Open Data Albania po analizon ndryshimet në të ardhurat buxhetore për vitin 2024, me Akt Normativ Nr. 3 datë 28.08.2024. Ky është ndryshimi i dytë i buxhetit të planifikuar me Ligj Nr. 97/2023. Ndryshimi i parë planifikimeve buxhetore u miratua në shkurt me Akt Normativ Nr. 1/2024 (shih artikullin për ndryshimet e miratuara).
Plani i të ardhurave buxhetore rivlerësohet 714.1 miliard lekë nga 686.8 miliard lekë (plani i rishikuar me AN 1/2024), pra një rritje me 27.3 miliard lekë. Në raport me planifikimin fillestar, të ardhurat e buxhetit të shtetit programohen me plus 38 miliard lekë (plus 5.6% e planit fillestar). Shtesa 27.3 mld lekë me aktin e dytë normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit shkon e gjitha për rritjen e shpenzimeve të planifikuara buxhetore (nga 744.1 në 771.4 miliard lekë). Ndërkohë balanca buxhetore ruhet e pandryshuar në nivelin 57.28 mld lekë.
Burimi: Ministria e Financave, Buxheti 2024: https://financa.gov.al/buxheti-2024/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Shtesa në të ardhurat buxhetore vjen nga zëri kryesor i buxhetit, të ardhurat tatimore (plus 19.2 miliard lekë) dhe nga të ardhurat jo tatimore, të cilat rivlerësohen me 8.1 miliard lekë më shumë në raport me planin e rishikuar të aktit normativ të shkurtit. Ndërkohë që nuk parashikohen ndryshime në të ardhurat nga ndihmat.
Burimi: Ministria e Financave, Buxheti 2024: https://financa.gov.al/buxheti-2024/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: Ministria e Financave, Buxheti 2024: https://financa.gov.al/buxheti-2024/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Të ardhurat tatimore ndahen në tre kategori, nga Tatimet dhe Doganat, të ardhura nga Pushteti Vendor dhe të ardhurat nga Fondet Speciale.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat është kategoria me rritjen më të lartë në planifikim, konkretisht plus 9.4 miliard lekë më shumë se plani i rishikuar në shkurt 2024. Zëri që rezulton me mbi realizim më të lartë është tatimi mbi fitimin, për shkak të fluksit të pagesave të tatimit mbi fitimin e kompanive që lidhet me fitimet e vitit 2023, i cili ka tejkaluar parashikimet. Konkretisht për vitin 2024 të ardhurat nga tatimi mbi fitimin riprogramohen në 59.7 miliard lekë nga 56 miliard lekë që ishte parashikuar me aktin e shkurtit (plus 3.7 miliard lekë).
Të ardhurat nga taksa nacionale janë parashikuar me plus 3.3 miliard lekë rritje nga plani i rishikuar në shkurt, kjo pasi disa nga taksat kombëtare që mblidhen nga administrata doganore, janë mbledhur dhe arkëtuar në buxhet.
Tatimi mbi vlerën e shtuar është rivlerësuar gjithashtu me rritje në plan, konkretisht plus 2.1 miliard lekë. Kjo pasi rritja ekonomike e qëndrueshme në vitin e kaluar, ka vazhduar edhe në gjysmën e parë të këtij viti, duke u shoqëruara me rritje të konsumit të mallrave dhe shërbimeve, dhe rritje të sektorëve të turizmit dhe ndërtimit.
Gjithashtu, me rritje janë rishikuar edhe të ardhurat nga Akcizat (plus 773 milion lekë) dhe Taksat Doganore (plus 307 milion lekë).
Tatimi mbi te Ardhurat Personale njohur si TAP mbahet mbi pagën dhe shërblimet e individëve në marrëdhënie punësimi, mbi të ardhurat nga shpërndarja e dividentit në shoqëritë tregtare, të ardhurat nga arkëtimi i qirave, të ardhurat nga shitje pasuri të paluajtshme, të ardhurat nga interesat bankare, të ardhurat nga investimi në tituj apo pasuri të luajtshme, të ardhura të fituara në lojërat e fatit, të ardhura nga e drejta e autorit dhe mbi të ardhurat e realizuara nga dhurimi.
TAP i projektuar për vitin 2024, rishikohet me ulje për shkak të shfuqizimit me Vendim të Gjykatës Kushtetuese nr. 52 datë 27.06.2024 për shfuqizimin disa neneve të Ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, të cilat përfshinin në skenën e taksimit nga 1 Janari i vitit 2024 shërbimet profesionale. Efekti i financiar vendimit të GJK-së rezulton minus 1.5 miliard lekë. Megjithatë, në total TAP rivlerësohet me minus 767 milion lekë, për shkak të performacës pozitive të të ardhurave nga tatimi mbi pagën në sektorin publik dhe privat.
Burimi: Ministria e Financave, Buxheti 2024: https://financa.gov.al/buxheti-2024/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: Ministria e Financave, Buxheti 2024: https://financa.gov.al/buxheti-2024/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Të ardhurat nga pushteti vendor rivlerësohen gjithashtu me rritje nga rishikimi i fundit, plus 8 miliard lekë. Arsyeja për këtë është rritja e arkëtimeve nga taksa lokale dhe taksa e pasurisë, të cilat rivlerësohen përkatësisht me plus 6.9 dhe plus 1.1 mld lekë.
Burimi: Ministria e Financave, Buxheti 2024: https://financa.gov.al/buxheti-2024/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Shtesa në kategorinë të ardhura nga Fondet Speciale prej 1.7 miliard lekë vjen nga rivlerësimi me plus 1.1 mld lekë i të ardhurave nga sigurimi shoqëror dhe 0.6 mld lekë nga sigurimi shëndetësor. Arsyeja kryesore për këtë është rritja e nivelit të pagës, jo vetëm në sektor publik por edhe atë privat, si dhe rritja e numrit të kontribuesve.
Burimi: Ministria e Financave, Buxheti 2024: https://financa.gov.al/buxheti-2024/
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Nga ana tjetër, rivlerësimi me plus 8 miliard lekë në të ardhurat jo-tatimore, vjen e gjitha nga zëri Te ardhura nga Shpronesimet. Kjo për arsye të kthimit në buxhet si të ardhura të një pjese të gjendjes së disponueshme prej 12.8 miliard lekësh të llogarisë së shpronsimeve në Bankën e Shqipërisë.
Shkarko excel: Ndryshime në të Ardhurat Buxhetore 2024, Akt Normativ Nr. 3 datë 28.08.2024Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Pajtim Nikolli