Open Data Albania po analizon të dhëna lidhur me indikatorin e varfërisë absolute në kufijtë kombëtar të varfërisë. Të dhënat në shqyrtim kanë si burim INSTAT. Varfëria është një koncept i cili shprehet në mënyrë sasiore bazuar në treguesit e të ardhurave për frymë dhe në aftësinë e individëve për të përmbushur nevojat jetësore bazë. Megjithëse Shqipëria nuk ka një minimum jetik të njohur me Ligj, INSTAT publikon të dhëna të numrin dhe përqindjes së popullsisë që jetojnë nën një nivel të caktuar të ardhurash.

Ndër vite përqindja e popullsisë që jeton në varfëri  absolute (nën kufijtë kombëtarë të varfërisë). Në vitin 2019 janë 21.8% e popullsisë që zyrtarisht jetojnë nën kufirin e varfërisë. Ndërsa në vitet 2020 dhe 2021, INSTAT nuk ka bërë ende publikimet respektive. Sipas Bankës Botërore projeksionet e varfërisë bazuar në Produktin e Brendshëm Bruto, rritjen e konsumit dhe burime të tjera të të dhënave sugjerojnë se ka pasur një rënie të ngadaltë të varfërisë në vitin 2020. Ngjarjet e fundit, duke përfshirë tërmetin me magnitudë 6.3 Rihter që goditi vendin në fund të vitit 2019, duke shkaktuar 51 vdekje dhe mjaft dëme në banesa civile, si dhe pandemia e fundit ka penguar uljen e varfërisë.


Burimi: Banka Botërore
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Shqipëria në njëzetë vitet e fundit shënon mesatarisht 20% të popullsisë të saj që jeton në nivele të varfërisë absolute. Viti me përqindjen më të ulët të popullsisë që jeton në kufijtë kombëtarë të varfërisë është viti 2008 me përkatësisht 12.4% (373 137 persona), ndërsa viti me përqindjen më të lartë është vitit 2002 me përkatësisht 25.4% (813 196 persona).


Burimi: Banka Botërore
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në vitin 2019 Shqipëria shënon një indikator të varfërisë absolute në nivelin 21.8% të popullsisë, duke qenë në nivele të përafërta me Malin e Zi (22.6%), Serbinë (21.7%) dhe Letoninë (21.6%). Nivelin më të lartë të këtij indikatori në vitin 2019 e shënon Bullgaria me 23.8% dhe nivelin më të ulët e shënon Ukraina me 1.1%. Duhet pasur parasysh që ky indikator matet në bazë të kufirit që secili vend vendos për nivel varfërie.


Burimi: Banka Botërore
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sikurse u theksua më lart Shqipëria nuk ka bërë një njohje me ligj të minimumit jetik dhe kjo e bën mjaft subjektiv evidencën dhe politikat e mbrojtjes sociale ndaj shtresës që rrezikohet nga niveli i varfërisë.

Shkarko excel: Niveli i varfërisë në Shqipëri dhe Popullsia nën nivelin kombëtar të varfërisë për vende të Evropës
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Griselda Rruci