Në një kohë kur debati dhe diskutimet lidhur me arsimin janë të përditshme në auditorët me studentë, në nivel ekspertësh, por edhe në familjet shqiptare, një sugjerim vjen nga Këshilli i Europës.
Shqipëria duhet të plotësojë normën e 30 të diplomuarve ndër 100 qytetarë, për të arritur standarde dhe cilësi në arsimin e lartë. Sipas një studimi të ODA-s, ky është një kusht i vendosur nga Këshilli i Europës, dhe 10 vitet e fundit arsimi i lartë ka pasur ndryshime duke shtuar numrin e studentëve, si në publik ashtu edhe në institucionet private. “Open Data ALbania” ka vendosur në dispozicion grafikun e përpunuar të të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe ekspertët e Institutit të Statistikave.
Analiza e universiteteve jopublike
Me gjithë diskutimet dhe debatet për hapjen e Institucioneve Jo Publike të Arsimit të Lartë (IJPAL), universiteti i parë privat u licencua në vitin 2003. Në tre vitet e para numri i tyre ishte shumë i kufizuar, por pas vitit 2006 ky treg mori zhvillim të menjëhershëm. Kërkesa gjithmonë e më e lartë për edukim e bëri shumë të lehtë lindjen dhe mbijetesën e IJPAL-ve.
Në vitin shkollor 2010-2011 numërohen plot 38 universitete private, apo 3 herë më shumë se universitete publike. Nëse do të shqyrtohej shpërndarja e studentëve midis Institucioneve të Arsimit të Lartë, mund të shikohet më mirë ndikimi që ka filluar të ketë arsimi privat në Shqipëri. Deri në vitin 2006-2007, pjesa e tregut që ai zinte ishte shumë e vogël, vetëm 4.7%. Shkaku kryesor ishte rritja e kuotave në arsimin publik, por edhe një licencim shumë i shtrënguar i IJPAL. Kështu, deri në këtë vit numri i studentëve në universitetet publike u rrit në 82.099, 50% më shumë sesa në vitin 2003-2004.
Pas vitit 2006, universitetet private nisën të fitojnë më shumë terren. Në vitin 2007-2008 ato zotëronin 10% të tregut dhe një vit më vonë, 14%. Shkaku kryesor ishte rritja e numrit të IJPAL të licencuara dhe ulja e lehtë që pësuan kuotat e universiteteve publike. Viti 2009-2010 u shoqërua me rritje si të studentëve në universitetet private, ashtu edhe në ato publike. Tashmë edukimi jopublik kishte 18% të tregut. Ai ishte rritur 55% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që arsimi publik, pas rënies së dy viteve të mëparshme, u rrit me 19.6%.
Buxheti i arsimit
Kur flitet për Buxhetin për Arsimin nënkuptohet, së pari, financimi i katër programeve kryesore: arsimi bazë, i mesëm, universitar dhe prej 2005-s, fonde për shkencën. Dhe së dyti, shpenzime për disa kategori: paga, kontributet përkatëse për sigurime, materiale mësimore, si dhe investime kapitale për të gjitha institucionet arsimore dhe administratën.
Rëndësia që ka arsimi në zhvillimin e një vendi, bën që buxheti i përcaktuar për të rrallëherë të kalojë pa debate. Arsimi është prioritet në hartimin e çdo strategjie, por pa mbështetje të mjaftueshme me fonde, objektivat e vendosur është shumë e vështirë që të arrihen.

