Open Data Albania po evidenton vlera investimi dhe vlerë mbështetje buxhetore për Kontrata Partneritet Publik e Privat në ndërtim të Infrastrukturës dhe Veprave Rrugë Nacionale dhe që kanë dhe mbështetje Buxhetore Shtetërore.Janë 6 kontrata koncesioni në këtë sektor vepra publike Infrastrukturë Rrugore Kombëtare. Pesë prej tyre kanë mbështetje të drejtpërdrejtë nga Buxheti i Shtetit dhe një tjetër është me Garanci Trafiku po shtetërore. Vlera e Plotë e Kontratave PPP Infrastrukturë Rugore, sipas Relacionit të Projekt Buxhetit 2020 me TVSH, është 100.29 miliardë lekë. Nga viti 2015 deri Prill 2022 janë bërë pagesa në vlerën 19.98 miliardë lekë dhe Pagesa Buxhetore të  Planifikuara për këto 5 kontrata në vitet që vijnë janë 80.30 miliardë lekë.

Shoqëritë dhe Kontratat Infrastrukturë dhe Vepra Rrugë Nacionale me Partneritet Publik e Privat dhe mbështetje Buxhetore Shtetërore. Konkretisht bëhet fjalë për Kontratat e Koncesionit si vijon:

  • Për dhënien me koncesion PPP të përmirësimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së rrugës së Arbrit me shoqëri zbatuese Gjoka 87 sh.p.k.
  • Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë me shoqëri zbatuese Albanian Highway Concession sh.p.k
  • Projektim-Ndërtim-Financim dhe Mirëmbajtje e segmentit rrugor Milot Balldren me shoqëri zbatuese Bardh Konstruksion sh.p.k.
  • Projektim – Ndertim – Financim dhe Mirëmbajtje e segmentit rrugor Porti i jahteve-Orikum-Dukat shoqëri zbatuese Rruga Llogara Orikum sh.p.k
  • Ndërtimi, Operimi dhe Transferimi (BOT) HEC mbi lumin Devoll, rimbursimi i ndërtimit të rrugëve zëvendësuese me shoqëri zbatuese Devoll Hydropower sh.p.k
  • Për projektimin, Ndërtimin, Operimin, Mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor Thumanë Vorë Kashar me shoqëri zbatuese G2 Infra sh.p.k

Prej vitit 2015 janë paguar  19.98 miliardë Lekë nga Buxheti i Shtetit për ndërtimin e rrugëve me Koncesion PPP. Për vitin 2021, sipas të dhënave në Open Spending Albania rezulton se mbështetja financiare nga Buxheti i Shtetit për PPP Infrastrukturë Rrugë shënon vlerën 4.23 miliardë Lekë, apo rreth 36.8% e pagesave buxhetore të realizuara në total për të gjitha kontratat e koncesionit me mbështetje buxhetore (13 të tilla).



Burimi: Open Corporates.al, Ministria e Financave dhe Ekonomisë Relacion ProjektBuxheti 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë Raporti i Zbatimit Vjetor 2021, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Kuadri Makroekonomik dhe Fiskal 2020-2022
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Sa i përket planifikimeve vjetore, për vitin 2022 janë parashikuar të paguhen rreth 13.8 miliardë Lekë për të gjitha koncesionet me mbështetje buxhetore, prej të cilave rreth 4.1 miliardë Lekë do të paguhen vetëm Rrugët me Koncesion PPP, që përbëjnë rreth 30.1% të Buxhetit të planifikuar për Koncesione PPP.



Tabela: Vlera Investim, Kontratë dhe Buxhetim për Koncesione PPP në sektorin e Transportit, Infrastrukturë Rrugore , me mbështetje buxhetore, 2015-2022, në Lekë
Burimi: ODA
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Ministria e Financave Raporti i Zbatimit të Buxhetit
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në raport me totalin e investimeve publike, mbështetja buxhetore për Kontratat Koncesione PPP për ndërtimin e Rrugëve dhe Veprave Nacionale ka shënuar rritje në vitin 2020 dhe 2021, kjo peshë është rreth 3.2% e totalit të investimeve publike.



Burimi: Ministria e Financave Raporti i Zbatimit të Buxhetit
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kontrata me peshën më të madhe në pagesat buxhetore në këtë sektor është Kontrata e Ndërtimit, Operimit dhe Mirëmbajtjes së Rrugës së Arbrit me shoqëri zbatimi Gjoka 87 sh.p.k. Kjo kontratë ka si objekt projektimin, përmirësimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit për një periudhë prej 13 vite. Shteti do të paguajë gjatë gjithë kohëzgjatjes për realizimin e saj, vlerën e plotë të kontratës prej 40.3 miliardë Lekë. Që prej vitit 2019 deri në Prill 2022, për këtë koncesion janë likujduar rreth 10.4 miliardë Lekë nga Buxheti i Shtetit, apo rreth 52% të totalit të pagesave buxhetore të realizuara ndër vite për koncesionet PPP në sektorin e transportit rrugor. Në vitet në vijim shtetit i mbeten për të paguar ndaj Koncesionarit edhe 29.9 miliardë Lekë të tjera. Në Relacionin e Buxhetit për vitin 2022, në ‘Listën e Koncesioneve Aktive dhe të Planifikuara’ për këtë koncesion është paraqitur një tjetër vlerë kontrate nga ana e Qeverisë. Më konkretisht bëhet fjalë për vlerën 58.1 miliardë Lekë, rreth 17.86 miliardë më shumë se vlera e plotë e kontratës e deklaruar më parë. Në këtë relacion nuk jepen arsye se pse është ndryshuar vlera e kontratës së koncesionit nga vlerat e mëparshme të deklaruara.



Tabela: Vlera sipas Kontratave për Infrastrukturë Rrugore me PPP
Burimi:Ministria e Financave Raporti i Zbatimit të Buxhetit
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Një tjetër kontratë e cila zë një peshë të konsiderueshme në pagesat buxhetore që bën shteti është kontrata e koncesionit PPP Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë, me shoqëri zbatuese  Albanian Highway Concession sh.p.k.

Kjo kontratë koncesioni PPP është lidhur në dhjetor 2016 dhe ka kohëzgjatje 30 vjet. Vlera e plotë e kontratës që nënkupton vlerë investimi dhe pagesa buxhetore nga Shteti është 9.9 miliardë Lekë. Deri në muajin Prill 2022, për këtë koncesion janë likuiduar 2.86 miliardë Lekë. Realizimi i të ardhurave nga koncesionari bëhet si rezultat i mbledhjes së tarifës për kalim nga përdoruesit e rrugës, si dhe nëpërmjet subvencionimit nga buxheti i shtetit për ndërtimin e veprave të artit të përcaktuara në kontratë. Gjithashtu, në këtë kontratë parashikohet garantimi nga ana e Autoritetit Kontraktues i pragut  të të ardhurave nga trafiku, si dhe ndarjen në raportin 50 me 50 në rast të tejkalimit të këtij pragu. Për këtë kontratë mbeten në total për tu paguar rreth 7.08 miliardë Lekë të tjera nga Buxheti i Shtetit.



Burimi: Ministria e Financave Raporti i Zbatimit të Buxhetit
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Dy kontrata të tjera në këtë sektor të cilat janë në fazën e ndërtimit janë Ndërtimi i Segmentit Rrugor Milot Balldren dhe Rruga Orikum Dukat-Porti i Jahteve. Të dyja këto kontrata janë miratuar në vitin 2019, dhe kanë kohëzgjatje prej 13 vitesh. Megjithatë shteti i angazhohet Koncesionarit të Bardh Konstruksion sh.p.k  rreth 32.7 miliardë Lekë plus TVSH, dhe koncesionarit Rruga Llogara Orikum i detyrohet rreth 10.3 miliardë Lekë plus TVSH. Këto pagesa do të fillojnë ti bëhen koncesionarit pasi të kenë realizuar 25% të punimeve.

Një tjetër Kontratë Koncesioni PPP me mbështetje buxhetore në këtë sektor, ka qenë Shtesa 3 për Ndërtimin e Rrugëve Zëvendësuese për HEC Devoll. Pagesat për këtë kontratë kanë përfunduar në vitin 2019. Në total kostoja e ndërtimit të kësaj infrastrukture është 7 miliardë Lekë, e cila është financuar tërësisht nga Buxheti i Shtetit. Megjithatë nga të dhënat nga MFE-së rezulton se në total Pagesat Buxhetore të realizuara janë rreth 6.65 miliardë Lekë, dhe kanë mbetur pa likujduar 342,7 milion Lekë.

Së fundmi, me VKM nr. 360, datë 26.05.2022 është miratuar kontrata e koncesionit “Për projektimin, Ndërtimin, Operimin, Mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor “Thumanë- Vorë – Kashar”  me shoqëri zbatuese G2 Infra sh.p.k, e cila ka si objekt Projektimin, financimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, operimin (përfshirë por pa u kufizuar të drejtat ekskluzive të Shoqërisë Koncesionare për të përfituar pagesë nga Përdoruesit e Rrugës dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor “Thumane -Vorë- Kashar”), si dhe transferimin në përfundim të Kontratës tek Autoriteti Kontraktues.

Kjo kontratë nuk është me mbështetje buxhetore, por ka të parashikuar një Garanci Trafiku prej 22.81 milionë Euro nëse Koncesionari nuk arrin të mbledhë të ardhurat e synuara në 8 vitet e para të operimit. Në kontratën e miratuar nuk është e përcaktuar vlera e investimit të rrugës. Të dhëna të tjera në lidhje me koston e rrugës janë të paraqitura në Studimin e Fizibilitetit i cili nuk është i publikuar.

Sipas të dhënave në kontratën e miratuar, ndërtimi  i rrugës do të bëhet me fondet e Koncesionarit ndërsa  në fazën e operimit, koncesionari do të përfitojë të ardhura nga tarifat e përdoruesve të rrugës. Në total gjatë viteve të operimit, shoqëria do të mbledhë rreth 1.3 miliardë Euro nga të ardhurat bazë. Nëse në 8 vitet e para të operimit koncesionari përballet me rënie të nivelit të të Ardhurave Bazë që përfiton nga tarifa e përdoruesve të rrugës, atëherë shteti do të bëjë pagesa për mbulimin e këtij deficiti të të ardhurave (të quajtur ndryshe Garancia e Trafikut). Për shembull, nëse koncesionari arrin të arkëtojë më pak se 26.85 milionë Euro vitin e parë të operimit, atëherë shteti duhet ta financojë me 8 milionë Euro. Për tetë vitet e para të operimit shteti ka planifikuar një Garanci në total prej 22.81 milionë Euro.



Tabela: Realizimi i të Ardhurave të Koncesionarit gjatë kohëzgjatjes së kontratës (në milionë Euro)
Burimi: Kontrata e Koncesionit/PPP “Për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor Thumanë-Vorë -Kashar, miratuar me VKM nr.360, datë 26.05.2022
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Kontrata e Koncesionit/PPP “Për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor Thumanë-Vorë -Kashar, miratuar me VKM nr.360, datë 26.05.2022
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kohëzgjatja e kësaj kontrate është 35 vjet, ku dy vitet e para janë periudha e ndërtimit, dhe 33 vitet e tjera janë periudha e operimit dhe mirëmbajtjes, periudhë gjatë të cilës Koncesionari do të arkëtojë tarifë nga përdoruesit e rrugës  prej 2.1 Euro pa TVSH për automjet (sipas nenit 73.1), e përshtatur sipas rastit në varësi të klasifikimit të automjeteve. Në varësi të klasës së automjetit, përllogaritet edhe taksimi i automjeteve me koeficientin e klasës tarifës si më poshtë: Triçikël me cilindra më të madh se 250 cc:   0.70 Euro; Automjete të lehta:  1.00 Euro; Kamionë, autobusë dhe automjete të tjera më me pak se 4 akse: 2.50 Euro; Kamionë dhe automjete të tjera me 4 ose më shumë akse: 3.50 Euro. Duke nisur nga viti i dytë i operimit, kjo tarifë do të indeksohet me normë inflacioni çdo vit.

Gjithashtu, shoqërisë i lejohet të përdorë Rrugën për të nxjerrë të ardhura shtesë, përveç të ardhurave nga tarifa (Neni 78). Këto të ardhura do të ndahen në mënyrë të barabartë mes shoqërisë koncesionare dhe Autoritetit Kontraktor, pas zbritjes së Shpenzimeve të lidhura me realizimin e të ardhurave shtesë.

Juridiksion. Sa i përket Juridiksionit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve, të gjitha kontratat e koncesionit janë me juridiksion të huaj. Konkretisht Kontrata e Koncesionit të Rruga Milot Balldren; Rruga Porti i jahteve Orikum-Dukat dhe Rrugë zëvendësuese HEC Devoll parashikojnë Juridiksion të Huaj, konkretisht Gjykatën e Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), Paris. Ndërsa Kontrata e Koncesionit  Rruga e Arbrit dhe Autostrada Milot Morinë  kanë si juridiksion Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Vienë si dhe Aksi Rrugor Thumanë Vorë Kashar ka juridiksion Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris.

Të dhënat për këtë Artikull janë të dhëna zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Relacioni i Buxhetit 2019, 2020, 2021, 2022, si dhe Raportit të Buxhetit Faktik 2021, përcjellë për miratim në Kuvend.

Kontrata Koncesionare dhe PPP, në fuqi, të dhëna dhe Dokumente mbi Kompanitë e Regjistruara për Zbatimin e Tyre, janë të publikuara në një format lehtësisht të aksesueshëm dhe të mirë strukturuar në Databazën Regjistri Koncesionar portali OpenCorporates.al

Shkarko excel: Infrastrukturë dhe Vepra Rrugë Nacionale në Partneritet Publik e Privat dhe mbështetje Buxhetore Shtetërore
Komente dhe Analiza : Open Data Albania