kuvendi i Shqipërisë, Trading Economics dhe Bursa e Energjisë HUPEX. Për më shumë informacion në lidhje me llogaritjet referojuni Excelit më poshtë.

Shkarko excel: Kosto Të Konsumit Jetik dhe Prodhimit faktorë të Jashtëm dhe të Brendshme me Potencial për Rritje, Mars dhe Prill 2022
Komente dhe Analiza : Open Data Albania