Open Data Albania po hulumton lidhur me normën e inflacionit në Shqipëri dhe vendet e tjera të Europës. Të dhënat janë marrë nga Banka Botërore. Norma e Inflacionit paraqet rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve në ekonomi. Sipas Bankës së Shqipërisë zyrtarisht inflacioni filloi të matej që nga korriku i vitit 1992 ndaj dhe ne kemi paraqitur si ka ndryshuar norma e inflacionit që prej asaj kohe e deri më sot.
Burimi: Banka Botërore
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Inflacioni quhet galopant atëherë kur çmimet në bazë vjetore rriten me përqindje me dy ose tre shifra. Në këtë situatë është ndodhur Shqipëria me një inflacion 226% në vitin 1992, por të njëjtin fat kanë pasur dhe shumica e vendeve në tranzicion në fillimin e viteve ’90, pas rënies së sistemeve të lidhura me bllokun socialist në Evropë.
Inflacioni galopant i viteve 1990 – 92 filloi të bjerë, vit pas viti, duke arritur nivele njëshifrore në fund të vitit 1995, përkatësisht 7.8%. Periudha dyvjeçare në vijim përkon me lulëzimin dhe perëndimin e firmave piramidale, duke bërë që norma e inflacionit të rritej deri në 33.18% në vitin 1997. Pasojat e falimentimit të firmave rentierë ishin të gjithanshme dhe, për pasojë, ato nuk mund të linin pa ndikuar dhe inflacionin, i cili ra ndjeshëm duke shënuar vlerën 0.39% në vitin 1999.
Periudha 1999 – 2000, regjistroi përqindje të pazakonta inflacioni për një ekonomi si ajo e Shqipërisë. Muaji i fundit i vitit 2000, duket se dha sinjalin e parë për përfundimin e periudhës deflacioniste. Periudha në vazhdim deri në ditët tona është karakterizuar vazhdimisht nga përqindje pozitive, por brenda intervalit kufi për të shënuar vlerën 2.04% në vitin 2021. Më poshtë po ju paraqesim vlerat e normës së inflacionit në Shqipëri dhe vendet e tjera të Europës për vitin 2021:
Burimi: Banka Botërore
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Shteti me normën më të lartë të inflacionit në vitin 2021 është Turqia me një inflacion galopant 19.6%. Hungaria, Polonia dhe Rumania pasojnë Turqinë me një normë inflacioni 5.1%. Shteti me normën më të ulët të inflacionit në vitin 2021 duket të jetë Zvicra me përkatësisht 0.6%.
Shkarko excel: Norma e Inflacionit Historik në Shqipëri nga 1992 dhe Vende Europiane 2010 – 2021Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Griselda Rruci