Open Data Albania po zbardh përfituesit më të mëdhenj të procedurave të konkurrimit publik Ankand ose Qiradhënie, për pasuritë shtetërore të Bashkive. Në këtë artikull evidentohen kompanitë dhe zotëruesit që kanë marrë më shumë tokë publike në përdorim kundrejt një vlere qiraje me Bashkitë.
Të dhënat janë nga Buletinet e Agjencisë së Prokurimit Publik dhe janë listuar sistematikisht për 2015 deri 2025 (dhe ongoing) në nga platformat Open Procurement Albania dhe Open Corporates Albania. Në këto dy databaza të karakterit (integrity watch) publikohet informacion dhe dokumente mbi tendera dhe kontrata publike.
Më herët, ODA ka publikuar një artikull me të dhëna të plota për tokat shtetërore të dhëna me qira sipas Bashkive.
Kompania me më shumë sipërfaqe tokë publike të marrë me qira është Delvina Solar shpk, e cila ka fituar procedurën për 1 167.26 hektarë tokë kullosore në Bashkinë Poliçan për ndërtimin e stacioneve fotovoltaike me qëllim prodhimin e energjisë. Kontrata e lidhur ka një afat 10-vjeçar dhe qira prej 21 992 060 lekësh. Sipas të dhënave të opencorporates.al, kjo kompani është në zotërim të shoqërisë “Ameri Pharmacy DOOEL” të regjistruar në Maqedoninë e Veriut, si dhe ka pronar final të deklaruar shtetasin bullgar Pavel Biserov Valnev.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Në vend të dytë renditet AlbKalustyan, shpallur fitues në katër procedura qiradhënie me sipërfaqe totale 1 008 hektarë për mbledhjen e degëve të Mërsinës, me kontrata njëvjeçare; tre procedura janë zhvilluar nga Bashkia Krujë dhe një nga Bashkia Durrës. Shoqëria është në pronësi të kompanisë shqiptare “Xherdo” shpk, me pronar Xhevit Hysenaj, dhe të shoqërisë amerikane “KAL Albania Llc” në pronësi të Errol Karakash.
“X One” sh.p.k renditet i treti për nga sipërfaqja totale e tokës publike të marrë me qira. Përmes dy procedurave të qiradhënies, kompania ka marrë në total 401 hektarë tokë publike me qira për 10 vite në Bashkinë Kolonjë, për zhvillim ekonomik në fushën e energjisë së rinovueshme. E themeluar nga Çesk Ivanaj, Ylli Ujka dhe Ilir Trebicka, për operim në fushën e turizmit, hotelerisë dhe tregtisë, në 2022 kompania zgjeroi aktivitetin e saj në fushën e ndërtimit dhe më 10 gusht 2023 regjistroi shtimin e objektit të veprimtarisë me ‘prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike nga burime alternative’. X One shpallet fitues për dy procedurat e dhënies me qira të tokës shtetërore me qëllim prodhimin e energjisë më 28 gusht dhe 30 nëntor 2023. Kompania ka fituar gjithashtu statusin “Investitor Strategjik” për projekt në sektorin agroturistik, sipas vendimit Nr. 11, datë 23.07.2024, të Komitetit të Investimeve Strategjike.
Tre kompanitë me më shumë Tokë Publike të marrë me Qira nga Bashkitë për peridudhën 2015 – 2024, së bashku kanë marrë 40.4% të totalit të tokës publike të dhënë me qira nga bashkitë gjatë këtij harku kohor.
Eco Group -Tomorrica vijon listën duke u shpallur fitues në dy procedura qiradhënieje me sipërfaqe totale prej 211 hektarësh tokë publike në Bashkinë Skrapar. Të dy kontratat janë me afat 10-vjeçar dhe kanë si qëllim zhvillimin ekonomik në fushën e energjive të rinovueshme. Themeluar në dhjetor 2023 nga Rako Paja dhe Renaldo Zaimaj, Eco Group -Tomorrica ka zgjeruar strukturën pronësore me përfshirjen e tre ortakëve të rinj: Alfred Sadikaj, Renis Tërshana dhe kompania Das Oil shpk., e cila është në pronësi Dritan Xhokaxhi.
Renditjen e pesë kompanive me më shumë pasuri publike të marra me qira e mbyll Kronos Konstruksion, fitues për procedurën e dhënies me qira të sipërfaqes prej 194.86 hektarësh fond kullosor në Bashkinë Devoll. Kontrata është me afat 10-vjeçar dhe parashikon përdorimin e tokës për zhvillim ekonomik, me destinacion ndërtim teleferiku për pasagjerë, linjë tensioni, aerogjenerator, impiante fotovoltaike, etj. Shoqëria Kronos Konstruksion, në pronësi të Vasil Jovanit, rezulton gjithashtu përfituese e granteve nga fondet IPARD, të përdorura për investime në sektorin e fruta-perimeve.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Në vend të gjashtë renditet shoqëria Kail Energy sh.p.k., shpallur fitues në dy procedura qiradhënieje me sipërfaqe totale prej 169.7 hektarësh tokë publike në pronësi të Bashkisë Kolonjë. Toka është dhënë me qira për një periudhë 10-vjeçare dhe parashikon përdorim për zhvillim ekonomik në fushën e energjive të rinovueshme. Kompania është themeluar në shkurt 2023 nga Edona Osmani.
Vijon renditjen bashkimi i operatorëve ekonomik Solar Power Albania & A.E.H.K, të cilët janë shpallur fitues në procedurën për dhënien me qira të 142 hektarëve tokë nga fondi kullosor në pronësi të Bashkisë Devoll. Sipërfaqja është dhënë për zhvillim ekonomik, me destinacion ndërtim teleferiku për pasagjerë, linjë tensioni, aerogjeneratorë dhe impiante fotovoltaike. Solar Power Albania është themeluar në qershor 2023 nga Henri Sadikaj, ndërsa A.E.H.K është krijuar në korrik 2023 dhe është në pronësi të Alfred Sadikaj.
Kompania Italdruri Elbasan, me zotërim publik – nga ortakëria ndërmjet Ministrisë së Financave dhe kompanisë private Dijon Albania sh.p.k., është shpallur fituese në procedurën e qiradhënies së 132 hektarëve tokë shtetërore në Bashkinë Elbasan. Sipërfaqja do të përdoret për mbarështimin e florës së egër dhe kultivimin e bimëve të ndryshme. Dijon Albania sh.p.k., si ortake në Italdruri, është në pronësi për 97 përqind nga Dritan Pashako. Vlera e qirasë vjetore e ofruar është 2.64 milionë lekë.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Në vend të nëntë për nga sipërfaqja më e madhe e tokës publike të marrë me qira renditet Bashkimi i Operatorëve Ekonomik: M&K Energy Trading Co, Favina sh.p.k. dhe Favina 1 sh.p.k. Ky bashkim është shpallur fitues në procedurën e dhënies me qira të 102 hektarëve tokë publike nga Bashkia Kolonjë, për zhvillim ekonomik në fushën e energjive të rinovueshme. Shoqëritë janë në pronësi të biznesmenëve Viktor, Adnand, Fatmir dhe Kristi Qylafi. Kompania M&K Energy Trading Co rezulton fitues edhe në tre procedura të tjera qiradhënieje të pasurive publike. Dy procedura janë fituar në bashkëpunim si BOE me Ren Solar sh.p.k. dhe Dearb Farm sh.p.k., për një sipërfaqe totale prej rreth 6 hektarësh tokë publike në Bashkinë Kolonjë. Ndërsa një procedurë tjetër, M&K Energy Trading Co është shpallur fitues i vetëm, për sipërfaqen prej 10.8 hektarësh, po nga Bashkia Kolonjë. Në të tre rastet, toka është dhënë me qira për zhvillim ekonomik në fushën e energjive të rinovueshme.
Listën e dhjetë përfituesve më të mëdhenj të pasurive shtetërore me qira e mbyll “Rozafa” sh.p.k., përmes shtatë procedurave ka përfituar rreth 100.7 hektarë tokë publike me qira nga bashkitë. Gjashtë prej tyre janë procedura qiradhënie – katër me Bashkinë Elbasan dhe dy me Bashkinë Maliq – ndërsa një procedurë është realizuar përmes ankandit nga Bashkia Librazhd. “Rozafa” sh.p.k., në pronësi të Gjergj Lucës, liston gjithashtu në pasaportën e saj disa objekte dhe pasuri publike të marra me qira përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Top 10 Kompanitë me më shumë Tokë Publike me Qira për periudhën 2015 – 2024, kanë përfituar së bashku mbi 56% të totalit të tokës së dhënë me qira nga bashkitë gjatë këtij harku kohor.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Në total, gjatë periudhës 2015 – 2024, janë 403 kompani që kanë përfituar sipërfaqe toke publike me qira nga bashkitë nëpërmjet procedurave konkurruese si ankandi apo thirrjet për zhvillim ekonomik. Sipërfaqja totale e dhënë me qira gjatë harkut kohorë në analizë rezulton rreth 6 350 hektarë.
Nëse dëshironi informacion për secilën nga Bizneset vendosni në makinën e kërkimit Google emrin e biznesit apo ortakut dhe fjalët Open Corporates Albania. Pas kësaj do të klikoni menjëherë pasaportën e biznesit. Po njësoj mund të klikoni në makinën e kërkimit në portalin OpenCorporates.Al.
Shkarko excel: Biznese Përfitues të Tokës Publike përmes Qiradhënies nga Bashkitë 2015 – 2024, renditja sipas sipërfaqeve të përfituaraKomente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: O.D.A




