Open Data Albania po hulumton mbi shkallën e tatimit mbi vlerën e shtuar TVSH, në Republikën e Shqipërisë (RSH), vendet e rajonit dhe të BE-së. Ligji Nr. 92/2014 e përcakton tatimin mbi vlerën e shtuar si një tatim i përgjithshëm mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve, proporcional me çmimin e tyre, e që i ngarkohet në çdo fazë të prodhimit dhe procesit të shpërndarjes çmimit pa tatimin. TVSH-ja zbatohet si një tatim në përqindje mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve.

Tatimit mbi vlerën e shtuar i nënshtrohen: a) të gjitha furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, të kryera kundrejt pagesës, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë; b) të gjitha importet e mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Shkalla standarde e tatimit mbi vlerën e shtuar në RSH është 20%. Megjithatë ligji parashikon si përjashtime, ashtu edhe shkallë zero për TVSH-në, për produkte dhe shërbime të caktuara. Ky ligj nuk parashikon norma të reduktuara të shkallës së TVSH-së.

Nëse do të krahasonim vendin tonë me vendet e tjera të rajonit, për sa i përket shkallës së TVSH-së, shohim që është Kroacia e cila ka shkallën më të lartë të saj prej 25%. Pas Kroacisë vjen vendi ynë, Bullgaria dhe Serbia që aplikojnë të njëjtën shkallë të TVSH-së, prej 20%. Kosova është vendi i cili ofron shkallën më të ulët të tatimit mbi vlerën e shtuar, me vetëm 16%.


Burimi:http://ec.europa.eu/taxation_customs/resources/documents/taxation/vat/how_vat_works/rates/vat_rates_en.pdf
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Vendi ynë aplikon një normë TVSH-je të njëjtë me vende të Bashkimit
Europian si Austria, Britania e Madhe, Franca, Sllovakia dhe Bullgaria.
Luksemburgu është nga vendet e BE i cili aplikon normën më të ulët të
TVSH-së, prej vetëm 17%, normë e cila deri në vitin 2014 ishte 15%.  Pas
tij vjen Malta me 18%, Qipro dhe Gjermania me 19%. Të gjitha vendet e
tjera aplikojnë një shkallë TVSH-je mbi 20%, ku shkallën më të lartë të
TVSH-së prej 27% e aplikon Hungaria.


Burimi:http://ec.europa.eu/taxation_customs/resources/documents/taxation/vat/how_vat_works/rates/vat_rates_en.pdf
Komente dhe Analiza: Open Data Albania   

Interesante në legjislacionin e vendeve të BE janë normat e reduktuara të TVSH për mallra dhe shërbime të ndryshme. Norma të reduktuara të TVSH gjejmë edhe në legjislacionin e vendeve të rajonit me përjashtim të Bosnje Hercegovinës dhe vendit tonë. Ne kemi marrë në shqyrtim disa grupmallra dhe shërbime ku konsiderojmë të arsyeshme evidentimin e shkallës së TVSH-së.

Produktet ushqimore të konsumit janë një zë tepër i rëndësishëm në jetesën e individëve, ku produkte të caktuara janë bazike për ekzistencën e tij. Kështu, në vende si Malta dhe Britania e Madhe shkalla e TVSH-së mbi produktet ushqimore është 0%, Luksemburgu aplikon një tatim mbi vlerë të shtuar prej 3% për të gjitha produktet ushqimore. Ndër 30 vendet e marra në shqyrtim Shqipëria, Danimarka dhe Hungaria kanë shkallën më të lartë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mbi produktet ushqimore, me përkatësisht 20, 25 dhe 22,5%. Të gjitha vendet e tjera aplikojnë një shkallë të ulët TVSH-je tek buka dhe produktet ushqimore. 

Vende si Sllovenia, Bosnie Hercegovina, Bullgaria dhe vendi ynë që aplikojnë normat standarde të TVSH edhe për bukën dhe ushqimet bazë duke mos konsideruar tatim në nivel më të ulët për konsumin bazë, konsum që prek shtresat më të varfra të popullsisë. Në 30 vende të marra në shqyrtim mesatarja e TVSH për Ushqimet është 13 %.

Të gjitha vendet kufitare me Shqipërinë kanë TVSH për bukën dhe produktet ushqimore më të ulët se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që praktikohet në Shqipëri. Ndërsa Shqipëria praktikon TVSH në masën 20%, vende fqinje si Italia; Greqia; Kosova; Maqedonia; Mali i Zi apo Serbia e praktikojnë TVSH mbi produktet ushqimore në masën 7 deri 15 %. Shqipëria paraqitet mes këtyre vendeve me vlerën më të lartë të tatimit mbi produktet ushqimore e rrjedhimisht me sjelljen më negative kundrejt shtresave me të ardhura minimale apo të ulëta.


Burimi:http://ec.europa.eu/taxation_customs/resources/documents/taxation/vat/how_vat_works/rates/vat_rates_en.pdf
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Energjia elektrike është po ashtu pjesë e pandashme e familjeve konsumatore. Vendi ynë aplikon një shkallë standarde të TVSH, ashtu sikurse vendet e tjera fqinje. Në shumë vende të BE, si Italia dhe Greqia fqinje, Malta, Luksemburgu, Britania e Madhe, Franca dhe Belgjika po aplikohen norma të reduktuara të TVSH-së mbi energjinë elektrike, ku Malta dhe Britania e Madhe aplikojnë normën më të ulët prej 5% të TVSH-së, Luksemburgu një normë prej 6% të TVSH-së, ndërsa Belgjika, Greqia dhe Franca aplikojnë një shkallë mesatare të TVSH-së përkatësisht 13,5% ; 13% dhe 12,8%.

Edhe në këtë krahasim Shqipëria qëndron në nivele jo favorizuese për konsumatorin me një TVSH prej 20% kundrejt vendeve fqinje si Itali; Greqi; Kosovë e Maqedoni ku Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për energjinë elektrike është në masën nen 20%.


Burimi:http://ec.europa.eu/taxation_customs/resources/documents/taxation/vat/how_vat_works/rates/vat_rates_en.pdf
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Së fundmi, kemi shqyrtuar shkallën e TVSH për shërbimet e hotelerisë, si një ndihmë ndaj sektorit të turizmit. Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnje Hercegovinës aplikojnë norma të reduktuara të TVSH-së për këtë shërbim, norma që variojnë nga 5 deri në 13%. Vendi ynë aplikon shkallën standarde të TVSH-së prej 20% edhe për këtë shërbim. Tarifa të reduktuara gjejmë edhe në vendet me BE, me përjashtim të Danimarkës, Britanisë së Madhe dhe Sllovakisë që aplikojnë shkallën e tyre standarde të TVSH-së.

Burimi:http://ec.europa.eu/taxation_customs/resources/documents/taxation/vat/how_vat_works/rates/vat_rates_en.pdf
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ndërkohë vendi ynë aplikon TVSH 0% për një listë të caktuar mallrash dhe shërbimesh. Gjithashtu është një grup tjetër i përjashtuar plotësisht  nga TVSH-ja. nga Janari i vitit 2015 edhe medikamentet dhe shërbimet mjekësore që më pare ishin subjekt i një norme të reduktuar të TVSH-së prej 10% janë bërë pjesë e tatimit mbi vlerë të shtuar në shkallën 0%. 

Mallrat dhe shërbimet me shkallë zero  TVSH-je, 2015


Burimi:http://ec.europa.eu/taxation_customs/resources/documents/taxation/vat/how_vat_works/rates/vat_rates_en.pdf
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Mallrat dhe shërbimet e përjashtuara nga TVSH-ja, 2015

Kontribuoi: Ina baja