Open Data Albania po hulumton në lidhje me nivelin e kreditimit të bizneseve Koncesionare dhe PPP nga Banka te Nivelit të Dytë ne vend. Ky hulumtim përfshin të gjitha Bizneset qw zbatojnë Kontrata dhe Marrëveshje PPP Koncesion të nënshkruara që nga 2015.
Për periudhën 2015-2023, rezultojnë të nënshkruara 47 kontrata koncesioni dhe PPP, por në total 10 prej tyre rezultojnë të jenë financuar me kredi nga Sektori Bankar apo Banka të Nivelit të Dytë.
Për tre prej këtyre kontratave Koncesionare, nuk ka informacion në lidhje me vlerën e kredisë së marrë nga Sektori Bankar. Bëhet fjalë për kontratën
- Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Fierit me shoqëri zbatuese Integrated Techonolgy Waste Treatment Fier sh.p.k;
- Kontratën Për përmirësimin e infrastrukturës Arsimore në Bashkinë Tiranë me shoqëri zbatuese shoqëria koncesionare Z.M.A sh.p.k;
- Kontrata Për rehabilitimin, operimin transferimin e Aeroportit të Kukësit me shoqëri Koncesionare Kukës International Airport sh.p.k.
Për të tre këto kontrata ka Marrëveshje Sigurimi Kuotash të lidhura mes shoqërive Koncesionare dhe bankave të nivelit të dytë (respektivisht Banka Credins dhe Banka Raiffeisen), por në këto marrëveshje nuk ka informacion në lidhje me vlerën e kredisë së marrë.
Shtate kompanitë e tjera janë financuar me kredi nga sektori bankar me vlerë rreth 24.8 miliardë Lekë apo rreth 250 milionë Euro (kursi mesatar mujor, Prill 2025 Banka e Shqipërisë).
Burimi:Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kredia më e madhe e miratuar nga Sektori Bankar, më konkretisht nga Banka Kombëtare Tregtare është për koncesionin PPP Kontrata e ndërtimit të Rrugës së Arbrit me shoqëri zbatimi Gjoka 87 sh.p.k., me vlerë 9.5 miliardë Lekë, të cilat do të përdoren për investime për projektin sipas kontratës së koncesionit. Sipas Bilancit 2023 të kompanisë Gjoka 87 sh.p.k, rezulton se deri në fund të vitit 2023, nga Banka BKT është disbursuar shuma e huasë prej 3.99 miliardë Lekësh, ndërsa janë likuiduar rreth 297.6 milionë Lekë si shpenzime për interesa. Palët kanë lidhur Kontratën e Kredisë me Nr.Rep.986, Nr.Kol. 502, në datë 24.07.2018.
Burimi:Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Ndërsa kredia e dytë më e madhe e miratuar është përsëri nga Banka Kombëtare Tregtare për koncesionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës me shoqëri zbatuese Vlora International Airport – VIA e miratuar me kontratën e kredisë datë 23.03.2022 në shumën 56,000,000 (pesëdhjetë e gjashtë milion) Euro. Sipas Bilancit 2023, huaja është disbursuar në vlerën 10,000,000 Euro në datë 31 Dhjetor 2023, për financimin e projektit, me një afat maturimi 10 vjet.
Banka BKT po ashtu ka financuar me kredi në vlerën rreth 3.77 miliardë Lekë apo 28.5 milionë Euro shoqërinë Albanian Highway Concession sh.p.k, e cila është zbatuese e Kontratës së Koncesionit Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë. Palët kanë lidhur një kontratë kredie me Nr. Rep. 926, Nr. Kol 316, datë 03.05.2017 me qëllim financimin e projektit nga banka. Sipas kontratës së kredisë, Banka do të lëvrojë një shumë prej 28.000.000 (njëzet e tetë milion e pesëqind mijë) euro, të cilat do të përdoren për investime për projektin sipas kontratës së koncesionit. Referuar Bilancit 2023 deri në fund të vitit 2023, janë disbursuar 1.26 miliardë Lekë dhe janë likuiduar rreth 16.8 milionë Lekë shpenzime interesash. Afati i shlyerjes së kredisë është 7 vite nga data e disbursimit të këstit. Norma vjetore e interesit është Euribor 12 mujor plus 3% por jo më pak se 5%.
Ndërkohë në vitin 2021, 3 Banka tregtare (Banka e Tiranës, Intesa San Paolo Bank dhe Banka OTP Albania) kanë financuar një kredi të përbashkët prej 3.1 miliardë Lekë apo 25.6 milionë Euro për shoqërinë Koncesionare Rruga Llogara Orikum sh.p.k, e cila është zbatuese e kontratës së koncesionit Projektim-Ndërtim-Financim dhe Mirëmbajtje e segmentit rrugor Porti i jahteve-Orikum-Dukat. Afati i shlyerjes së kredisë është 10 vite nga viti i disbursimit. Sipas Kontratës së Kredisë, Kredi marrësi do të paguajë Interes Kontraktor çdo 3-muaj mbi shumën e disburuar dhe të pashlyer të kredisë sipas Skedarit të Ri pagimit të kredisë nga Kredi marrësi. Norma e interesit kontraktor është e ndryshueshme dhe do të llogaritet interes bazë Bono thesari 12 mujor (norma mesatare e ponderuar) shtuar me marzhin 3.5% në vit, por jo më pak se 6% në vit, ku norma bazë e interesit është objekt rishikimi dhe ndryshimi nga Banka çdo 12-mujor.
Gjithashtu, edhe për kontratën Ndërtimi, Shfrytëzimi dhe Transferimi të portit të tipit MBM, Porto Romano, Durrës me shoqëri zbatuese Shoqëria Koncesionare Porti MBM rezulton një marrëveshje siguruese mes Union Bank dhe Adriatic Bay Investment Group shpk, e cila do te shërbejë si garanci për kontratat e kredisë që janë lidhur dhe do të lidhen në të ardhmen deri në limitin kreditor të aprovuar prej 7,500,000 (shtatë milion e pesëqind mijë) euro. Megjithatë sipas deklaratës Noteriale Nr.3441 Rep., Nr.932/2 Kol., datë 07.10.2022 UNION BANK, deklaron fshirjen e bllokimit të pjesëve të kapitalit të shoqërisë Koncesionare “Porti MBM” në favor të saj, vendosur me Marrëveshjen Siguruese, Nr. 1189 Rep., Nr.575 Kol., datë 28.07.2021.
Një tjetër shoqëri Koncesionare e cila është financuar me kredi është Laboratory Network sh.p.k e cila është zbatuese e Kontratës Koncesionare Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare rajonale dhe atyre bashkiake. Vlera e kësaj kredie është 372.9 milionë Lekë apo rreth 3 milionë Euro dhe është e financuar nga Banka OTP Albania. Palët kanë lidhur një kontratë kredie bankare afatmesme Nr. 150 Rep dhe Nr. Kol 27, datë 20.03.2020, sipas së cilës Banka i ka dhënë kredi shoqërisë në shumën 2.3 milionë Euro dhe një kontratë për dhënie lehtësie kredituese letër garanci me Nr. 680 rep dhe Nr. 160/1 kol, datë 27.08.2019 sipas së cilës Banka i ka dhënë kredi kredi marrësit në shumën 700 mijë Euro, në total një shumë prej 3 milionë Euro.
Së fundmi, në vitin 2023, shoqëria Koncesionare Vlora Harbor Construction and Maintanance shpk zbatuese e kontratës së koncesionit/PPP për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e “Portit të Integruar” në Triport Vlorë, ka lidhur një marrëveshje për vendosjen e barrës siguruese dhe/ose pengut në favor të Bankës Tirana sh.a, mbi kuotat/aksionet e shoqërisë Koncesionare, me qëllim garantimin e kredisë të marrë nga shoqëria Koncesionare së bashku me shoqërinë Premium Construction & Maintenance shpk, në vlerën 700 milionë Lekë, sipas kushteve të dakordësuara me Bankën. Konkretisht, më datë 16.03.2023, u lidh kontrata e Pengut Nr. 1986 Rep., Nr. 894 Kol., midis “Premium Construction & Maintenance” sh.p.k (Penglënës) dhe “Banka e Tiranës” sha, sipas së cilës Penglënësi lë peng në favor të “Banka e Tiranës” sha, kuotën e zotëruar prej tij aktualisht në kapitalin e shoqërisë Koncesionare “Vlora Harbor Construction and Maintanance” shpk, çdo kuotë të re që do të zotërojë në të ardhmen në këtë shoqëri si dhe të drejtat e lidhura me kuotën.
Ndërkohë, në figurën e mëposhtme paraqitet përqindja e totalit të investimit që është mbuluar përmes kredisë, për shoqëritë e mësipërme kredimarrëse. Ky raport jep informacion mbi strukturën financiare të projektit dhe nivelin e ekspozimit financiar që ka marrë koncesionari për realizimin e investimit.
Nga sheet Analizë Fut Grafik 2:Përqindja e financimit me kredi ndaj vlerës së investimit
Burimi:Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Dy projektet më të ekspozuara ndaj huasë janë Shoqëria Koncesionare Porti MBM me 75%, Albanian Highway Concession (me 71%), ndërsa më pak të ekspozuar ndaj riskut financiar janë shoqëria Koncesionare Laboratory Networks sh.p.k me 28%, Gjoka 87 me 36% dhe shoqëria Vlora Harbor Construction and Maintanance me 17%. Ndërkohë shoqëria Rruga Llogara Orikum sh.p.k dhe shoqëria Koncesionare Vlora International Airport – VIA shfaqin një strukturë më të balancuar mes huasë dhe kapitalit, me peshë respektivisht 54% dhe 50%.
Në të gjitha marrëveshjet e sigurimit të kompanive Koncesionare dhe Bankave vihet re se këto kompani kanë vendosur si garanci apo kolateral barrën siguruese mbi aksionet e tyre, si dhe mbi llogaritë bankare të arkëtimit të të ardhurave të këtyre shoqërive.
Open Corporates Albania ka krijuar nga një dashboard me të dhëna dhe dokumente për çdo biznes dhe kompani Koncesionare apo Partneritet Publik Privat. Informacioni zbardh çdo detaj mbi objektin, zotëruesit sipas historikut, afatet, menaxhimin, performancën financiare, çështjet ligjore, paketën e kontrollit të kapitalit dhe lidhje me kompani të tjera simotra. Ky Regjistër Koncesionare është krijuar dhe zotërohet në version databaze nga organizata AIS promotore e Open Data Albania.
Shkarko excel: Nëse deshironi te aksesoni excel ose dataset qe shoqeron kete artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Open Data Albania




