Open Data Albania po hulumton mbi Frekuencën e Ndryshimit të Pronësisë dhe Fitimin e Institucioneve Financiare Jo-Banka. Në kuptim të këtij hulumtimi termi “institucion financiar jo-bankë” është në përputhje me rregulloren e Bankës së Shqipërisë nr. 1, datë 17.01.2013 “Për licensimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jo-banka”, sipas të cilës janë: Subjektet financiare jo-banka; Institucionet financiare të mikrokredisë dhe Institucionet e parasë elektronike. Në bazë të ekstrakteve të Institucioneve Financiare Jo-Banka pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), deri në Mars të vitit 2017, frekuenca e ndryshimit të pronësisë dhe fitimi i këtyre subjekteve siç deklarohet në ekstraktin e QKB, paraqitej si vijon:
Kapitali i Institucioneve Financiare Jo-Banka në Shqipëri ka pësuar ndryshime në pronësi rreth 67 herë në periudhën 2004 – 2016. Krahasuar me totalin e 28 IFJB të licensuara që operojnë në Shqipëri kjo frekuencë e ndryshimit të kapitalit konsiderohet e ulët.
Gjatë periudhës 2004 – 2016, Institucioni Financiar Jo-Bankë që ka pasur numrin më të madh të ndryshimeve të pronësisë është
Fondi Besa me 14 herë e shoqëruar nga subjekti Final me 10 herë dhe Lendeslease me 8 herë. Janë rreth 10 Institucionet Financiare Jo-Banka, të cilat s’kanë bërë asnjë ndryshim pronësie që nga momenti i krijimit të tyre.
Numri më i madh i ndryshimit të pronësisë së Institucioneve Financiare Jo-Banka në Shqipëri ka ndodhur në vitiet 2016 me 10 herë, e ndjekur nga viti 2008 me 9 herë dhe viti 2013 me 8 herë, vitet 2009 e 2012 me nga 7 herë secila. Që nga ndryshimi i parë i pronësisë së
IFJB në vitin 2004, vetëm në 2 vite nuk ka pasur asnjë ndryshim pronësie në kapitalin e Institucioneve Financiare Jo-Banka: 2005 dhe 2006.
Sa i përket destinacionit të ndryshimit të pronësisë së Institucioneve Financiare Jo-Banka, rezulton se në periudhën 2004 – 2016, në rreth 55 herë (ose 82% të rasteve) ndryshimet kanë qenë brenda të njëjtit vend origjine (nga ku 51 here kanë qenë brenda Shqipërisë), ndërsa në 18% të rasteve, aksionarët e rinj kanë pasur një vend të ndryshëm origjine.
Burimi: Ekstraktet e IFJB në QKB, 15 Mars 2017
Komentet dhe Analiza: ODA
Burimi: Ekstraktet e IFJB në QKB, 15 Mars 2017
Komentet dhe Analiza: ODA
Burimi: Ekstraktet e IFJB në QKB, 15 Mars 2017
Komentet dhe Analiza: ODA
Frekuenca e Ndryshimit te Pronesise dhe Fitimi i Institucioneve Financiare Jo-Banka ne Shqipëri për periudhën 2014 -2015
Burimi: Ekstraktet e IFJB në QKB, 15 Mars 2017
Komentet dhe Analiza: ODA
Në vlerësimin e fitimit të Institucioneve Financiare Jo-Banka janë analizuar dy indikatorë të rëndësishëm që karakterizojnë fitimin siç janë: fitimi/humbja para tatimit (EBITA), i cili tregon vlerën monetare të fitimit (bruto) të një shoqërie, pa zbritur ende detyrimet fiskale të tatimit mbi fitimin dhe norma e kthimit mbi kapitalin e angazhuar (ROCE), e cila tregon eficiencën e përdorimit të kapialit përmes një raporti (%) mes EBITA dhe kapitalit të shoqërisë. Në bazë të dhënave zyrtare nga ekstraktet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), deri në Mars të vitit 2017, situata e fitueshmërisë së Institucioneve Financiare Jo-Banka në 2014 – 2015 paraqitej si vijon:
Fitimi/Humbja para tatimit (EBITA) Rezulton një fitim para tatimit i mjaftueshëm si në vitin 2014 ashtu edhe në vitin 2015, i cili karakterizohet nga një trend rritës në rreth 20 IFJB (rreth 72% e rasteve). Fitimi i Institucioneve Financiare Jo-Banka në vitin 2014 rezulton të jetë rreth 1.71 miliardë Lekë, ose rreth 12.2 milionë Euro. Ndërsa në vitin 2015 fitimi para tatimit i IFJB rezulton të ketë pasur një rritje prej rreth 7.5% në nivelin e 1.84 miliardë Lekëve ose rreth 13.4 milionë Eurove.
Kur krahasohet trendi i fitimit para tatimit të 28 Institucione Financiare Jo-Banka gjithsej për vitiet 2014 dhe 2015 konstatohet: fitim me trend rritës për 12 IFJB (ose 43% të rasteve); fitim me trend rënës për 5 IFJB (18% të rasteve); përmirësim të pozicionit financiar duke ulur nivelin e humbjes për 3 IFJB (11% të rasteve); humbje për 4 IFJB (ose 14% të rasteve) ndërsa nuk ka të dhëna për 4 IFJB (14% të rasteve). Institucionet Financiare Jo-Bankë me fitimin më të lartë në vlerë absolute janë Kastrati, i shoqëruar nga Fondi Besa, Unioni Financiar Tiranë dhe Ak-Invest. Në rastin e Kastrati shpk, objekt i biznesit nuk është vetëm aktiviteti sipas licencimit nga Banka e Shqipërisë. Institucioni Financiar Jo Bankë me rritjen më të madhe të fitimit para tatimit në periudhën 2014 me 2015 janë NOA dhe Shoqëria e Parë e Investimeve – FAF, përkatësisht me 7 herë dhe 6 herë krahasuar me vitin 2014. Institucionet Financiare Jo-Bankë me rënien (humbjen) më të madhe në vlerë absolute janë Vodafone M-Pesa, i shoqëruar nga Albanian Leasing, Capital Invest, dhe IuteCredit Albania.
Norma e Kthimit mbi Kapitalin e Angazhuar (ROCE) Institucionet Financiare Jo-Banka në Shqipëri rezultojnë me një normë të kthimit të kapitalit të angazhuar (ROCE) në masën 16.6%, një nivel ky jo i lartë i përdorimit eficient të kapitalit në këtë sektor. Megjithatë, në disa prej këtyre subjekteve ky tregues nuk është shumë i besueshëm për shkak të nivelit të ulët të kapitalizimit që kanë këto IFJB (shumica janë “sh.p.k.” dhe kanë një nivel minimalist kapitali prej 100.000 Lekësh, edhe pse kanë volume të konsiderueshme aktiviteti dhe fitimi.
Për vitin 2015 rezulton që janë 17 Institucione Financiare jo Banka (ose 60.7% e rasteve) që kanë një nivel pozitiv të kthimit nga kapitali i angazhuar (ROCE). 9 IFJB (ose 32.1% e rasteve) kanë dalë me humbje e kanë këtë normë negative, ndërsa për 2 të tjera (ose 7.2% e rasteve) nuk ka të dhëna mbi fitimin e vitit 2015. Institucionet Financiare Jo-Banka që janë me fitim dhe që kanë nivelin më të lartë të përdorimit eficient të kapitalit të angazhuar (ROCE) për vitin 2015 janë Unioni Financiar Tiranë dhe
Kastrati. Institucionet Financiare Jo-Banka që kanë nivelin me të ulët të përdorimit eficient të kapitalit të angazhuar (ROCE) për vitin 2015 janë
Vodafone M-Pesa dhe
Capital Invest.
Institucionet Financiare Jo-Banka – Norma e Kthimit te Kapitalit te Angazhuar (ROCE) – viti 2015
Burimi: Ekstraktet e IFJB në QKB, 15 Mars 2017
Komentet dhe Analiza: ODA
Pasaporta me të dhëna mbi shoqëritë tregtare të cilat realizojnë aktivitet si Institucione Financiare Jo-Banka
IFJB në Shqipëri ju mund ti gjeni duke klikuar në portalin më të ri për të dhëna të hapura në gjuhën shqipe opencorporates.al . të dhënat janë përditësuar sipas Ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit në datën 15 Mars 2017. Gjithashtu në portalin Open Data Albania janë publikuar edhe artikuj të tjerë mbi
IFJB mbi Objekti i Aktivitetit dhe Origjina e Kapitalit sikurse
Struktura e Kapitalit Financiar për Institucionet Financiare Jo Banka.