Në këtë artikull po prezantojmë Bizneset që kanë fituar më shumë vlerë kontratash në Prokurime Publike të mbajtura nga autoritetet shtetërore shqiptare gjatë vitit 2021. Të dhënat për të gjitha procedurat kontraktime me tenderim, janë vënë në dispozicion në format Excel  nga Agjencia e Prokurimit Publik. Artikulli ynë liston dhe rendit sipas vlerës duke analizuar edhe peshën që ka secili kontraktor në totalin e vlerës së Prokuruar gjatë vitit. Vlera e prezantuar është Vlerë Ofertë fituese dhe shprehet pa Tatim mbi Vlerën e Shtuar.

Në këtë renditje janë të gjitha tenderimet me garë, por nuk janë Procedurat e Limituara kryesisht procedura që lidhen me Programin e Rindërtimit. Kontraktimet për Programin e Rindërtimit, i cili prokurohet me një Ligj Special (akt normativ fuqi ligji) ku rregullat, afatet dhe procedura e kontestimit është krejtësisht e ndryshme. Kontraktor të Fondit të Rindërtimit, dhe listimi i tyre sipas vlerave kontraktore të fituara, është bërë në një artikull i mëhershëm i publikuar në web faqen Follow the Money me titull Biznese të Programit të Rindërtimit dhe në artikullin Prokurime Publike pa konkurrim në numër dhe vlerë tenderimi.

Gjatë vitit 2021 me konkurrim janë dhënë  17 961 Kontrata dhe janë angazhuar 2 148 biznese kontraktor.

Dhjetë bizneset që kanë marrë vlerat më të larta nga Kontraktimet me konkurrim si Prokurim Publik gjatë 2021 janë:

Intekar Yapi LTD STI; 4 A-M ; Salillari ; 2 T ; Alb – Star ; G.P.G Company ; Agbes Construksion ; Euroteorema Peqin .Pasaportat e tyre të krijuara në Data Bazën Open Corporates Albania shfaqin informacion mbi zotëruesit; drejtuesit ; performancën ekonomike dhe pozicionin e tyre sikurse licencat dhe pagesat e përfituara nga Transaksione Thesari.

Këta dhjetë biznese kontraktorë të mëdhenj kanë fituar 42.79% të vlerës totale të Kontratave vlerë pa TVSH, kujtojmë që analiza ka vetëm procedurat me konkurrim dhe jo procedurat e limituara apo extraligjore të kontraktimit.



Burimi: Open Data APP
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Shoqëria e parë në listë sipas vlerës së Kontratës (pa TVSH) është turkja İNTEKAR YAPI LTD. ŞTİ. kjo shoqëri ka fituar tenderin për Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë në seksionin rrugor Orikum – Himarë pjesë e autostradës. Oferta Fituese pa TVSH në këtë tenderim është 17.03 miliard lekë apo rreth 141.9 milion Euro. Kosto e ndërtimit pritet të jetë edhe më e lartë për taksapaguesit pasi në muajin Maj 2022, Qeveria anoncoi një shtesë vlerë kontrate deri 30% për shkak të kostove të rritura të Punëve Publike Ndërtime, rritje që vjen nga kriza në tregje pas Agresionit Rus në Ukrainë.

Në vend të dytë renditet shoqëria 4 A – M , shoqëri e shpallur fituese në dhjetë kontraktime me konkurrim me vlerë totale të kontratave rreth 3 404 275 263 Lekë ose 28.36 milion euro. Shoqëria është plotësisht shoqëri shqiptare,  dhe ka aktivitet kontraktor konsistent , në punë publike me autoritetet shqiptare.

Në vend të tretë vjen shoqëria Salillari me Vlerë Kontraktimesh përmes proceduarave me konkurrim prej 2.9 miliard lekë për 7 oferta ku kompania është shpallur fituese. Salillari është gjithashtu subjekt ekonomik i njohur në kontraktime me Institucionet për Punë Publike kryesisht ndërtim rrugësh. Një listë e kontratave të saj ndër vite është pjesë e pasaportës për këtë shoqëri në web faqen Open Corporates Albania.

Renditet pas Salillarit shoqëria 2T me shtatë kontrata dhe 2.49 miliard lekë vlerë pa TVSH. Ndërsa Alb – Star në prokurimet me konkurrim (theksohet jo procedura të kufizuara) ka fituar pa TVSH, 2.32 miliard lek vlerë kontrate. Shoqëria ka aktivitet në ndërtime civile dhe menaxhim mbetjesh.

Shoqëria G.P.G. COMPANY është konsistente në renditjet vjetore si kontraktor në punë publike. Gjatë vitit 2021 në tenderime me konkurrim ka arritur të shënojë  gjashtë herë me ofertë fituese në vlerë 2.31 miliard lekë.

Bizneset e renditura në pozicione të larta në listë janë kryesisht biznese të angazhuara në Punë Publike ndërtim Vepra Civile. Ndër 15 vendet e para të garës sipas vlerës së Ofertave Fituese janë edhe Biznese jo të sektorit ndërtime si për shembull shoqëria Integrated Tecnology BV e cila vetëm një prokurim të bashkisë Durrës, ka siguruar vlerën prej 1.126 miliard lekë për Depozitimin e Mbetjeve Urbane.

AIS përmes databazës OpenProcurement Albania ka monitoruar dhe zbardhur tendera të Programit të Rindërtimit të mbajtura nga Njësi të Qeverisjes Vendore Bashki dhe Qeveria Qendrore përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Po njësoj janë monitoruar edhe tendera të Institucioneve të Shëndetit Publik dhe Emergjencave të mbajtura në kuadër të Pandemisë Covid-19.

Shkarko excel: Kompanitë që kanë fituar Kontrata me Prokurim Publik 2021
Shkarko excel: APP Procedurat e prokurimit 2021
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Agresa Qosja