Open Data Albania po hulumton mbi tarifat e studimit për ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në Universitetin e Politeknik të Tiranës. Ky universitet ka në përbërjen e tij 6 fakultete, siç janë Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Fizike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave dhe së fundmi Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit.

Tarifat për ciklin e parë të studimeve i përkasin studentëve që regjistrohen në vitin e parë të studimit. Të dhënat e marra i janë të vitit akademik 2012/2013 dhe vitit akademik 2013/2014. Fakultetet që janë në përbërje të këtij Universiteti ofrojnë vetëm studime me kohë të plotë, me përjashtim të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, i cili ofron një program studimi me kohë të pjesshme për nivelin e parë të studimeve.

Programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite europiane dhe kohëzgjatja e tyre është 3 vite akademike. Tarifat vjetore të studimit në nivelin e parë të studimeve me kohë të plotë variojnë sipas fakulteteve të UPT.

Tarifat më të larta për këtë vit akademik i ka Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, ku dy profilet e degës së arkitekturës kanë tarifë 35,883 lekë/vit, dega e Inxhinierisë së Ndërtimit ka tarifë 29,888 lekë/vit, ndërsa degët e tjera të këtij fakulteti kanë tarifë të njëjtë prej 17,930 lekë/vit. Më pas, kemi Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit ku tarifa për çdo degë të tij është 23,915 lekë/vit. Në fakultetet e tjera kemi aplikimin e një tarife të njëjtë me 17,930 lekë/vit. Krahasuar me vitin akademik të kaluar, këto tarifa kanë pësuar një rritje me 4%.  (VKM Nr. 420, Datë 27/06/2012 dhe VKM Nr.565 Datë 27/06/2013)


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Studimet e ciklit të dytë janë të organizuara në programe të masterit profesional , të masterit të shkencave ose i arteve të bukura dhe  programe të integruara. Këto të fundit janë specifike për degën e arkitekturës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. (VKM Nr.565 Datë 27/06/2013)

Programet e studimeve “Master profesional” realizohen me 60-90 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 1,5 (një vit e gjashtë muaj) vit akademik. Tarifat e këtij viti akademik për masterin profesional janë pothuajse të njëjta në të gjitha fakultetet e UPT, tarifë kjo prej 84,240 lekë për ciklin e plotë të masterit.

Përjashtim bëjmë dega e Inxhinierisë së Ndërtimit (Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimit), dega e Inxhinierisë Tekstile dhe Mode (Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike) dhe dega e Inxhinierisë Informatike (Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit), ku tarifa e plotë e masterit profesional është 93,630 lekë. Krahasuar me vitin akademik të kaluar, këto tarifa kanë pësuar një rritje me 4%.  ( VKM Nr. 549 Datë 16/08/2012 dhe VKM Nr.744 Datë 05/09/2013)


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Programet e studimeve “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura” realizohen me 120 kredite  dhe kohëzgjatja normale e tyre është 2 vite akademike. Tarifat më të larta për këtë vit akademik i ka Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit, ku tarifa e plotë është 181,709 lekë. Më pas vjen Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike me një tarifë totale 162,240 lekë. Fakultetet e mbetura kanë tarifë të njëjtë, prej 142,771 lekë. Krahasuar me vitin akademik të kaluar, edhe këto tarifa kanë pësuar një rritje me 4%. ( VKM Nr. 548 Datë 16/08/2012 dhe VKM Nr.744 Datë 05/09/2013)


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në Universitetin Politeknik të Tiranës kemi vetëm një degë studimi me kohë të pjesshme që ofrohet nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike. Për vitin e kaluar akademik  tarifat për këtë program, si fakultet i parë, ishin 116,820 lekë/vit, ndërsa në rastin kur ndiqej si fakultet i dytë tarifa ishte 129,780 lekë/vit. (Urdhër I përbashkët Nr.474 Datë 08/10/2012).


Burimi: Ministria e Arsimit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Kontribuoi: Ina Baja