Open Data Albania po publikon të dhëna për Bizneset me vlera më ta larta pagesash nga Thesari i Shtetit gjatë vitit 2024, pagesa përmes Buxheti i Shtetit. Të dhënat në këtë artikull renditës janë marrë nga Databaza Transaksione Thesari, pjesë e portalit Spending Data Albania krijuar dhe zotëruar nga organizata AIS. Kjo databaza ka të dhëna lehtësisht të gjetshme për çdo pagesë buxhetore të ekzekutuar që nga viti 2012. Nga analiza janë përjashtuar pagesat me përfitues institucione shtetërore, apo pagesa drejt bankave të nivelit të dytë. Po njësoj është përjashtuar dhe ajo kategori transaksioni që përkon me transfertë për kompani me zotërim publik.
Shoqëria e Thjeshtë INTEKAR – ASL, me pronësi kapitali turk, kompani zbatuese e Projektit “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë”, ka përfituar për të tretin vit radhazi vlerën më të lartë të transaksioneve buxhetore (shih renditjen 2022 dhe 2023). Gjatë vitit 2024, janë ekzekutuar 11 transaksione për llogari të kësaj kompanie me vlerë totale rreth 4.22 miliardë lekë (afërsisht 42.5 milion euro).
Shoqëria e dytë në renditje, Bankers Petroleum Albania ka përfituar 3.97 miliardë lekë transferta nga Thesari i Shtetit për vitin 2024, kryesisht për likuidim tatim mbi vlerën e shtuar TVSH. Bankers zotëron kontratën koncesionare për nxjerrjen e naftës në Patos-Marinë.
Gjoka 87 renditet e treta për sa i përket totalit të vlerës së përfituar nga thesari gjatë vitit 2024. Shoqëria zbaton kontratën koncesionare për ndërtimin e Rrugës së Arbërit dhe gjatë muajve të vitit 2024 ka përfituar 4 transaksione me vlerë totale 3.5 miliard lekë.
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
E katërta, shoqëria GSA e cila operon në tregtim dhe furnizim të energjisë elektrike, gazin natyror, konsulencë dhe projektim inxhinierik, ndërtim dhe infrastrukturë, etj., renditet për herë të parë në dhjetë kompanitë me vlerë më të lartë të përfituar nga Thesari i Shtetit gjatë një vitit. Për periudhën Janar – Dhjetor 2024, shoqëria regjistron 10 transaksione për rimbursimin e TVSH-së nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me vlerë totale 3.21 miliardë lekë.
Në vend të pestë pozicionohet Salillari, i cili është zotërues i disa shoqërive koncesionare. Salillari regjistron 79 transaksione nga Thesari i Shtetit 2024 me vlerë totale prej 2.75 miliardë lekësh.
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Në vend të gjashtë, Infosoft Systems regjistron 239 transaksione me vlerë totale 2.52 miliardë lekë nga Thesari i Shtetit 2024. Transaksionet e kryera në favor të kompanisë janë kryesisht për arsye mirëmbajtje e sistemeve kompjuterike dhe investime në software.
Vijon renditjen, G. P. G. Company, 34 miliardë lekë transaksione nga Thesari i Shtetit 2024.
AlbaScan regjistron 47 transaksione thesari përgjatë muajve të vitit 2024, me vlerë totale rreth 2.1 miliardë lekë. Kompania renditet për herë të parë në top 10 kompanitë me më shumë arkëtime nga Thesari i Shtetit. Kjo kompani operon në fushën e teknologjive të avancuara për sigurinë dhe infrastruktura elektrike, si dhe investon dhe zhvillon projekte ndërtimore, duke përfshirë zona civile, industriale dhe turistike.
Në vend të nëntë, Alb-Bulding, gjithashtu renditet për herë të parë në 10 kompanitë me më shumë transaksione nga Thesari i Shtetit. Për vitin 2024 kompania regjistron 85 transaksione me vlerë totale prej rreth 2 miliardë lekësh.
Listën e dhjetë kompanive më të paguara nga Thesari i Shtetit 2024 e mbyll Kastrati (tanimë ‘Kastrati Energy’). Arkëtimet e Kastrati Energy (ish “Kastrati”) nga buxheti i shtetit janë kryer për furnizim me karburant dhe vaj në vlerë totale prej 1.95 miliardë lekë nëpërmjet 764 transaksioneve.
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Transaksione 2024 sipas vlerës, Renditje 10 transaksionet më të mëdha sipas përfituesve. Për vitin 2024, Transaksioni me vlerë më të lartë është 1.5 miliardë lekë. Ky transaksion është kryer nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike për llogari të kompanisë private First shpk, për Materiale Teknike të Inteligjencës Artificiale, sipas Kontratës së Klasifikuar Nr. 4837, datë 07.10.2024.
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Në vitin 2024, Thesari i Shtetit ka realizuar një total prej 278 939 transaksionesh, me një vlerë totale prej rreth 620.94 miliardë lekësh (apo 6.2 miliardë euro). Nga këto, pesha e 100 kompanive të mëdha është përbërë nga 15.24% e totalit të transaksioneve.
Për më tepër, mund të konsultoni listën e plotë të 100 kompanive të renditura sipas vlerës, ku për çdo kompani është paraqitur vlera dhe numri i transaksioneve, si dhe pesha ndaj totalit Transaksione Thesari 2024 dhe PBB-së.
Të dhëna mbi Pagesa Thesari për të gjitha institucionet buxhetore në vend nga 2012 (qeveria Berisha e deri sot 14 vite) mund të gjeni në platformën Spending Data Albania kategoria Transaksione Thesari. Po aty ka edhe databaza të tjera me të dhëna të karakterit publik mbi Biznese Kontraktore, Prokurime Publike, Interesa Ekonomik të Zyrtarëve të Lartë etj.
Nëse dëshironi informacion për secilën nga Bizneset vendosni në makinën e kërkimit Google emrin e biznesit apo ortakut dhe fjalët Open Corporates Albania. Pas kësaj do të klikoni menjëherë pasaportën e biznesit. Po njësoj mund të klikoni në makinën e kërkimit në portalin OpenCorporates.Al.
Shkarko excel: Renditje 100 Kompani Biznesi më të paguara nga Thesari i Shtetit viti 2024Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: O.D.A




