Open Data Albania po publikon të dhëna mbi  fondin e ndihmës ekonomike të alokuar në Shqipëri dhe familjet përfituese sipas viteve nga 2000 deri në vitin 2020. Burimi i të dhënave është marrë nga Shërbimi Social Shtetëror. Ndihma ekonomike është një pagesë e kufizuar në kohë dhe e kushtëzuar, që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, për kategoritë e përcaktuara në ligjin nr. 9355 /2005 “ Për ndihmën dhe shërbimet shoqëror”. Kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike vlerësohen sipas nevojave dhe mbajnë parasysh gjendjen e varfërisë.

Sipas Shërbimit Social, përfitues të ndihmës ekonomike janë kategoritë si familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, jetimët të cilët nuk janë në institucione, prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre, Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes si dhe fëmijë të vendosur në shërbimin e kujdestarisë.

Përgjatë kësaj periudhe të marrë në shqyrtim, vlera më e lartë e arritur e fondit të ndihmës ekonomike është shënuar në vitin 2013. Viti 2020 shënon një vlerë të ndihmës ekonomike alokuar për të gjitha familjet e përfshira në këtë program prej 3.829 miliard lekë. Krahasuar me vitin 2000, ky fond ka pësuar një rënie, nisur nga fakti se në këtë program në vitin 2000, numri i familjeve të përfshira ka qenë shumë më i lartë ndikuar dhe nga gjendja e rënduar ekonomike e vendit tonë. Vlera më e ulët e alokuar gjatë periudhës 2000-2020 e ndihmës ekonomike rezulton në vitin 2007 (2.194 miliard lekë), vit në të cilin fondi ka pësuar një rënie drastike prej 28.8% krahasuar me vitin e mëparshëm.


Burimi: Shërbimi Social Shtetëror
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Shërbimi Social Shtetëror
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Open Data Albania ka analizuar shpërndarjen e fondeve të ndihmës ekonomike bazuar dhe në strukturën familjare në Shqipëri përgjatë këtij 20-vjeçar. Përgjatë gjithë periudhës së analizuar, fondi më i lartë i alokuar vihet re në familjet e përbëra me 4 persona. Vlen të theksohet se deri në vitin 2012, vendin e dytë si përfituese e fondit të ndihmës ekonomike sipas strukturës ekonomike janë familjet me 6 persona e më shumë anëtarë në familje, ndërsa duke filluar nga viti 2013, vendin e dytë si përfituese e zënë familjet me 5 pjesëtarë në familje. Kjo vjen si rezultat i ndryshimit të strukturave familjare për ato njësi të cilat janë me të ardhura të ulëta. Shpërndarja më e vogël e fondeve të ndihmës ekonomike përqendrohet në familjet me 1 pjesëtar nisur nga numri i ulët i këtyre familjeve kundrejt strukturave të tjera si dhe vlerën në total që mund të nevojiten fonde për këtë strukturë të vogël.


Burimi: Shërbimi Social Shtetëror
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Shërbimi Social Shtetëror
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sipas të dhënave në tabelën e mëposhtme, nga 147 497 familje përfituese të ndihmës ekonomike në vend për vitin 2000, vetëm 61 445 familje përfitojnë ndihme ekonomike për vitin 2020. Numri i përfituesve të ndihmës ekonomike ka ardhur në rënie drastike si pasojë e ndryshimeve legjislative duke përjashtuar kategori të caktuara.

Viti 2018 shënon numrin më të ulët të familjeve përfituese të ndihmës ekonomike, ndikuar nga Udhëzim Nr. 8,datë 08.05.2017 ,Për disa ndryshime dhe shtesa në Udhëzimin Nr. 3 datë 17.02.2017 “Mbi zbatimin e Vendimit Nr. 955 datë 07.12.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e Kritereve, të Procedurave, Dokumentacionit dhe masës së përfitimit të Ndihmës Ekonomike”.


Burimi: Shërbimi Social Shtetëror
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Shërbimi Social Shtetëror
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Bazuar në udhëzimet e reja mbi caktimin e masës së përfitimit të ndihmës ekonomike, ndër vite është vendosur një vlerë e caktuar e ndihmës ekonomike që një familje përfiton në bazë të kritereve ekonomike. Open Data Albania ka përllogaritur vlerën mesatare mujore të ndihmës ekonomike për familje sipas strukturave të familjes përgjatë viteve 2000-2020. Viti 2020 ka shënuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin paraardhës lidhur me vlerën mesatare mujore të ndihmës ekonomike të alokuar për çdo familje sipas strukturave të ndryshme. Viti më i keq sa i takon masës së ndihmës ekonomike të alokuar për familje sipas strukturave rezulton viti 2007, ku masa ekonomike e përftuar ka pësuar një rënie krahasuar me vitin 2006. Përveç këtij viti, masa e ndihmës ekonomike ka pasur një trend rritës të lehtë vit pas viti. Nëse krahasojmë vitin 2020 me 2000 lidhur me vlerën mesatare mujore të shpërndarë për ndihmë ekonomike për çdo familje, vihet re se rritjen më të madhe e kanë përfituar familjet me 6 ose më shumë persona në familje shpjeguar dhe me numrin e lartë të anëtarëve të familjes. Vetëm për vitin 2020, diferenca në lekë duke kaluar nga struktura më e vogël te struktura më e madhe familjare, deri në strukturën me 5 pjesëtar për familje, rritet mesatarisht me 982 lekë me shtimin e një anëtari në strukturën e familjes.


Burimi: Shërbimi Social Shtetëror
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Shërbimi Social Shtetëror
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Ajo çfarë vë në dyshim eficensën e këtij programi është fakti se ky program jo vetëm nuk ndihmon familjet në vështirësi për të pasur një jetë normale, sa kohë që ky program ofron një ndihmë e cila mban qytetarët shqiptarë përfitues nën nivelin e varfërisë absolute prej 1.9 dollarë në ditë për person, nivel ky i përcaktuar nga Banka Botërore për vendet me të ardhura të ulëta.

Shkarko excel: Ndihma ekonomike dhe numri i Familjeve Përfituese 2000-2020
Komente dhe Analiza : Open Data Albania