Open Data Albania po analizon ndryshimet buxhetore për vitin 2023. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku buxheti i planifikuar kishte ndryshuar të paktën tre here deri në tetor, ky është ndryshimi i parë për buxhetin e 2023, miratuar me Aktin Normativ nr.5 dt 18.10.2023, duke sjellë ndryshime dhe shtesa në ligjin e nr. 84/2022 ‘Për buxhetin e vitit 2023’.
Rriten shpenzimet e planifikuara buxhetore nga 698.1 në 705.6 miliardë lekë pra me rreth 7.5 miliardë lekë, të cilat parashikohen nga të ardhurat shtesë. Balanca buxhetore nuk do të ketë ndryshime.
Shtesa në të ardhura buxhetore vjen nga zëri kryesor i buxhetit, që janë të ardhurat tatimore. ndërkohë që nuk parashikohen ndryshime nga të ardhurat jo tatimore apo nga ndihmat.
Burimi: Akt Normativ numër 5 / 2023
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kategoritë e të ardhurave qe kanë rezultuar me mbirealizim janë të ardhurat nga fondet speciale, ndaj riplanifikohen me plus 16.3 miliardë lekë apo 13 për qind më shumë se plani fillestar vjetor. 14.6 miliardë lekë shtesë në të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe 1.7 miliardë lekë të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shëndetësore me plus 1.7 miliardë lekë. Arsyeja kryesore për këtë mbi realizim në këto fonde është ndryshimi i pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve nga 34 mijë në 40 mijë lekë gjatë vitit 2023, si dhe nga rritja e pagave në sektorin shtetëror.
Burimi: Akt Normativ numër 5 / 2023
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Nga ana tjetër kategoritë e tjera të të ardhurave tatimore parashikohen më nën realizim duke u reflektuar kështu dhe më rënie të planit fillestar.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat me minus 7.4 miliardë lekë, pasi plani për disa zëra si TVSH dhe taksa nacionale, rivlerësohen përkatësisht me minus 11 dhe 13 miliardë lekë. Ndër arsyet kryesore janë ndryshimet në kursin e këmbimit me euron dhe dollarin pasi forcimi i paparashikuar i lekut kundrejt këtyre monedhave ka shkaktuar një rënie relative në çmimet e importit e rrjedhimisht dhe tvsh e arkëtuar për këto produkte të importuara. Disa zëra të të ardhurave tatimore që vijnë nga tatime dhe dogana pritet të mbyllin vitin buxhetor me mbi realizim e konkretisht, tatimi mbi fitimin me plus 9.5 miliardë lekë dhe tatimi mbi të ardhurat personale me plus 7 miliardë lekë, ky i fundit për shkak të rritjes së pagave por jo vetëm.
Burimi: Akt Normativ numër 5 / 2023
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Të ardhurat nga pushteti vendor parashikohen gjithashtu në rënie me minus 1.4 miliardë lekë, ku një peshë të konsiderueshme e ka rënia në arkëtimet nga taksa e pasurisë dhe konkretisht nga zëri taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja si dhe mosrealizimi në disa nga taksat lokale.
Burimi: Akt Normativ numër 5 / 2023
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Ndryshimet e mësipërme në të ardhura janë planifikuar të shkojnë për rritjen e shpenzimeve në disa kategori, ku 5 miliardë lekë i shtohen shpenzimeve korrente, 1.7 miliardë lekë për fondin rezerve dhe pjesa e mbetur për shpenzime kapitale.
Burimi: Akt Normativ numër 5 / 2023
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Nga shpenzimet korrente ndryshimi më i madh reflektohet si rritje e konsiderueshme prej 17 përqind e shpenzimeve të mirëmbajtjes për qeverisjen vendore ose plus 10.7miliardë lekë, ku krahas shtesës në shpenzime korrente, pjesa tjetër mbulohet nga rialokime të shpenzimeve të tjera, konkretisht nga reduktimi i shpenzimeve për interesa me gati 5 miliardë lekë.
Burimi: Akt Normativ numër 5 / 2023
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Rritjet në Fondin Rezerve shkojnë kryesisht shtesë për fondin e kontigjencës përkatësisht me plus 1.4 miliardë lekë ose plus 12 përqind e planit fillestar, fond i cili sipas ligjit organik të buxhetit, ka si synim të mbulojë efektet e mosrealizimit të të ardhurave dhe efektet e paparashikuara të normave të interesit. Edhe pse nga ecuria 9 mujore, Qeveria ka vendosur që të shkurtojë shpenzimet e planifikuara për interesa dhe të rrisë planin e të ardhurave, nga ana tjetër konstatohet një pasiguri e shtuar në planifikim, që reflektohet në rritjen e kontigjencës pikërisht në këtë kategori.
Shpenzimet kapitale rriten me 12.7 miliardë lekë pra 10 për qind më shumë, ku 12 miliardë lekë planifikohen shtesë për fondin e Rindërtimit. Ndërkohë që ka një ndryshim mes shpenzimeve për investime nga financim i brendshëm me plus 13.8 miliardë lekë dhe financim i jashtëm 13 miliardë lekë më pak, këto të fundit për shkak të mbarëvajtjes jo të kënaqshme në projekte kryesisht infrastrukturore.
Shtesat në Fondin e Rindërtimit një pjesë shkojnë për menaxhim nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit apo bashkive të prekura. Krahas Kurbinit ka dhe disa bashki të tjera si Peqin, Pustec, Poliçan, Fushë Arrëz etj, kryesisht bashki të vogla, që kanë përftuar shtesë transfertë të pakushtëzuar.
Burimi: Akt Normativ numër 5 / 2023
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Përveç shpenzimeve korrente, kapitale dhe fondit rezervë ky Akt Normativ ka prekur dhe shpenzime të tjera, një kategori e re e shtuar në buxhet vitet e fundit, konkretisht duke shkrirë fondin e planifikuar fillimisht prej 12 miliardë lekë si Mbështetje buxhetore për sektorin energjetik. Qëllimi për shkrirjen e këtij fondi është vlerësuar situate e qëndrueshme e këtij sektori gjatë 9 mujorit.
Në përfundim të kësaj analizë, konstatohet se qeveria vijon të shfaqë një vizion jo largpamës në vendimmarrjen e politikave publike, të tilla si në rastin e pagës minimale, ku evidentohen dhe vendime disa herë brenda një viti (si në 2022) dhe jo në një linjë me ligjet buxhetore për miratim të planeve vjetore.
Po kështu, Qeveria kujdeset që të parashikoje disa fonde kontigjencë (ekstra) për të mbuluar shpenzime potenciale shtesë nga luhatje të kursit të këmbimit, por nga ana tjetër, këtë skenar nuk e konsideron dhe për analizën e parashikimit të të ardhurave, sic është rasti i tvsh-së nga importi.
Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Blerina GJACI