Open Data Albania po rendit bizneset koncesionare apo Partneritete Private dhe Publike sipas vlerave të përfituara nga Thesari i Shtetit në vitin 2022. Gjatë këtij viti janë 9.73 miliard lekë të shpërndara për shoqëri koncesionare drejtpërdrejt buxhetore. Këtu nuk listohen disa koncesione të cilat paguhen përmes Fondeve Publike siç janë tre koncesione në Shëndetësi të cilat paguhen nga Fondi i Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor.
Pesë shoqëritë koncesionare që kanë përfituar vlerat më të larta të transaksione thesari gjatë vitit 2022 janë Gjoka 87, S2 Albania, Laboratory Networks, Integrated Energy BV SPV, dhe Albanian highway Concession.
Gjoka 87, shoqëria që zbaton kontratën koncesionare për Ndërtimin dhe Opermin e Rrugës së Arbrit ka përfituar transaksione shtetërore me vlerë 2.94 miliard lekë gjatë 2022.
S2 Albania, shoqëria që zbaton kontratën: Financimi, ngritja dhe operimi i shërbimit të skanimit të konteinerve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, është shënuar në transaksione me vlerë 2 miliard lekë vlerë përmes Thesarit të Shtetit, gjatë dymbëdhjetë muajve 2022.
Renditet e treta Shoqëria koncesionare Laboratory Networks, me 1.46 miliard lekë arkëtime nga Thesari 2022. Kjo shoqëri zbaton kontratën PPP: Ofrimi i Shërbimeve Laboratorike Spitalore.
1.43 miliard lekë në vitin 2022 ka paguar Thesari për Inceneratorin e Tiranës, konkretisht për shoqërinë që zbaton kontratën “Për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”. Integrated Energy BV SPV . Pagesat për këtë koncesion kanë filluar që në vitin 2018, deri tani nga Buxheti i Shtetit janë paguar total 6.12 miliard lekë.
Albanian Highway Concession, shoqëria që zbaton kontratën: Ndërtim, Operim dhe Mirëmbajtje e Rrugës Milot-Morinë ka përfituar transakasione në vlerë 741 milionë lekë gjatë vitit 2022. Ky koncesion arkëton drejtpërdrejt nga çdo automjet që kalon në rrugën e Kombit, dhe po njësoj arkëton edhe nga Buxheti i Shtetit.
Shkollat Koncesionare shfaqen për herë të parë në pagesa thesari në vitin 2022. Këto shkolla janë ndërtuar nga shoqëria fituese e koncesionit të Bashkisë së Tiranës, ky financim do të shlyet tashmë nga Buxheti i Shtetit bashkë më një përqindje vjetore interesi. Subjekti është Shoqëria Koncesionare Z.M.A, me kontratën Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë. Pasaporta për këtë shoqëri e krijuar në databazën Open Corporates Albania shfaq të dhëna mbi konsecionin dhe termat e tij.
Shoqeria Konçesionare “Rruga Orikum – Llogara” që zbaton kontratën: Ndërtimi dhe Operimi i Porti Jahteve Orikum – Dukat, ka arkëtuar respektivisht 225 milion lekë.
Integrated Technology Waste Treatment Fier, shoqëria koncesionare që zbaton kontratën: Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Fier, ka Transaksione Thesari gjatë vitit 2022 në vlerë 376 milion lekë. Krahasuar me vitin 2021 janë 313 milion lekë më pak. Kompania është nën sekuestro dhe administrim me Vendim të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nga marsi 2022. Marrëveshja e koncesionit është në hetim dhe shoqëria është nën administrim nga zyrtarë të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Po njësoj kontrata për Iceneratorin e Elbasanit, përkatësisht “Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Elbasanit” që e zbaton kompania Albtek Energy e cila tashmë e ka përfunduar edhe ciklin e arkëtimeve nga Buxheti i Shtetit për këtë Koncesion me mbështetje Buxhetore.
Një tjetër shoqëri koncesionare, ECO Cleaning, që zbaton kontratën: “Shërbimi i pastrimit, grumbullimit, transportimit dhe seleksionimit të mbetjeve urbane për Qytetin Kamëz” ka përfituar në vitin 2022 transaksione në vlerë 175 milion lekë. Kjo shoqëri nuk është me mbështje buxhetore nga institucionet shtetërore por paguhet nga pushteti vendor, përkatësisht Bashkia Kamëz.
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Në katërvjeçarin 2019-2022, Gjoka 87 është shoqëria koncesionare që ka përfituar vlerën më të lartë të transaksione thesari, përkatësisht 12.4 miliard lekë (dymbëdhjetë miliard e katërqind milion lekë). Pasohet me diferencë nga Integrated Energy BV SPV (Inceneratori i Tiranës) me përkatësisht 5.012 miliard lekë (pesë miliard e 12 milion lekë). S2 Albania është shoqëria e tretë koncesionare me vlerë më të lartë të përfituar si mbështetje buxhetore, përkatësisht 5.008 miliard lekë (pesë miliard e tetë milion lekë). Inceneratori i Fierit, Integrated Technology Waste Treatment Fier, renditet shoqëria e katërt koncesionare me përfitimin më të madh nga buxheti i shtetit me 2.57 miliard lekë. Të dhënat nuk përfshijnë Rimbursimin e TVSH për mallrat dhe shërbimet.
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Nga ana tjetër, janë edhe disa PPP të tjera që kanë përfituar transaksione nga Buxheti i Shtetit, për produktet dhe shërbimet që kanë kryer për institucionet buxhetore (pa llogaritur TVSH mbi mallrat dhe shërbimet).
ALEAT, shoqëria që zbaton kontratën koncesionare: Prodhimi dhe shpërndarja e dokumenteve të identitetit dhe pasaportave elektronike, ka përfituar transakasione në vitin 2022 nga Buxheti në vlerën 30 milion lekë. Këto arkëtime janë shpenzime të institucioneve buxhetore për prodhim dokumentacioni specifik.
Praslin Investment, shoqëria që zbaton kontratën: Ndërtimi, operimi dhe menaxhimi i Terminalit Juglindor të Tiranës për autobusët, në vitin 2022 ka përfituar 29 milion lekë nga Thesari. Pagesat e marra nga Buxheti i shtetit janë për rikonstruksionin e godinës së Qendrës së Transferimit të Teknologjisë Bujqësore në Fushë Krujë të dhëna nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Gjithashtu, Tirana International Airport dhe Kukës International Airport kanë përfituar transaksione nga Buxheti i Shtetit si shpenzime të institucioneve për qiramarrje në ambjentet e aeroporteve si dhe për shërbime të tjera siç mund të jetë magazinimi i mallrave. Përkatësisht, TIA në vitin 2022 ka përfituar transaksione në vlerë 5 milion lekë, ndërsa KIA ka përfituar 3.1 milion lekë.
Tabela: Vlera thesari të arkëtuara për PPP pa Mbështetje Buxhetore katërvjeçari 2019-2022
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
PPP që kanë përfituar transaksione për kompensim apo dëmshpërblime sipas vendimeve gjyqësore janë Albchrome (68.7 milion lekë në vitin 2022), Bankers Petroleum Albania ltd (11.05 milion lekë në vitin 2022), dhe Hec-i Dunice (1.2 milion lekë në vitin 2022 dhe 10.8 milion lekë në katërvjeçarin 2019-2022).
Tabela: PPP transaksione thesari si rezultat i Vendimeve Gjyqësore
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Shoqëria Koncesionare që ka përfituar vlerë më të lartë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për rimbursime Tatimi mbi Vlerën e Shtuar mbi mallrat dhe shërbimet është Albchrome. Pason Bankers Petroleum me vlerë të përfituar në vitin 2022, rreth 474 milion lekë dhe në katërvjeçarin 2019-2022, 3.8 miliard lekë.
Tabela: Rimbursim i TVSH për shoqëri Koncesionare përmes Transaksione Thesari të ekzekutuara në vitin 2022, lekë
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Të dhënat mbi transaksionet e thesarit shfaqen në databazën Open Spending Albania ndërsa Regjistri Kocesionar pjesë e databazës Open Corporates Albania ka krijuar pasaportë për secilën shoqëri koncesionare apo PPP ku shfaqen të dhëna të menaxhimit, performancës financiare, zotërues, objekt pune, zhvillime në vite apo të dhëna dhe dokumenta të tjera të Koncesionit dhe Marrëveshjes.
Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Ilir Brasha