Open Data po përditëson të dhënat e prodhimit neto vendas të Energjisë Elektrike, nga Prodhues Publik, Privatë dhe Koncesionare për vitin 2023 dhe periudhën Janar-Mars 2024. Të dhënat janë marrë nga Raportet e Tregut të Energjisë Elektrike të Entit Rregullator i Energjisë (ERE) dhe Instituti i Statistikave.
Prodhimi vendas i energjisë elektrike realizohet nga Shoqëritë me kapital shtetëror KESH sh.a. dhe Lanabregas sh.a., të cilat janë shoqëri me 100% të aksioneve shtetërore, si dhe nga subjektet e tjera private dhe Koncesionare prodhues të Energjisë Elektrike.
Viti 2023 konsiderohet si një vit i mirë hidrologjik nga pikëpamja e prodhimit të energjisë elektrike. Për këtë vit janë prodhuar në total 8,795,634 MWh energji elektrike në Shqipëri, apo rreth 25.6% më shumë se viti 2022 (vit në të cilin në total u prodhuan 7,002,646 MWh).
Krahasuar me prodhimin mesatar të energjisë elektrike për periudhën 2015-2023, gjatë këtij viti janë prodhuar 1,977,783 MWh më shumë se mesatarja, gjë që e bën 2023 të konsiderohet vit i mirë hidrologjik, përsa kohë që vendi ynë e bazon prodhimin e energjisë elektrike në burimet hidrike.
Burimi: Instituti i Statistikave (INSTAT, 2021), “Energjia: Bilanci i Energjisë Elektrike”;
ERE, Raport Vjetor 2020
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Rreth 58.3% e energjisë në total është prodhim neto nga HEC-et në zotërim të kompanisë publike të KESH sh.a (HEC Fierzë, HEC Koman dhe HEC Vau Dejës).
Ndërsa sasia prej 3,583,282 MWh apo 40.7% është prodhuar nga HEC-et private dhe Koncesionare, dhe vetëm 0.9% e energjisë elektrike është prodhuar nga centralë fotovoltaikë në vend (rreth 80,876 MWh).
Burimi: ERE (2024), Raporti 2024
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Niveli më i lartë i prodhimit është shënuar në muajin Janar 2023, me rreth 1,099,611 MWh, ndërsa sasia më e ulët e prodhuar e energjisë elektrike është shënuar në muajin Tetor prej 482,419 MWh.
Burimi: ERE (2024), Raporti 2024
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Peshën kryesore në totalin e energjisë së prodhuar e zë prodhimi i realizuar nga hidrocentralet publike Fierzë, Koman dhe Vau Dejës, me rreth 58.3% të totalit.
Burimi: ERE(2022), Raporti 8-mujor
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Ndërsa hidrocentralet private dhe me koncesion zënë rreth 40.7% të totalit të prodhuar ku HEC Ulëz, Shkopet, Bistrica 1,2 zënë rreth 4.17% të totalit, ndjekur nga HEC Moglica që zë rreth 3.45% të prodhimit vendas të energjisë elektrike, HEC Ashta me rreth 3.27% të totalit dhe HEC Fangu me rreth 2.84% të energjisë totale të prodhuar.
Sipas Subjekteve, shoqëria më e madhe prodhuese në vend është KESH sh.a. me kapital 100% shtetëror, e cila për vitin 2023 sasinë më të madhe të prodhimit e ka siguruar nga HEC-i i Komanit, HEC-i i Fierzës dhe ai i Vaut të Dejës, përkatësisht sasinë prej 5,131,482 MWh.
Burimi: ERE(2022), Raporti 8-mujor
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Ndërsa në sektorin privat, sasia më e madhe e prodhuar e energjisë elektrike është nga shoqëria Koncesionare Devoll Hydropower sh.a me 480,546 MWh energji elektrike e prodhuar. Shoqëria Devoll Hydropower operon hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës, Kontrata Koncesionare është nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në 2008 për një periudhë 30-vjeçare, po ka pësuar ndryshime dhe shtesa në vitet 2010, 2013, 2014.
Kurum International sha është shoqëri që prodhon energji si zotëruese e katër Hidrocentraleve Ulza, Shkopeti, Bistrica 1 dhe 2. Gjatë vitit 2023 kjo shoqëri ka siguruar prodhim të energjisë elektrike prej 366,977 MWh.
Një tjetër shoqëri koncesionare që renditet ndër 10 shoqëritë me prodhimin MW të lartë të energjisë elektrike është Ayen As Energji sha e cila operon HEC Peshqesh dhe HEC Fangu. Prodhimi total i këtyre dy hidrocentraleve për 2023 është 353,081 MWh.
Energji Ashta sh.p.k është një tjetër shoqëri me rëndësi sa i përket prodhimit hidrik në vend, e cila ka prodhuar 287,627 MWh në vitin 2023. Kjo shoqëri zbaton koncesionin me objekt Ndërtim, Pronësi, Shfrytëzim dhe Transferim të Hidrocentralit të Ashtës.
Periudha Janar-Mars 2024, karakterizohet nga një rënie me 11% të energjisë elektrike të prodhuar krahasuar me tremujorin e vitit 2023. Në total janë prodhuar 2,477,890 MWh energji elektrike nga të gjithë prodhuesit vendas, ku nga KESH sh.a është prodhuar rreth 49% e sasisë totale të energjisë në vend. Ndërsa 50% e sasisë totale është prodhuar nga HEC private dhe Koncesionare dhe 1% nga centralët fotovoltaikë.
Burimi: ERE(2024), Raporti 2024
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Për më shumë informacion referojuni figurës së mëposhtme që paraqet 10 prodhuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike në vend.
Burimi: ERE(2024), Raporti 2024
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Llogaritje më të detajuara të këtij Artikulli i gjeni në Excel-in mëposhtëm. Të dhëna mbi Bizneset Prodhuese mund të gjeni në databazën OpenCorporatesAlbania.
Shkarko excel: Prodhimi vendas i energjisë elektrike, viti 2023 dhe 3-mujori 2024Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Open Data Albania