Open Data Albania po kryen një analizë të efekteve që do të ketë Paketa Fiskale e propozuar nga Qeveria në Buxhetin e vitit 2024 dhe në parashikimet afatmesme. Ky artikull synon të vlerësojë ecurinë dhe strukturën e të ardhurave tatimore të mbledhura nga buxheti i shtetit, me qëllim të vlerësimit të efektivitetit të politikave fiskale të ndërmarra gjatë dekadës së fundit.

Të ardhurat tatimore përbëjnë 94% të totalit të të ardhurave në buxhetin e shtetit për vitin 2024, me peshën kryesore të “Të Ardhurave nga Tatimet dhe Doganat” (70%), ndjekur nga “Të Ardhurat nga Fondet Speciale” (25%) dhe “Të Ardhurat nga Pushteti Lokal” (5%). Të ardhurat tatimore në total parashikohet të arrijnë 634 miliardë lekë në 2024, duke shënuar një rritje 6.3% ose 38 miliardë lekë më shumë se viti 2023.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Sipas parashikimeve në Buxhet 2024, rritja më e lartë, prej 9%, do të ndodhë në kategorinë e të ardhurave (kontributet) për fondet speciale, ndërsa të ardhurat e tjera tatimore do të rriten mesatarisht 5%. Për vitin në mbyllje 2023, Qeveria synon një rritje prej 10% të totalit të të ardhurave tatimore, krahasuar me 2022, me rritjen më të lartë prej 18% në kategorinë e të ardhurave për fondet speciale. Përgjithësisht, të gjitha kategoritë e të ardhurave tatimore pritet të kenë rritje në 2023, përveç grupit të Taksave Nacionale, të cilat janë me mosrealizim 25% krahasuar me planin 2023, dhe me një normë rënie prej 9% krahasuar me realizimin e vitit 2022. 



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Pavarësisht rritjes së vlerës së të ardhurave tatimore për periudhën 2014-2026 (parashikim), raporti i tyre ndaj Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) tregon disa tendenca:

  1. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë luhatje në një interval prej 18% deri në 18.9% të PBB, pa shënuar një trend të qartë rritës gjatë kësaj periudhe.
  2. Të ardhurat nga fondet speciale janë rritur nga 5% në 6.5% të PBB, duke treguar një rritje stabël gjatë periudhës.
  3. Të ardhurat nga pushteti lokal kanë pësuar luhatje në një interval prej 0.9% deri në 1.4% të PBB, pa shënuar një trend të qartë rritës pas periudhës së pandemisë.


Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kategoria e të Ardhurave (Kontributet) për Fondet Speciale Trendi rritës i ardhurave për fondet speciale kryesisht lidhet me ndryshimet e pagave. Rritja e pagës minimale, rritja e pagave mesatare në administratën publike dhe rritja e pagës maksimale mbi të cilat llogariten kontributet, janë disa prej faktorëve që kanë ndikuar në rritjen e nivelit të përgjithshëm të pagave, rrjedhimisht në rritjen e detyrimeve për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kategoria e të Ardhurave (Kontributet) për Fondet Speciale Trendi rritës i ardhurave për fondet speciale kryesisht lidhet me ndryshimet e pagave. Rritja e pagës minimale, rritja e pagave mesatare në administratën publike dhe rritja e pagës maksimale mbi të cilat llogariten kontributet, janë disa prej faktorëve që kanë ndikuar në rritjen e nivelit të përgjithshëm të pagave, rrjedhimisht në rritjen e detyrimeve për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Megjithatë, rritja e lartë e kontributeve nuk ka shoqëruar një shtim proporcional të shpenzimeve për pensionet dhe mbrojtjen sociale. Shpenzimet në këtë sektor vlerësohen të kenë zbritur në nivelin minimal prej 7.3% të PBB në vitin 2023, në krahasim me 7.8% para pandemisë. Qeveria parashikon një rritje relative të shpenzimeve për pensionet dhe mbrojtjen sociale në vitin 2024, duke i mbajtur ato në nivelin 7.6% të PBB në periudhën afatmesme 2024-2026.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Gjithashtu, kontributet për sigurimet shëndetësore kanë treguar një trend rritjeje të butë në nivelet 0.6% – 0.8% të PBB për periudhën 2014-202, ndërsa shpenzimet buxhetore për sigurimet shëndetësore janë zvogëluar pas pandemisë.    



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kategoria e të Ardhurave nga Tatimet dhe Doganat Të Ardhurat nga Tatimet dhe Doganat pritet të arrijnë rreth 447 miliardë lekë në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 5% apo 23 miliardë lekë më shumë krahasuar me 2023. Pjesa kryesore, rreth 47% e të ardhurave vjen nga “Tatimi mbi Vlerën e Shtuar”.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Struktura e të ardhurave nga tatimet dhe doganat në Buxhetin 2024 tregon dy ndryshime kryesore: rritje në peshën e “Tatimit nga të Ardhurat Personale”, e cila arrin nivelin 15% të totalit, krahasuar me 13% në 2023, dhe rënie në peshën e “Tatimit nga Fitimi” në nivelin 12%, në krahasim me 14% në 2023.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në kategorinë e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, Buxheti 2024 ka parashikuar një serë masash që bazohen në Paketën Fiskale 2024, por efektet më të mëdha i përkasin rishikimit të legjislacionit tatimor gjatë dy viteve të fundit, si vijon:

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH): Parashikohet të jetë 211 miliardë lekë, me rritje 5.6% apo 11 miliardë lekë më shumë se pritjet për vitin 2023. Ligji i ndryshuar për tatimin mbi vlerën e shtuar përfshin masa për qasje dekarbonizuese dhe stimulim të sektorit bujqësor dhe blegtoral. Ndryshimet pritet të sjellin një ndikim negativ financiar prej minus 155 milionë lekë në buxhetin e shtetit për vitin.

Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP): Parashikohet të jetë 65.2 miliardë lekë, me rritje 16% apo 9.2 miliardë lekë më shumë se pritjet për 2023. Peshën kryesore brenda kategorisë TAP e zë tatimi mbi pagat, ku sektorët më të rëndësishëm janë  shërbimet (69%), prodhimi (13%) dhe tregtia (11%). Me trend rritës janë zërat e tatimeve nga shitja e pasurive të paluajtshme, të ardhurat e qirave dhe të ardhurat nga dividendët dhe aksionet. Ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat sjell ndryshime, duke përfshirë taksimin progresiv për kategorinë e vetëpunësuarve duke filluar nga Janari 2024, me një efekt pozitiv të vlerësuar në buxhet prej 3 miliardë lekë. Masë tjetër e propozuar nga ky ligj është edhe rritja e kufirit të patatueshën të pagës nga 40 mijë në 50 mijë lekë, me një efekt negativ të vlerësuar në buxhet 1-1,2 miliard lekë në vit.

Tatimi mbi Fitimin (TF): Parashikohet të jetë 53.7 miliardë lekë, me rënie 9% apo 5.3 miliardë lekë më pak se pritjet në 2023. Buxheti 2024 informon se tatimi mbi fitimin për vitin 2023 përfshin edhe arkëtimin prej 9.5 miliardë lekë të kontributit special nga fitimet e sektorit energjetik, por nuk sqaron nëse parashikimi në rënie i të ardhurave për vitin 2024 lidhet me sektorin energjetik. Ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat konfirmon ruajtjen tatimit 0% për kompanitë dhe bizneset e vogla me qarkullim deri në 14 milionë lekë, me përjashtim të profesioneve të lira, zgjatjen e periudhës nga 3 në 5 vjet të mbartjes së humbjeve për kompanitë, lehtësimin e shpenzimeve afatgjata nëpërmjet amortizimit linear të grupeve makineri/pajisje dhe soft/hardware, etj.

Të Ardhurat nga Akcizat: Parashikohet të jenë 63.6 miliardë lekë, me rritje 8% apo 4.6 miliardë lekë më shumë se pritjet në 2023. Rritja lidhet me masat e miratuara nga rishikimi i ligjit për akcizat në dy vitet e fundit, si indeksim i akcizës çdo dy vjet dhe masa të tjera të miratuara për akcizat e cigareve, birrës dhe heqjen e akcizës për akumulatorët e automjeteve elektrike, me efekt neto pozitiv rreth 2.5 miliardë lekë.

Taksat Nacionale: Parashikohet të jenë 44.3 miliardë lekë, me rritje 8% apo 3.3 miliardë lekë më shumë se pritjet në 2023. Ligji i rishikuar për taksat kombëtare përfshin rritjen e taksës së karbonit dhe përfshirjen e disa nënprodukteve të tjera të qymyrit, me efekt pozitiv në buxhet prej 170 milionë lekë në 2024, deri në 1.6 miliardë lekë në 2030. Pritet të gjenerohen rreth 2 miliardë lekë të ardhura shtesë në 2024 nga ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit dhe kazinotë, përfshirë taksat nacionale për regjistrimin e operatorëve në fushën e basteve sportive dhe të ardhurat nga tatimi mbi lojrat e fatit-basteve sportive online nga subjektet e licensuara.

Taksat Doganore: Parashikohet të jenë 9 miliardë lekë, me rritje të lehtë 2.5% apo 200 milionë lekë më shumë se pritjet në 2023.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Pavarësisht rritjes në vlerë të kategorisë së të ardhurave nga tatimet dhe doganat për periudhën 2014-2026, raporti i tyre ndaj PBB tregon këto tendenca:

  1. Të ardhurat nga TVSH janë luhatur në një interval 8.7% – 8.8% të PBB, pa shënuar një trend rritës gjatë kësaj periudhe.
  2. Të ardhurat nga TAP kanë shënuar një trend rritës nga 2.1% në 2.7% të PBB për të periudhën.
  3. Të ardhurat nga Tatim Fitim kanë shënuar një trend rritës nga 1.5% në 2.2% të PBB në periudhën para pandemisë, duke ruajtur në vijim të njëjtin nivel prej 2.2% për periudhën afatmesme 2023-2026.
  4. Të ardhurat nga akcizat kanë pësuar luhatje në një interval 2.6% – 2.9% të PBB, duke shënuar një trend rënës pas pandemisë.
  5. Të ardhurat nga taksat nacionale kanë pësuar luhatje në një interval 1.8% – 2.5% të PBB, duke shënuar një trend rënës pas vitit 2017.


Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Një ndikim të rëndësishëm në këtë ecuri kanë edhe përjashtimet nga taksat dhe tatimet, që ndryshe njihen si shpenzim tatimor, pasi përbëjnë të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit, për shkak të politikave fiskale të miratuara nga Qeveria. Sipas raportit të fundit për Shpenzimet Tatimore të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për vitin 2019 dhe 2020 shpenzimet tatimore janë përkatësisht 5% dhe 5.4% e PBB, ku peshën kryesore e zëne shpenzimet për TVSH (4.8% dhe 5.2%). Në mungesë të të dhënave për periudhën 2021-2022, tendenca në rritje e shpenzimeve tatimore, vlerësohet se redukton të ardhurat në buxhetin e shtetit, duke minimizuar hapësirat për përballimin e shpenzimeve publike minimalisht me 5% të PBB.

Kategoria e të Ardhurave nga Pushteti Lokal Të Ardhurat nga Pushteti Lokal parashikohet të jenë mbi 29 miliardë lekë në vitin 2024, me rritje 5% krahasuar me 2023. Pjesa kryesore, rreth 80% e të ardhurave vjen nga “Taksat lokale”. Struktura e të ardhurave nga pushteti lokal në raport me PBB evidenton faktin se taksat lokale kanë shënuar trend rritës, në nivele nga 0.5% në 1% e PBB për periudhën 2014-2023, ndërsa tatimi mbi pasurinë (ndërtesat) ka mbetur pothuajse i pandryshuar në nivelin e 0.3% e PBB, me një trend rënës pas pandemisë.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Treguesi i të ardhurave nga pushteti lokal në raport me PBB luhatet në një interval prej 1% deri në 1.4% për periudhën 2016-2026, me një trend rënës pas periudhës së pandemisë. Ndërkohë, shpenzimet për pushtetin lokal shfaqen në një interval prej 2.8% deri në 3% të PBB për të njëjtën periudhë. Ecuria e të ardhurave dhe shpenzimeve të parashikuara për pushtetin lokal pritet të gjenerojë një deficitit në nivelet 1.7% dhe 1.8% të PBB për periudhën afatmesme 2024-2026.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2023)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Për më shumë detaje, aksesoni dokumentin Excel bashkëlidhur këtij Artikulli.

Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Elivar Golemi