Qeveria Shqiptare ka miratuar Aktin Normativ me fuqi Ligji, akt nr 10. datë 18 Maj 2022, Për Kompensimin Financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi, sipas përcaktimeve në kontratat publike për punë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg gjatë vitit 2022, duke ju referuar çmimeve të tregut dhe indekseve të kushtimit në ndërtim.

Artikulli si vijon synon të zbardhë dhe vizualizojë disa indikator të tregjeve, që lidhen me këtë akt qeveritar.

Akti Normativ zbatohet dhe synon të kompensojë me shtesë vlerë kontrate për punë publike (punë civile), kontrata të financuara nga Buxheti i Shtetit, fonde të pushtetit qendror dhe lokal si dhe kontrata që zbatohen nga shoqëri që zotërohen në mazhoritar nga shteti. Kompensimi lidhet me arsye të shtrenjtimit të lëndëve të para për punë publike, si dhe është hekuri, çimento, bitumi, tubat plastik, alumini, bakri dhe zinku. Këto çmime janë rritur në tregjet ndërkombëtare për pasojë edhe të krizës që vjen për shkak të agresionit në Ukrainë. Kontratat Publike objekt i rregullimeve të Aktit Normativ, duhet të jenë lidhur përpara hyrjes në fuqi të aktit dhe të jenë në proces zbatimi jo me parë se data 1 janar 2020. Kompensimi do të bëhet përmes Kontratave Shtesë (shtesë kontrate) pas një miratimi të kompensimit nga autoriteti në masën 5 deri 30% të vlerës. Akti i miratimit do të bëhet nga Institucioni apo Autoriteti që ka prokuruar. Kjo situatë e vlerësimit me marzh 5 deri 30% e vlerës, dhe aprovimi apo mosaprovim nga autoriteti, sjell mjaft problematika sa i përket procedurës, integritetit dhe shmangies së influencës në një vlerësim ekstra kontraktor.

AN parashikon kosto shtesë financiare që do të mbulohet nga buxhete të Institucionit Shtetëror apo të Shoqërisë me Zotërim Publik.

Akti normativ mbështet këto operator ekonomikë që zbatojnë kontrata punë publike, në harkun kohor të parashikuar përmes dy opsioneve: duke shtuar vlerën e  kontratës përmes miratimit të kërkesës për kompensim financiar dhe duke mos aplikuar apo falur penalitete për vonesa kontraktore në zbatim. Edhe procedura të Programit të Rindërtimit janë objekt i këtij Akti Normativ.

Në këtë artikull do të shohim dy Indekse që janë bazë për të vlerësuar kosto të rritura në zbatimin e kontratës. Konkretisht Indeksi i Kushtimi në Ndërtim dhe Indeksi i Çmimeve të Importit me fokus artikuj materiale ndërtimi.

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (IKN) mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8-10 kate).  Ndryshimi vjetor i IKN në tremujorin e parë 2022 është 5 %, që do të thotë se në tremujorin e parë 2022 kostoja e ndërtimit është 5% më e lartë se në tremujorin e parë të 2021. Ndërsa në tremujorin e parë 2021 rezultonte vetëm 0.6 % më shumë se tremujori i parë 2020. Në 2022 shënohet rritja më e lartë gjatë periudhës së shqyrtuar nga 2018 e në vazhdim, ku dominon trendi rritës i indeksit.



Burimi: INSTAT 2022
Përpunoi: Open Data Albania

Referuar rritjes me baze tremujore, rritja më e madhe konstatohet në tremujorin e parë 2022, ku vërehet një rritje e indeksit me 2.9% nga tremujori i katërt 2021.



Burimi: INSTAT 2022
Përpunoi: Open Data Albania

Referuar EUROSTAT për matjen e Indeksit të Kushtimit në Ndërtim, konsiderohen gjashtë grupe kryesore shpenzimesh: Shpenzime për materiale; Shpenzime për paga; Shpenzime për makineri; Shpenzime transporti; Shpenzime për energji dhe Shpenzime të tjera. Duke qenë se Akti Normativ konsideron kompensimin e rritjes së çmimit vetëm për disa materiale ndërtimit, krahas ndryshimit të indeksit në vetvete, në fokus do të jetë ecuria e indeksit të çmimeve për nëngrupin e materialeve të ndërtimit, si pjesë e grupit të shpenzimeve për materiale.



Burimi: INSTAT 2022
Përpunoi: Open Data Albania

Indeksi i nëngrupit “Materiale ndërtimi” në tremujorin e parë 2022 rezulton 6.5% më i lartë nga tremujori i parë 2021, rritja më e madhe në 5 vitet e fundit. Ndryshimi më i madh rezulton në tremujorin e fundit të shqyrtuar (Tremujori i 1 viti 2022) në raport me tremujorin e katërt 2021 ku shënohet një rritje e indeksit me 3.2%.



Burimi: INSTAT 2022
Përpunoi: Open Data Albania

Një indeks tjetër që jep informacion mbi ndryshimin e çmimeve është Indeksi i Çmimeve të Importit, i cili mat ndryshimet në çmimet e importeve, për çdo produkt që nuk është prodhuar në Shqipëri, por që është importuar nga një vend i tretë.



Burimi: INSTAT 2022
Përpunoi: Open Data Albania

Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e parë të vitit 2022, arriti 111,7 duke shënuar një rritje vjetore me 10,7 %, në krahasim me tremujorin e parë 2021. Rritja më e madhe ka ndodhur në tremujorin e fundit të matjes, pasi krahasuar me tremujorin e katërt 2021 indeksi shënoi një rritje me 6,1 %, pra çmimet e importit në tremujorin e parë 2022, rezultuar mesatarisht 6.1% më të larta se në tremujorin e fundit 2021.

Metalurgjia (si hekur, alumin, bakër etj) konsiderohet në sektorët me rritjen më të lartë, në tremujorin e parë 2022 çmimet e importit rezultojnë 18% më të lartë se tremujori i fundit 2021 dhe 21% më të lartë në bazë vjetore pra se ndryshimi në tremujorin e parë 2021.

Referuar tregjeve ndërkombëtare, çmimi i hekurit shënon trend rritës përgjithësisht nga viti 2019. Brenda 5 viteve (Prill 2022 vs Prill 2017) vërehet rritje e çmimit me 142%, konkretisht nga 62 në 151 dollarë për ton metrikë hekur.



Burimi: IndexMundi Statista
Përpunoi: Open Data Albania

Po kështu dhe Alumini shfaqet me rritje çmimi në pesëvjeçarin Prill 2017- Prill 2022, një rritje prej 32%, ose nga 1885 në 2490 dollarë për ton metrikë alumin. Ndryshe nga hekuri, alumini shënon një rritje më të lartë në dyvjeçarin e fundit, në Prill 2022 çmimi rezulton 122% më i lartë se në Prill 2020 (nga 1460 në 3244 dollarë).



Burimi: IndexMundi Statista
Përpunoi: Open Data Albania

Një metal tjetër i konsideruar për tu kompensuar sipas Aktit Normativ është Bakri, çmimi i të cilit fillonte nga 5600 dollarë në 2017, ndërsa në 2022 kalon çmimin 10 000dollarë për ton metrikë, duke rezultuar me 56% rritje në pesëvjeçar. Rritja me e shpejtë vërehet pas vitit 2020, ku shënohet dyfishim i çmimit nga 5000 në 10 mijë dollar për ton metrikë.



Burimi: IndexMundi Statista
Përpunoi: Open Data Albania

Efektet Financiare të këtij Akti Normativ, për zbatim të tij nuk janë përllogaritur ende duke i lënë vend ndryshimit të afërt të Planit Buxhetor për viti 2022 në nivel qendror dhe vendor, sikurse kreditimeve për nevoja të shlyerjes kontraktore për rastin e shoqërive publike. Rregullimi ligjor që bën Qeveria i jep shkak edhe palëve Private, të fillojnë të kërkojnë rishikim të kostove për ndërtim në Kontraktime mes palëve për porosi dhe investime të Infrastrukturës Ndërtimore.

Shkarko excel: Indeksi i Çmimeve në Ndërtim dhe Vendimmarrja e Shtetit për shtesë vlerë kontrata në punë publike
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Blerina Gjaci