Open Data Albania po hulumton lidhur me përqindjen e popullsisë në vend e cila është e rrezikuar nga pamundësia për të përballuar shpenzimet për ndërhyrje kirurgjikale të mundshme me të ardhurat personale kur ndërhyrja kirurgjikale tejkalon dhjetë përqind të totalit të të ardhurave vjetore. Të dhënat në hulumtim janë marrë në databazën e Bankës Botërore në rubrikën Indikatorë të lidhur me Shëndetin.

 

Në vendin tonë kryhen rreth pesë mijë ndërhyrje për 100 000 banorë çdo vit duke përafruar me fqinjët tanë Serbinë, Malin e Zi dhe Greqinë. Vende të Bashkimit Europian si Franca e Gjermania shënojnë një numër ndërhyrjesh deri tre herë më të lartë se vendi ynë. Ndërkohë në Europë kryhen rreth tetëmijë ndërhyrje  kirurgjikale për njëqind mijë banorë. Mesatarja botërore e këtij indikatori është rreth katërmijë e pesëqind ndërhyrje.


Burimi: Banka Boterore
Komentet dhe analiza: ODA

Rreth 27% e popullsisë shqiptare është e rrezikuar nga përballja me nevojën për një ndërhyrje kirurgjikale të paparashikuar dhe me kosto financiare të papërballueshme. Ky indikator ka të bëjë me përqindjen e popullsisë që rrezikon të përballet me ndërhyrje kirurgjikale të kushtueshme të cilat duhet t’i mbulojë me buxhetin e tij dhe ku vlera e ndërhyrjeve tejkalon  10% të totalit të të ardhurave vjetore.

 

Maqedonia është një vend i rajonit me vlerë dhe risk të lartë. Në Maqedoni përllogaritet se 69% e popullsisë janë të rriskuar për ta përballuar financiarisht një ndërhyrje kirurgjike të paparashikuar. Përveç Maqedonisë të gjitha vendet e tjera të rajonit paraqiten në rrethana më të lehta për ta përballuar  koston e ndërhyrjes kirurgjikale.

Kështu Serbia ka 21% të popullsisë të rezikuar nga kostot e kirurgjisë. Kroacia 15%, Mali i Zi 11%, Greqia  me 10% të popullsisë e rriskuar nga pamundësia për të përballuar shpenzime për kirurgji me para të vetat. Italia, shënon një normë risku vetëm 5.5%. Norma Europiane e njerëzve të rrezikuar për shpenzime të larta të paparashikuara për ndërhyrje kirurgjikale është 17.6%.


Burimi: Banka Boterore
Komentet dhe analiza: ODA

Një tjetër indikator i publikuar nga Banka Botërore lidhur me ndërhyrjet kirurgjikale është norma e riskut të mospërballimit të ndërhyrjeve kirurgjikale. Në këtë kontekst popullsia që jeton me më pak se 1.25 dollarë në ditë konsiderohet  popullsi në kushtet e mospërballimit total të kostove të kirurgjisë me të ardhura të vetat.

 

Rreth 11% e shqiptarëve janë të rrezikuar të bien nën këtë normë nëse i duhet të përballen me një ndërhyrje kirurgjikale për të cilën duhet t’i përballojnë të gjitha shpenzimet me të ardhurat e tyre personale.

 


Burimi: Banka Boterore
Komentet dhe analiza: ODA

Kontribuoi: Griselda Rruci