Open Data Albania po hulumton në lidhje me rritjen e pagës minimale zyrtare në Shqipëri në vitet 2000-2022. Në vitet 2000-2022, rritja e pagës minimale ka qenë e rregullt, përjashtuar vitet 2007, 2014-2016, 2018 dhe 2020. Për vitin 2022, paga minimale është rritur në muajin Prill edhe pse ishte parashikuar që të rritej në mes të vitit. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së nivelit të çmimeve, për shkak të krizës dhe rritjes së kostove ekonomike, pas agresionit Rus në Ukrainë. Kur shikojmë ndryshimin vjetor të inflacionit (IÇK-së) për muajt janar 2021-Mars 2022, vërehet qartë trendi rritës i çmimeve, me kulmin në muajin Mars 2022.


Burimi: Banka Botërore, Databaza Statistikore
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Banka Botërore, Databaza Statistikore
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Banka Botërore, Databaza Statistikore
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Paga minimale është paga (shpërblimi) më i ulët që punëdhënësit mund të deklarojë për punonjësit. Në bazë të deklarimit përllogaritet edhe paga neto pasi zbriten pjesa e detyrueshme. Kjo Pagë caktohet me një akt nënligjorë dhe bëhet detyrim me ligj. Paga që realisht marrin punonjësit është paga minimale neto, pra paga minimale pas heqjes së taksave, sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore. Konkretisht për një pagë minimale 32 000 (e deklaruara), punonjësi merr neto rreth 28 000 lekë pasi pjesa tjetër zbritet si tatime kontribute të detyrueshme dhe derdhen në llogari të tatim taksave. Paga minimale e indeksuar në këtë artikull është paga minimale e vitit paraardhës e rritur me normën e inflacionit të vitit paraardhës. Paga minimale e indeksuar bën të mundur që qytetarët që marrin pagë minimale, të blejnë sot të njëjtën sasi produktesh dhe shërbimesh që blinin dje me pagën minimale të djeshme.

Po të shikojmë pagën minimale dhe të bëjmë disa kalkulime të thjeshta, mund të gjejmë se sa është humbja vjetore e ardhur nga mos rritja e pagës minimale zyrtare (në rastet kur kemi pasur rritje të saj, do të shikojmë se sa është rritja përtej indeksimit). Kështu, duke shikuar vitet 2001-2022, rezulton se humbja më e madhe vjetore për shkak të mos-indeksimit të pagës minimale, është në vitin 2016. Qytetarët që janë paguar me pagën minimale, për shkak të mos-indeksimit të pagës minimale kanë pasur 19 066 lekë më pak se sa duhet të kishin pasur për të mbajtur të njëjtin nivel jetese si në vitin 2013 (pra atë të nivelit të pagës minimale zyrtare të fundit të ndryshuar). Punonjësit me pagë minimale janë paguar më pak se sa duhet në vitet 2003, 2004, 2007, 2014-2016, 2018, 2020 dhe 2022. Në rastin e vitit 2022, edhe pse kemi një rritje të pagës minimale prej 2000 lekësh në krahasim me vitin paraardhës 2021, përsëri kjo rritje nuk është e mjaftueshme për të mbuluar rritjen e nivelit të çmimeve në nivelin që përllogarit INSTAT. Për të gjetur një vlerë sa më të saktë të humbjes në këtë rast për vitin 2022, ky vit është ndarë në dy pjesë, para ndryshimit të pagës minimale (janar-mars 2022) dhe pas rritjes së pagës minimale (prill 2022). Deri në muajin prill, duke qenë se paga minimale nuk është rritur në krahasim me vitin 2021, humbja ka qenë në vlerën e 1800 lekë për 3 muaj. Niveli i inflacionit (ndryshimi i nivelit të çmimeve) është marrë për vitin 2021. Për periudhën pas rritjes së pagës minimale, për pjesën e indeksimit të pagës minimale është marrë niveli i inflacionit të muajit mars 2022. Kështu, humbja për periudhën prill-dhjetor 2022 është 3 098 lekë/9muaj. Në total humbja nga rritja jo e mjaftueshme për të përballuar nivelin e  rritjes së çmimit, për një qytetar që punon me pagë minimale do të jetë 4 898 lekë/12 muaj.


Burimi: Banka Botërore, Databaza Statistikore
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Për të bërë një krahasim të plotë, se sa para realisht kanë marrë qytetarët shqiptarë që janë paguar me pagë minimale, shikojmë të njëjtat diferenca si më lart për pagën minimale neto. Edhe kur merret për bazë paga minimale neto, vitet që rezultuan me humbje në rastin e parë, vazhdojnë që të rezultojnë me humbje përsëri. Në rastin kur marrim në shqyrtim vitet 2015-2022, vitet që paga minimale neto nuk ka arritur që të indeksohet janë 2015, 2016, 2018, 2020 dhe viti 2022. Në vitin 2016 qytetarët që janë paguar me pagën minimale kanë pasur humbjen më të madhe, duke arritur në vlerën prej 12 153 lekësh.


Burimi: Banka Botërore, Databaza Statistikore
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Për të zgjeruar më tej këndvështrimin mbi indeksimin e pagës, marrim edhe rastin e pagës mesatare në sektorin Publik. Të dhënat janë marrë nga INSTAT për vitet 2001-2020, dhe shikojmë nëse paga mesatare ka arritur që të indeksohet përgjatë kësaj periudhe apo jo. Diferencat në rastet e viteve 2014 dhe 2018 janë relativisht të vogla. Për vitin 2016 diferenca është 1 403 lekë/muaj ose 16 832 lekë/12muaj.


Burimi: Banka Botërore, Databaza Statistikore
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në rastin kur marrim pagën mesatare për të gjithë punonjësit (pra duke përfshirë këtu, punonjësit në sektorin publik dhe privat), rezulton se për vitet 2015 – 2020, kemi vetëm një rast kur paga mesatare nuk ka arritur që të indeksohet. Ky rast është viti 2016. Humbja në këtë rast është 2 055 lekë/ muaj ose 24 661 lekë për gjithë vitin. Është marrë në shqyrtim vetëm periudha 2015 – 2020, duke qenë se INSTAT nuk ofron databazë për pagën mesatare në sektorin privat e kështu për pasojë as atë si mesatare të përgjithshme për pjesën para vitit 2014.


Burimi: Banka Botërore, Databaza Statistikore
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Siç shikohet humbja nga mos-indeksimi i nivelit të pagës mesatare të përgjithshme, të asaj të sektorit publik dhe gjithashtu të pagës minimale, ka qenë më e lartë në vitin 2016. Për të tre rastet, viti 2016 arrin rekord negativ përgjatë viteve 2000-2022.

Shkarko excel: Paga Minimale dhe Fuqia Blerëse, humbja nga mos ndryshimi me indeksim
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Ilir Brasha