Shteti Shqiptarë ka aktivizuar deri tani projektin PPP për ndërtimin, rehabilitimin, mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Fier. Ky segment është pjesë e Korridorit Rrugor Adriatiko Jonian, një projekt strategjik për Evropën Juglindore, pjesë e zgjerimit të  Rrjetit Trans Evropian të Transportit në Ballkanin Perëndimor. Korridori shtrihet nga kufiri Kroat, në Tivar, në kufirin shqiptar me Malin e Zi  Gjurma 1 dhe Korridorin Rrugor Shqiptar Veri-Jug që lidh kufirin e Malit të Zi me kufirin Grek përmes Shqipërisë Gjurma 2.

Ky korridor synon të lidhë Evropën Qendrore dhe Italinë Veriore me gadishullin e Jonit përmes Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë. AIC i përgjithshëm nga Italia në Greqi do të jetë rreth 1 500 km, ndërsa në Shqipëri korridori përshkon afërsisht 300 km ose 20% të gjatësisë së përgjithshme.

Në pjesën e Shqipërisë projekti përbëhet nga 6 segmente kryesore:

  • Milot – Thumanë – 13.5 km i gjatë;
  • Thumanë – Kashar – 20 km;
  • Kashar – Pezë Helmës – 9 km; Pezë Helmës – Luzi i Vogël/Lekaj – 24 km i gjatë;
  • Luzi i Vogël Lekaj –  Rrogozhinë – 8 km i gjatë;
  • Rrogozhinë – fillimi i Bypass-it të Fierit – 38 km i gjatë.

Qeveria Shqiptare realizoi tenderimin ndërkombëtar për përzgjedhjen e fituesit në këtë projekt, garë e shpallur më 2020 me një gjatësi totale 115 km. Tenderi u anulua për shkak se ofertat e paraqitura nuk ishin në përputhje  me kriteret e përcaktuara.

Në Gusht 2022, Qeveria vendosi të shpallë garën për 3 segmente rrugore të këtij korridori në gjatësi 86.1 km dhe vlerë totale investimi  rreth 839.5 milionë Euro. Konkretisht:

  1. Projektin Koncesion/PPP Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Milot-Thumanë, me gjatësi 13.5 km dhe me vlerë investimi të parashikuar me 44 620 189 Euro. Nuk ka ende shpallje të fituesit për zbatimin e këtij projekti.
  2. Projekti Koncesion/PPP Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Kashar-Pezë-Lekaj me gjatësi prej 26.6 km dhe vlerë investimi të parashikuar në 474 869 965 Euro. Projekt ende i pa tenderuar.
  3. Projekti Koncesion/PPP Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Lekaj-Konjat-Fier me gjatësi 46 km dhe vlerë investimi 320,000,000 Euro. Ky projekt do të zbatohet nga një Bashkim prej tetë operatorësh ekonomik drejtuar nga shoqëria Fusha sh.p.k.
  4. Pjesë e korridoridorit është edhe aksi rrugor Thumanë Kashar, Kontratë PPP e miratuar në shtator 2022 pas një ecurie disa vjeçare me tenderim, anulim dhe vendim gjyqësor për Fituesin e Procedurës. Pasaporta e kësaj procedure është e mirë-strukturuar në DataBazën për Prokurime Transparente Koncesione.


Tabela: Vlera Investimi PPP segmente Korridori Adriatik Jonian, Milot-Thumanë – Kashar-Fier Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim e rrugës
Burimi: Open Procurement, Lista e Koncesioneve
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Open Procurement, Lista e Koncesioneve
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kosto mesatare për km është 10 050 110 Euro pa TVSH. Segmentet Thumanë Kashar dhe Kashar Pezë Lekaj, kanë edhe koston më të lartë për ndërtim kilometri rrugë.

Projekti Koncesion/PPP Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Lekaj-Konjat-Fier do të zbatohet nga Bashkimi i operatorëve ekonomik shqiptar “Fusha” sh.p.k. &“Agbes Construksion” sh.p.k. & “Albavia” sh.p.k. & “Kupa” sh.p.k & “Ante-Group” sh.p.k.& “Klodioda” sh.p.k. & “A.L.T.E.A. dhe Geostudio 2000” & “Sphaera” sh.p.k, të njoftuar si fitues në datë 14.11.2022. Megjithëse garë e hapur ndërkombëtare, në procedurë nuk u paraqit asnjë konkurrent i huaj dhe në garë mori pjesë vetëm bashkimi i operatorëve që u shpall fitues. Gjurma është ekzistuese dhe parashikon rehabilitim e jo ndërtim fillestar.

Gjurma e këtij segmenti fillon pranë zonës së së Luzit të vogël (Lekaj) me mbarimin e aksit Kashar – Lekaj dhe përfundon në fillimin e Bypassit të Fierit (pranë zonës së Mbrostarit), me gjatësi 46 km dhe vlerë investimi 320,000,000 Euro. Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit/PPP është 35 vjet. Që prej datës së njoftimit  të fituesit 14 tetor 2022, palët kanë një afat prej 60 ditësh për të draftuar kontratën finale të koncesionit PPP. Sipas Dokumenteve Standarde të Procedurës, ky segment rrugor do të jete me pagesë nga përdoruesit e rrugës, me një vlerë maksimale të parashikuar 0.04065 Euro/km. Në total gjatë viteve të operimit, shoqëria do të mbledhë rreth 1.29 miliardë Euro nga të ardhurat bazë. Gjithashtu për këtë projekt është parashikuar një Garanci e nivelit të të ardhurave nga ana e Shtetit, në nivelin  rreth 32,5 milionë Euro. Nëse në 17 vitet e para të operimit koncesionari nuk arkëton aq sa është planifikuar  nga tarifa e përdoruesve të rrugës, atëherë shteti do të bëjë pagesa buxhetore për mbulimin e këtij deficiti të të ardhurave (të quajtur ndryshe Garancia e Trafikut).



Burimi: Open Procurement, Lista e Koncesioneve
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Projekti Koncesion/PPP Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Kashar-Pezë-Lekaj. Ky segment rrugor ka një gjatësi prej 26.6 km dhe vlerë investimi të parashikuar prej 474,869,965 Euro. Edhe ky segment do të jetë me pagesë nga përdoruesit e rrugës me një tarifë të parashikuar rreth 0.02555 Euro/ km. Në dokumentet standarde të tenderit të publikuara, është evidentuar se Shteti do të jetë garant për Koncesionarin, nëse ky i fundit nuk arrin të plotësojë nivelin e të ardhurave fillestare të planifikuara. Vlera në total e  parashikuar për Garancinë është 48.5 milionë Euro, për gjithë kohëzgjatjen, ndërkohë të ardhurat e parashikuara për këtë koncesion janë 2.23 miliardë Euro. Duke filluar nga viti i parë i operimit deri në vitin 2042, nëse Koncesionarit i bie niveli i të ardhurave nën ‘nivelin fillestar të planifikuar, shteti do e kompensojë me para të buxhetit.



Burimi: Open Procurement, Lista e Koncesioneve
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Projekti Koncesion/PPP: Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Milot-Thumanë. Ky segment rrugor përfshin përmirësimin e rrugës ekzistuese me qëllim kthimin e saj brenda standardit të kategorisë së rrugës (kategoria A). Ky segment rrugor është planifikuar të jetë me pagesë nga përdoruesit, me një tarifë paraprake maksimale të parashikuar prej 0.04148 Euro/km. Të ardhurat totale të parashikuara nga arkëtimi i tarifave janë rreth 291.6 milionë Euro përgjatë gjithë kohëzgjatjes. Gjithashtu për këtë segment rrugor parashikohet një Garanci e nivelit të ardhurave nga Shteti nga viti i parë i operimit deri në vitin 2040, në vlerën maksimale rreth 4.57 milionë Euro.



Burimi: Open Procurement, Lista e Koncesioneve
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kontrata Koncesionit: Për projektimin, Ndërtimin, Operimin, Mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor Thumanë -Vorë- Kashar është gjurmë e re ndërtimi. Me VKM nr.360, datë 26.05.2022 është miratuar kontrata e koncesionit me shoqëri zbatuese G2 Infra sh.p.k.  Kjo kontratë ka të parashikuar një Garanci Trafiku prej 22.81 milionë Euro nëse Koncesionari nuk arrin të mbledhë të ardhurat e synuara në 8 vitet e para të operimit. Në kontratën e miratuar nuk është e përcaktuar vlera e investimit të rrugës, por vlera e ofertës fituese është 225,821,553 Euro pa TVSH. Megjithëse tenderim ky kontraktim filloi si një propozim i pakërkuar i miratuar me pikë bonus në vitit 2018. Sipas të dhënave në kontratën e miratuar, ndërtimi  i rrugës do të bëhet me fondet e Koncesionarit ndërsa  në fazën e operimit, koncesionari do të përfitojë të ardhura nga tarifat e përdoruesve të rrugës. Në total gjatë viteve të operimit, shoqëria do të mbledhë rreth 1.3 miliardë Euro nga të ardhurat bazë. Nëse në 8 vitet e para të operimit koncesionari përballet me rënie të nivelit të të Ardhurave Bazë që përfiton nga tarifa e përdoruesve të rrugës, atëherë shteti do të bëjë pagesa për mbulimin e këtij deficiti të të ardhurave. Kjo quhet ndryshe Garancia e Trafikut. Për tetë vitet e para të operimit shteti ka planifikuar një Garanci në total prej 22.81 milionë Euro.



Burimi: Open Procurement, Lista e Koncesioneve
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kohëzgjatja e kësaj kontrate është 35 vjet, ku dy vitet e para janë periudha e ndërtimit, dhe 33 vitet e tjera janë periudha e operimit dhe mirëmbajtjes, periudhë gjatë të cilës Koncesionari do të arkëtojë tarifë nga përdoruesit e rrugës  prej 2.1 Euro pa TVSH për automjet (sipas nenit 73.1), e përshtatur sipas rastit në varësi të klasifikimit të automjeteve. Në varësi të klasës së automjetit, përllogaritet edhe taksimi i automjeteve me koefiçentin e klasës/tarifës. Duke nisur nga viti i dytë i operimit, kjo tarifë do të indeksohet me normë inflacioni çdo vit. Gjithashtu, shoqërisë i lejohet të përdorë Rrugën për të nxjerrë të ardhura shtesë, përveç të ardhurave nga tarifa (Neni 78). Këto të ardhura do të ndahen në mënyrë të barabartë mes shoqërisë koncesionare dhe Autoritetit Kontraktor, pas zbritjes së Shpenzimeve të lidhura me realizimin e të ardhurave shtesë.

Afatet e përdorimit të Rrugëve janë rreth 35 vjet dhe garancitë parashikojnë risk për kthim investimi që mbahet nga Taksapaguesit. PPP për Milot Fier janë realizuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Raporti Arkëtime te Koncesionarit kundrejt Vlerë Investimi fillestar PPP për Segmentet e rrugës Milot Fier shfaq një situatë ku Koncesionarët parashikohet në 35 vite të arkëtojnë deri 564% të vlerës së Investimit Fillestar dhe kjo me një fluks lëvizjesh të parallogaritur. Në çdo rast kompania koncesionare ka Garanci që nëse nuk arkëton sipas parashikimeve paguhet me para të buxhetit të shtetit.



Burimi: Open Procurement, Lista e Koncesioneve
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat për këtë Artikull janë të dhëna nga Dokumentet Standarde të Tenderit që mund ti aksesoni në OpenProcurement.al dhe OpenCorporates.al për secilin prej projekteve. Open Data ka publikuar të dhëna dhe informacione mbi Kontratat Koncesionare/PPP në sektorin e transportit rrugor (klikoni këtu).

Shkarko excel: Rruga Kocesionare Milot – Fier Projekti me Partneritet Publik Privat, Korridori Rrugor Adriatiko Jonian AIC
Komente dhe Analiza : Open Data Albania