Open Data Albania po analizon në lidhje me strukturën dhe vëllimin e aseteve të patundshme që zotërohen nga Kryebashkiak të Zgjedhur për mandat drejtues 2015-2019. Në analizë është vlerësuar edhe burimi i aseteve të patundshme sipas vetë deklarimeve në Formularin Fillestar dhe atë Vjetor.

Këta individ janë subjekte të detyrimit për deklarim periodik në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit sipas Ligjit Nr. 9049, Datë 10. 04. 2003 i përditësuar sipas ndryshimeve me ligj, titull Ligji Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe të Disa Nëpunësve Publik.

Gjithashtu kryebashkiakët janë subjekt i vetë deklarimit të Rekordeve Penale dhe Verifikimit të të Dhënave edhe sipas Ligjit Për Dekriminalizimin e Institucioneve Publike, Nëpërmjet Ndalimit të Ushtrimit, Zgjedhjes apo Emërtimit në Funksione Publike të Personave me Rekorde Kriminale. Këto të dhëna janë vlerësuar sipas Deklarimit Fillestar të Pasurisë dhe Shtesave në Deklarimin në Vite. Të shprehura sipas deklarimit të dhënat janë të publikuara në rubrikën Para dhe Pushtet të portalit Spending Data Albania.

Vlerësimi dhe analiza në këtë artikull tentojnë të bëjnë evidentim dhe kategorizim sipas llojit të pasurisë, burimit të saj, numrit të pronave dhe vlerave të pronave të patundshme nën zotërim. Në realizimin e vlerësimit dhe kategorizimit sipas vlerave janë hasur vështirësi që përkojnë me: mos specifikim të burimit nga deklaruesi; vlera të panjësuara me tregun për prona të privatizuara apo të fituara vite më parë; mos specifikim i një vlerë të saktë për toka bujqësore dhe prona të përfituara me legalizim.

Analiza e Open Data Albania mbi asete Pasurore të Patundshme nën pronësi apo zotërim të Kryebashkiakëve si individ dhe personave të familjes apo të regjimit të tyre pasurorë, ka strukturuar llojet e pasurive në:  Banesa; Troje, Sipërfaqe Ndërtimi; Toka Bujqësore Kullota dhe Pyje; Ambiente shërbimi si Dyqane Zyra dhe Parking; dhe të tjera.

Nga 61 Kryebashkiak të Zgjedhur për mandat drejtues 2015 – 2019, në analizë janë marrë 46 kryebashkiak me deklarime të plota nga viti i parë i marrjes së një mandati deri në vitin 2015. Për këta kryebashkiak për të cilët kemi deklarim fillestar dhe ndër vite, rezultojnë nën zotërim së bashku me anëtarë të familjes në total një numër prej 317 prona të patundshme në pronësi. Mesatarja e pronave për çdo kryebashkiak është 7.

Janë konsideruar prona të veçanta ndërtimet ku është specifikuar i veçantë objekti ndërtimor dhe trualli. Nga këto 317 prona 141 rezultojnë të jenë Banesa; 50 Troje; 46 Toka Bujqësore Kullota dhe Pyje; 72 Ambiente Shërbimi si Dyqane, Zyra dhe Parkingje. Këto prona të patundshme janë të deklaruara që ndodhen në territorin e vendit, dhe vetëm për një rast kryebashkiaku i Cërrikut zoti Altin Toska ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 85 metra katror, një garazh me sipërfaqe 25 metra katror dhe një kantinë me sipërfaqe 8 metër katror në Brescia, Itali.

Kryebashkiak 2015-2019, Pasuri të Patundshme nën Zotërim apo Pronësi Individi dhe Regjimi Martesor, Deklarata 2015.


Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Janë 2 kryebashkiakët që deklarojnë që nuk kanë asnjë pronë të patundshme nën zotërim apo pronësi. Numri i kryebashkiakëve që kanë 0 deri 3 prona të patundshme është 15, me 4 ose 5 prona të patundshme rezultojnë 14, me 6 deri 10 prona të patundshme 9 kryebashkiake. Sipas kësaj analize të Open Data Albania, rezulton se 6 kryebashkiak kanë më shumë se 10 prona të patundshme nën zotërim dhe pronësi individuale, familjare apo të regjimit martesor. Këta kryebashkiak janë Basir ÇUPA, Bashkia Klos; Eduart KAPRI, Bashkia Pogradec; Fiqiri ISMAILI, Bashkia Vorë; Gjon GJONAJ, Bashkia Pukë; Majlinda BUFI, Bashkia Roskovec dhe Tonin MARINAJ, Bashkia Malësi e Madhe.


Komente dhe Analiza: Open Data Albania


Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në lidhje me vlerat monetare të këtyre pronave, nuk mund të përllogariten me saktësi sa kohë që këto prona kanë kryesisht specifikime vlere sipas çmimeve të tregut në vite të ndryshme. Vlerat janë vetë deklaruar sipas proceseve të legalizimeve, momentit të privatizimeve apo blerjeve të hershme. Deklarimi i pasurisë nuk detyron palët të bëjnë deklarime sipas çmimeve të referencës për sipërfaqe ndërtimi apo terreni në pronësi.

Kjo praktikë në kushte të një tregu me shumë dinamikë në vitet e fundit, bën të pamundur një vlerësim real. Duke konsideruar vlerat e vetë deklarimit rezulton se 25 Kryebashkiak vetë deklarojnë për pronësi me vlerë nën 50 mijë euro, 10 kryebashkiak vetë deklarojnë se zotërojnë 50 deri 100 mijë euro prona, dhe janë 11 Kryebashkiakët që zotërojnë prona me vlerë mbi 100 mijë euro.

Kategorizimi sipas vlerave të Pasurive të Patundshme të Kryebashkiakëve dhe Personave të Familjes. Deklarata të 2015

Vlera ne (mije) euro


Komente dhe Analiza: Open Data Albania


Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Interesante paraqiten deklaratat e disa Kryebashkiakëve të cilët zotërojnë të njëkohësisht katër kategoritë e pronave Banesa; Troje Sipërfaqe Ndërtimi; Toka Bujqësore Kullota dhe Pyje; dhe Ambiente shërbimi si Dyqane Zyra dhe Parking. Kryebashkiak që zotërojnë dhe kanë në pronësi të katërta këto kategori janë: Basir ÇUPA, Fatos TUSHE, Fiqiri ISMAILI, Gjon GJONAJ, Jorgo GORO, Përparim SHAMETAJ dhe Rajmonda BALILAJ.

Në element tjetër i hulumtimit në këtë artikull Open Data Albania është edhe burimi i deklaruar i pasurisë. Autorë të artikullit kanë vlerësuar disa kategori si burimi i të ardhurave apo mënyrës së fitimit të pasurisë. Konkretisht është bërë kategorizimi në Blerje me Të Ardhura nga Puna apo Biznesi i deklaruar, zakonisht këto vërtetohen me bordero ose me pasqyra financiare; Legalizim Prone;  Privatizim; Me Çelje Trashëgimie si trashëgimi ligjore apo testament; Kredi Bankare dhe Borxhe tek të Tretë; Dhurata; Të ardhura nga Emigracioni i Ligjshëm apo Klandestin; fituar me Ligjin 7501 Për Ndarjen e Tokave Bujqësore dhe prona të fituara me Kthim dhe Kompensim të ish Pronarëve.

Analiza evidenton edhe Prona për të cilat nuk specifikohet burimi i fitimit në Deklaratën e dorëzuar pranë ILDKPKI. Kjo praktikë e parregullt është evidente në disa deklarime sipas subjekteve. Burim pasurie nga të ardhura në emigracion janë pesë kryebashkiak që vetë deklarojnë:

Struktura e Burimit të Pasurive të Patundshme Zotëruar nga Kryebashkiak dhe Familjarë të tyre sipas Deklarimit në vitin 2015



Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Deklarojnë se kanë krijuar pasuri me të ardhura nga emigracioni 5 Kryebashkiakë. Pasuri që lindin nga Trashëgimia shënohen në 7 raste kryebashkiakësh, 23 kryebashkiak deklarojnë prona nga të ardhura të siguruara me punë dhe 10 raste janë prona të fituara me privatizime. Prona për të cilat në deklaratë nuk specifikohet burimi janë 24.


Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kryebashkiakët janë të zgjedhur për drejtimin e gjashtëdhjetë e një bashkive si njësi të qeverisjes vendore. Ata kanë mandat katërvjeçarë me të drejta rizgjedhjeje. Integriteti i figurës së tyre dhe kontrolli i pasurisë apo interesave janë çështje me sensibilitet dhe rëndësi sa i takon qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies. Kjo analizë është realizuar si pjesë e aktiviteteve të projektit Money, Government and Politics, MG&P projekt që realizohet nga AIS.

Kontribuoi: Griselda Rruci