Open Data Albania po evidenton të dhëna mbi vlerat kontraktore dhe vlerat e investimit të Kontratave të Koncesionit PPP të miratuara në Sektorin e Shëndetësisë për periudhën 2015-2022.

Aktualisht janë në zbatim 4 kontrata koncesioni PPP në Sektorin e Shëndetësisë, të cilat janë me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Buxheti i Shtetit. Vlera e plotë e kontratave me Koncesion PPP në Shëndetësi është rreth 45.5 miliardë Lekë. Për periudhën 2015 deri në 2021 janë realizuar pagesa nga Shteti në vlerën rreth 17.3 miliardë Lekë, ndërsa për vitet e ardhshme  vlera që mbetet në total për tu paguar është rreth  28.2 miliardë Lekë, në rastet kur nuk ka ndryshime në parashikimet e bëra.



Burimi: Open Corporates.al , MFE Relacion ProjektBuxheti 2022 , MFE Raporti i Zbatimit të Buxhetit Vjetor 2021, Kuadri Makroekonomik Fiskal, 2023-2025 (VKM nr.19, datë 13.01.2022), ATRAKO (2022)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Raporti Vlerë Investimi ndaj Total buxhetim Shtetëror për kontratat PPP është rreth 9%. Një raport i ulët ky që qartëson një normë kthim investimi apo fitimi të lartë.



Burimi: Open Corporates.al , MFE Relacion ProjektBuxheti 2022 , MFE Raporti i Zbatimit të Buxhetit Vjetor 2021, Kuadri Makroekonomik Fiskal, 2023-2025 (VKM nr.19, datë 13.01.2022), ATRAKO (2022)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kontratat Koncesionare PPP në Shëndetësi me Autoritet Kontraktues Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë si mëposhtë:

Kontrata e Koncesionit PPP Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 35-70 vjeç me shoqëri zbatuese  3P Life Logistic sh.p.k. Vlera e Investimit për këtë Kontratë është  172 020 000 Lekë pa TVSH, ndërsa vlera e plotë e Kontratës që përfshin pagesat e buxhetit nga shteti është 8 760 826 000 Lekë.

Kontrata PPP Për ofrimin e shërbimit të hemodializës me shoqëri zbatuese DiaVita sh.p.k. Kontrata ka vlerë Investimi 1 178 355 000 Lekë pa TVSH, ndërsa vlera e plotë e Kontratës që përfshin pagesat nga buxheti fonde publike buxhetore është 7 221 364 000 Lekë.

Kontrata e Koncesionit PPP Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikal, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale me shoqëri zbatuese Sani Service sh.p.k. Kjo kontratë ka vlerë investimi 1 503 282 000 Lekë pa TVSH, e ndërsa vlera e plotë e pagesave buxhetore është 16 500 000 000 Lekë.

Kontrata e koncesionit PPP Për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësore me shoqëri zbatimi Laboratory Networks sh.p.k. Vlera e investimit është 1 442 824 000 Lekë pa TVSH ndërsa vlera e plotë e kontratës sipas Relacionit Projekt Buxhetit 2020 është  13 005 966 000 Lekë.



Burimi: Open Corporates.al , MFE Relacion ProjektBuxheti 2022 , MFE Raporti i Zbatimit të Buxhetit Vjetor 2021, Kuadri Makroekonomik Fiskal, 2023-2025 (VKM nr.19, datë 13.01.2022), ATRAKO (2022)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Për vitin 2021, nga Buxheti i Shtetit janë paguar rreth 3.64 miliardë Lekë për Kontratat e Koncesionit PPP në sektorin e Shëndetësisë, duke zënë kështu rreth 31.7% të pagesave totale buxhetore faktike për Kontratat e Koncesionit/PPP, me një rritje prej 7 pikë përqindje krahasuar me vitin 2020.  



Burimi: Open Corporates.al , MFE Relacion ProjektBuxheti 2022 , MFE Raporti i Zbatimit të Buxhetit Vjetor 2021, Kuadri Makroekonomik Fiskal, 2023-2025 (VKM nr.19, datë 13.01.2022), ATRAKO (2022)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Për vitin 2022 janë planifikuar të paguhen nga Buxheti i Shtetit rreth 13.8 miliardë Lekë për të gjitha kontratat Koncesion PPP me mbështetje nga Buxheti i Shtetit, prej të cilave rreth 4.75 miliardë do të paguhen vetëm për PPP në Shëndetësi, që përbëjnë rreth 34.4% të planifikimit vjetor.

Më poshtë janë të paraqitura në mënyrë më të detajuar informacione mbi  zbatimin e këtyre koncesioneve PPP dhe mbështetja financiare nga Buxheti Shtetit:

Kontrata e Koncesionit PPP më  e hershme në Sektorin e Shëndetësisë është ajo Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 35-70 vjeç apo siç njihet ndryshe Check Up me shoqëri zbatuese  3P Life Logistic sh.p.k, e lidhur në date 07.01.2015 dhe me kohëzgjatje 10 vite. Objekti i kësaj kontrate koncesioni PPP është ofrimi  i paketës së shërbimeve të  kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 35-70 vjeç.

Sipas të dhënave të publikuara në OpenCorporates.al vlera e investimit është 172 milionë Lekë pa TVSH, ndërkohë vlera e plotë e kontratës sipas Relacionit të Projekt-Buxhetit 2020 është  8,76 miliardë Lekë, vlerë e cila përfaqëson totalin e pagesave buxhetore që Shteti do i kryejë koncesionarit për 10 vite në total (pra rreth 876 milionë Lekë në vit).

Për periudhën 2015-2021 për PPP e Kontrollit shëndetësor të detyrueshëm janë paguar rreth 4.30 miliardë Lekë nga Buxheti i Shtetit. Për vitin 2020 dhe 2021, pagesat nuk janë kryer të plota për shkak të pezullimit të operimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Çmimi i shërbimit të ofruar është 1,357 Lekë pa TVSH për një kontroll të ofruar. Sipas Raportit të Ministrisë së Financave 2021, shteti mban përsipër riskun e kërkesës  duke garantuar mbështetje financiare për Koncesionarin deri në 475,000 kontrolle në vit. Pra edhe nëse numri i kontrolleve është më i vogël se  475,000 përsëri nga Buxheti i Shtetit do të sigurohen të ardhurat për këtë nivel. Për këtë kontratë, mbeten për tu paguar nga Buxheti i Shtetit rreth 4.46 miliardë Lekë të tjera.



Burimi: Open Corporates.al , MFE Relacion ProjektBuxheti 2022 , MFE Raporti i Zbatimit të Buxhetit Vjetor 2021, Kuadri Makroekonomik Fiskal, 2023-2025 (VKM nr.19, datë 13.01.2022), ATRAKO (2022)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Një tjetër PPP në sektorin e Shëndetësisë është Kontrata e Koncesionit PPP Për ofrimin e shërbimit të hemodializës me shoqëri zbatuese DiaVita sh.p.k, të lidhur në datë 10.02.2016 dhe me kohëzgjatje 10 vite. Objekti i kësaj kontrate koncesioni/PPP është ofrimi nga ana e shoqërisë koncesionare i të gjitha mjeteve, pajisjeve dhe materialeve mjekësore dhe jo-mjekësore për ofrimin e shërbimit të hemodializës pranë spitaleve rajonale Shkodër, Lezhë, Elbasan, Vlorë, Korçë; rehabilitimi i hapsirave ekzistuese dhe ndërtimi i hapsirave të reja; pajisja me poste për kryerjen e hemodializës në të pesë qendrat e sipërmendura, si dhe me pajisje laboratorike për testet mujore laboratorike. Vlera e investimit e parashikuar për këtë kontratë është 8.5 milionë Euro. Ndërkohë vlera e plotë e kontratës është 7,22 miliardë Lekë  e cila nënkupton totalin e pagesave buxhetore që Shteti do bëjë kundrejt Koncesionarit për 10 vite.  Sipas të dhënave, çmimi i shërbimit është 11,203 Lekë pa TVSH. Për këtë koncesion PPP nga për periudhën 2016-2021 janë likujduar nga Buxheti i Shtetit rreth 3.97 miliardë Lekë, ndërsa mbeten për tu likujduar për vitet e mbetura rreth 3.24 miliardë Lekë.

Një tjetër kontratë koncesioni PPP në Shëndetësi është kontrata Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikal, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale me shoqëri zbatuese Sani Service sh.p.k, lidhur në datë 10.12.2015 me kohëzgjatje prej 10 vitesh. Objekti i kësaj kontrate koncesioni është menaxhimi i qendrës së sterilizimit, ofrimi i instrumenteve kirurgjikale sterile sipas setit të personalizuar, veshjet në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve mjekësore me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale në të gjitha spitalet universitare, rajonale dhe spitalet bashkiake. Vlera  e investimit së këtij koncesioni është rreth 1.5 miliardë Lekë.

Ky projekt financohet tërësisht nga Buxheti i Shtetit sipas metodës ‘pay per use’ në varësi të numrit të pacientëve të cilët do të duhet të  marrin shërbimin, e planifikuar në vlerën 16.5 miliardë Lekë sipas Relacionit të Buxhetit 2020. Pagesa për shërbimet e koncesionarit do të kryhet nga buxheti i shtetit nëpërmjet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Për vitin  2017-2021 janë likujduar rreth 7.88 miliardë Lekë nga Buxheti i Shtetit, ndërkohë mbeten për tu paguar rreth 8.62 miliardë Lekë.

Ndërsa kontrata PPP Për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësore me shoqëri zbatimi Laboratory Networks sh.p.k është nënshkruar në datë 10.04.2019, me kohëzgjatje prej 10 vitesh dhe vlerë investimit 1.4 miliardë Lekë pa TVSH.  Objekti i kësaj kontrate koncesioni është ofrimi i shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale, dhe atyre bashkiake.  Koncesionari do të ofrojë në total 146 analiza, 66 analiza në Laboratorët e Urgjencës  dhe rreth 80 analiza në Laboratorët Rajonalë. Pagesat Totale Buxhetore që Shteti do të kryejë kundrejt Koncesionarit gjatë gjithë kohëzgjatjes janë rreth 13 miliardë Lekë. Për periudhën 2020-2021 janë likujduar në total 1.13 miliardë Lekë, dhe mbeten për tu likujduar nga paratë e taksapaguesve rreth 11.86 miliardë Lekë. Mbi procedurën e realizimit dhe përzgjedhjes së Subjektit kontraktor në PPP, organizata AIS ka publikuar edhe një Rast Studimor ku vlerëson se ka parregullsi sa i takon zbatimit të procedurave ligjore nga Autoriteti Kontraktues në hartimin e studimit të fizibilitetit, përzgjedhjen e modelit, hartimin e kritereve të kualifikimit dhe konkurueshmërisë përmes kontrollit të integritetit të Kontraktorit Publik. Rasti Studimor është publikuar në faqen web të AIS në vitin 2020.

Sa i përket Juridiksionit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve, të gjitha kontratat e koncesionit janë me juridiksion të huaj në Paris, vetëm kontrata e Koncesionit PPP  Për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësore  parashikon si juridiksion Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë ICC me seli në Tiranë.



Burimi: Kontratat e Koncesionit
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat për këtë Artikull janë të dhëna zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Raportit të Buxhetit Faktik 2021, pasaporta të shoqërive koncesionare nga OpenCorporates.al etj.

Kontrata Koncesionare dhe PPP, në fuqi, të dhëna dhe Dokumente mbi Kompanitë e Regjistruara për Zbatimin e Tyre, janë të publikuara në një format lehtësisht të aksesueshëm dhe të mirë strukturuar në Databazën Regjistri Koncesionar portali OpenCorporates.al. Për më shumë informacion në lidhje me llogaritjet referojuni Excelit më poshtë. Të tjera databaza të Organizatës AIS, janë  OpenProcurement.al dhe OpenSpending.al

Shkarko excel: Shëndetësi, Vlera Investimi dhe Pagesa Buxhetore për Kontrata Partneritet Publik Privat
Komente dhe Analiza : Open Data Albania