Open Data Albania po analizon strukturën e kapitalit bankar sipas Origjinës së Kapitalit për banka të nivelit të dytë.

Origjinë kemi konsideruar vendin apo regjistrin e biznesit ku është regjistruar paketa kontrolluese aksionare për personat juridikë, apo shtetësinë e deklaruar për personat individë aksioner të drejtpërdrejte apo fundor të deklaruar.

Korrik 2025 Sistemi bankar numëron 11 (njëmbëdhjetë) banka të nivelit të dytë të licensuara dhe që operojnë në treg. Shtatë banka janë me kapital tërësisht të huaj, dy banka janë me kapital të miks (i huaj dhe vendas) dhe dy banka janë me kapital tërësisht vendas.

Kapitali aksionar total i bankave në Shqipëri arriti në 102.6 miliardë lekë në korrik 2025, duke shënuar një rritje prej 6.2% (apo rreth 6 miliardë lekë më shumë) krahasuar me kapitalin bankar në fund të vitit 2024 (96.6 miliardë lekë).

Sipas origjinës së zotëruesve:

  • Kapitali i huaj përbën 73.6% të totalit të kapitalit në shoqëri financiare banka me 75.5 miliardë lekë;
  • Kapitali vendas 26.4%, ose 27.1 miliardë lekë.


Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Data.Al: Struktura e Kapitalit të Bankave të Nivelit të Dytë në Shqipëri sipas Origjinës së Zotëruesit, Korrik 2025


Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat tregojnë që rreth 37.8% e kapitalit total bankar në Shqipëri është në pronësi të aksionarëve me origjinë nga vendet anëtare BE-së, përkatësisht 38.7 miliardë lekë. Kjo përbën rreth 51.3% të kapitalit bankar me zotërim të huaj.

Ndërkohë, kapitali bankar me origjinë të huaj nga vende jo anëtare të BE-së përfaqëson 35.8% të kapitalit total bankar, ose 36.7 miliardë lekë. Brenda kësaj strukture, peshën më të madhe zë kapitali në zotërim të aksionarëve me origjinë nga Turqia, të ndjekura nga juridiksione të tjerë jashtë hapësirës së BE-së.


Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kapitali me Origjinë Turke ka peshën më të lartë në strukturën e kapitalit bankar në Shqipëri me 32.99 miliardë lekë ose 32.2% të kapitalit total në tregun bankar shqiptar.

Në vend të dytë qëndron kapitali me origjinë në regjistrin e biznesit Austriak, me një kapital prej 14.18 miliardë lekë, që përfaqëson 13.8% të totalit.

Më tej renditen Hungaria me 6.74 miliardë lekë (6.6%), Gjermania me 6.20 miliardë lekë (6.0%) dhe Italia me 5.56 miliardë lekë (5.4%).Origjina e kapitalit zotërues drejtpërdrejt në regjistër biznesi Holandës shënon 3.66 miliardë lekë ose 3.6% të kapitalit total, ndërsa kapitali Bullgar wshtw1.52 miliardë lekë (1.5%).

Kapitali në zotërim të aksionarëve të drejtpërdrejtë të regjistruar në juridiksione si Delaware dhe Ishujt Cayman përbën përkatësisht 2.7% dhe 0.7% të kapitalit total, duke evidentuar që në deklarim të pronësisë finale origjina indirekte ka përsëri një shtetar shqiptar në mazhoritar. Ndërkohë, kapitali me origjinë të drejtpërdrejt ne regjistra në Maqedoninë e Veriut dhe Arabinë Saudite, përbën përkatësisht 0.3% dhe 0.02% të kapitalit bankar.

Kapitali me origjinë vendas përfaqëson 26.4% të totalit, ose 27.1 miliardë lekë.


Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në një ndarje sipas Kontinenteve të kapitalit me origjinë të huaj, kontinenti evropian përfaqëson peshën më të lartë, me rreth 51.7% të kapitalit bankar të huaj në Shqipëri. Në vend të dytë qëndron kontinenti aziatik (euroazia), me rreth 43.8%, ndërsa SHBA (Amerika Veriore) përfaqëson rreth 4.6% të kapitalit të huaj.


Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Banka Kombëtare Tregtare (BKT) është banka me vlerën më të lartë të kapitalit në sistemin bankar, me 32.99 miliardë lekë, që përfaqëson 32.2% të kapitalit total. BKT është në pronësi të Çalık Holding A.Ş., një korporatë turke aktive në sektorët e financës, energjisë dhe ndërtimit.

Raiffeisen Bank Albania renditet e dyta, me 14.18 miliardë lekë, ose 13.8% të kapitalit bankar, e cila zotërohet nga Raiffeisen Bank International AG, e regjistruar në Austri.

Credins Bank mban vendin e tretë, me 18.65 miliardë lekë, që përfaqëson 18.2% të totalit të kapitalit bankar. Credins ka një strukturë kapitali miks, ku 75.7% është në zotërim vendas, ndërsa pjesa tjetër nga shoqëri të regjistruara në Holandë dhe Luksemburg.

Tre bankat me kapitalin më të lartë përbëjnë së bashku rreth 64.2% të kapitalit total të sektorit bankar në vend.


Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

OTP Bank Albania është në vendin e katërt me 6.74 miliardë lekë, që përbën 6.6% të kapitalit total. në pronësi të grupit OTP Bank Nyrt, regjistruar në Hungari.

Banka e Tiranës, me një kapital prej 5.92 miliardë lekësh (5.8%), bankë me kapital vendas.

ProCredit Bankv përfaqëson 6.0% të total kapitali bankar. Kjo bankë zotërohet nga ProCredit Holding AG & Co. KGaA, me seli në Gjermani.

Intesa Sanpaolo Bank Albania ka një kapital prej 5.56 miliardë lekësh, që përbën 5.4% të totalit, dhe është pjesë një prej grupeve bankare në Itali, Intesa Sanpaolo S.p.A.

Union Bank është banka e dytë me origjinë tërësisht vendase, me  kapital prej 3.88 miliardë lekësh ose 3.8% të totalit.


Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Banka Amerikane e Investimeve (ABI) ka një kapital prej 3.45 miliardë lekësh, që përfaqëson 3.4% të kapitalit total bankar. Megjithëse sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues, zotërues përfundimtar për 80% të kapitalit të ABI-së është z. Andi Ballta, me shtetësi të deklaruar shqiptare, kapitali i kësaj banke klasifikohet si kapital i huaj, pasi zotëruesit e shoqërisë Tranzit, që kontrollon 100% të aksioneve të ABI – janë subjekte juridike të regjistruara në Delaware (80%) dhe Ishujt Kajman (20%).

Banka e Bashkuar e Shqipërisë ka një kapital prej 3.49 miliardë lekësh, me paketë aksionare kryesisht në zotërim vendas (91.8%), ndërsa pjesa tjetër në pronësi të aksionarëve nga Maqedonia e Veriut (7.45%) dhe Arabia Saudite (0.72%).

Banka e Parë e Investimeve Albania (Fibank Albania), me një kapital prej 1.52 miliardë lekësh (1.5%), është banka me vlerën më të vogël të kapitalit në treg. Paketa kontrolluese është në zotërim të shoqërisë mëmë First Investment Bank AD, e regjistruar në Bullgari.

Të dhëna mbi strukturën e shoqërive financiare banka të nivelit të dytë; zotërimin dhe menaxhimin e tyre sikurse performancën ekonomike, janë të publikuara dhe të aksesueshme në databazen Open Corporates Albania, rubrika Shoqëri Financiare Banka.

Të dhënat janë marrë nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) dhe Regjistri i Pronarëve Përfitues (RPP). Po njësoj artikulli përmban një dataset të krijuar mbi informacionin dhe dokumentet e mirë-strukturuar në data-bazën Open Corporates Albania kategoria Shoqëri Financiare Bankare. Open Corporates Albania është e krijuar dhe nën zotërim të organizatës AIS promotore e Open Data Albania.

Shkarko excel: Origjina e Kapitalit Bankar në Shqipëri Korrik 2025
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: O.D.A