Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2024” si dhe treguesit kryesorë fiskalë për vitin 2024 dhe projektimet për periudhën afatmesme 2024 – 2026. Ky artikull analizon treguesit kryesorë fiskalë të buxhetit për vitin 2024 dhe ndikimin e tyre në përmirësimin e standardit të jetesës në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera. Përmes analizës së të ardhurave, shpenzimeve dhe deficitit buxhetor, shqyrtohet ecuria historike dhe projektuar në periudhën 2014-2026.

Ecuria e Treguesve Kryesorë Fiskalë: Buxheti 2024 dhe Ecuria Afatmesme

Të ardhurat buxhetore planifikohet të jenë 675 miliardë lekë në 2024, me rritje 3.8% krahasuar me 2023. Norma e rritjes së të ardhurave buxhetore ka reflektuar përmirësim pas periudhës së pandemisë (2021-2023), rritje që lidhet kryesisht me efektet e inflacionit dhe rritjen e shpenzimeve qeveritare. Për periudhën 2024-2026, rritja e të ardhurave parashikohet e ngjashme me tendencën para pandemisë.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomise
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomise
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Pavarësisht se të ardhurat buxhetore të mbledhura nga Qeveria janë pothuajse dyfishuar në vlerë gjatë dekadës së fundit, raporti i të ardhurave buxhetore ndaj PBB-së ka mbetur në nivelet 26% – 28%, me tendencë rënie në 2024. Ky raport është shumë i ulët në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian (mesatare 46% e PBB) apo me vendet e rajonit (mesatare 36% e PBB).

Rritja e kufizuar e të ardhurave buxhetore ndaj PBB-së reflekton mungesën e efektivitetit të politikave fiskale të hartuara nga Qeveria, duke minimizuar hapësirat fiskale për rritjen e shpenzimeve buxhetore pa krijuar borxh të ri publik. 

Shpenzimet buxhetore planifikohet të jenë 736 miliardë lekë në 2024, me rritje 4.3% krahasuar me 2023. Ecuria e shpenzimeve buxhetore ka reflektuar normë rritje më të lartë në periudhën 2009-2023, për shkak të rindërtimit pas tërmetit, menaxhimit të pandemisë dhe krizës së inflacionit. Për periudhën afatmesme 2024-2026, shpenzimet e kryera nga Qeveria planifikohet të ndjekin ecurinë e rritjes të ardhurave buxhetore, për të mbajtur nën kontroll deficitin buxhetor dhe borxhin publik.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomise
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomise
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Raporti i shpenzimeve buxhetore ndaj PBB-së ka mbetur në nivelet 29% – 32% gjatë dekadës së fundit, me tendencë rënie në 2024. Për krahasim me vendet e tjera, shpenzimet buxhetore ndaj PBB-së tejkalojnë 50% për vendet e Bashkimit Evropian apo mesatarisht 38% për vendet e Ballkanit Perëndimor. Treguesi i shpenzimeve buxhetore ndaj PBB-së ndikohet drejtpërsëdrejti nga struktura dhe norma e rritjes së të ardhurave buxhetore, rrjedhojë e politikave fiskale të hartuara nga Qeveria.

Pjesë e shpenzimeve buxhetore, investimet publike janë planifikuar 5.3% e PBB-së në 2024, ndërsa vlera totale e kontratave Koncesionare/PPP parashikohet të jetë mbi 30% e PBB-së, ku përfshihen kontratat ekzistuese në vlerë 635 miliardë lekë dhe kontratat e propozuara në vlerë 110 miliardë lekë.    

Deficiti buxhetor, që ndryshe njihet si diferenca midis shpenzimeve dhe të ardhurave buxhetore, planifikohet të jetë 2.5% e PBB-së në 2024, nga 1.9% në 2019 përpara pandemisë. Deficiti buxhetor i Qeverisë financohet çdo vit nëpërmjet rritjes së stokut të borxhit publik. Vlera totale e borxhit publik planifikohet të rritet me 60 miliardë lekë në 2024, ndërsa raporti i tij ndaj PBB-së pritet të zbresë nën nivelin 60%.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomise
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ndikimi i Treguesve Kryesorë Fiskalë në Standardin e Jetesës: Krahasimi me vendet e Ballkanit Perëndimor

Krahasimi i të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore ndaj produktit të brendshëm bruto mundëson analizën e ecurisë se treguesve fiskalë jo vetëm në periudha kohore por edhe midis vendeve të ndryshme. Në këtë aspekt, Shqipëria ka tregues fiskalë më të ulët krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor1 dhe të Bashkimit Evropian, që nënkupton se pesha e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore ndaj PBB-së nuk mundëson përmirësimin e standardeve të jetesës paralelisht me rritjen e produktit të brendshëm kombëtar.  



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomise
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore (BB)2, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë progres në aspektin e krahasimit (konvergjencës) të të ardhurave për frymë me mesataren e vendeve të BE-së, por shpejtësia e progresit ndryshon midis vendeve.

Ndërsa, në Mal të Zi dhe Serbi ka patur një shpejtësi progresi në rritje gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria ka reflektuar shpejtësi progresi në rënie gjatë dekadës së fundit.



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomise
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Parlamenti Evropian3 ka vlerësuar gjithashtu se normat mesatare të rritjes së PBB-së në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë mbi ato të arritura mesatarisht në vendet e BE-së gjatë dekadës së fundit, duke lejuar konvergjencën e të ardhurave për frymë me nivelet mesatare të të ardhurave në BE, ku Shqipëria ka progres më të ulët krahasimisht me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.  



Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomise
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Nga krahasimi i disa prej treguesve të vlerësimit të standardit të jetesës, konstatohet se:

  • norma e varfërisë në Shqipëri është më e larta në rajon në vitin 2023 (24% e popullsisë) dhe në parashikimet afatmesme 2024-2025;
  • pesha e shpenzimeve buxhetore për mbrojtjen sociale në Shqipëri vazhdon të jetë e ulët në 2023 (11.5% e PBB) dhe planifikohet në rënie në 2024-2025, duke lënë pas vetëm Kosovën në rajon. Për krahasim me vendet e BE-së, treguesi mesatar i shpenzimeve buxhetore për mbrojtjen sociale është mbi 20% e PBB-së.
  • pesha e shpenzimeve buxhetore për pagat në Shqipëri është më e ulëta në rajon në 2023 (4.5% e PBB) dhe në parashikimet për periudhën 2024-2025, pavarësisht iniciativës së Qeverisë për rritjen e pagave në administratën publike.


Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomise
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Si konkluzion, pavarësisht rritjes së të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore për vitin 2024, treguesit e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore ndaj PBB-së në Shqipëri mbeten në nivele të ulëta krahasimesh me vendet e tjera, duke reflektuar mungesën e efektivitetit të politikave fiskale. Krahasimi me vendet e rajonit tregon një standard më të ulët të jetesës në Shqipëri, veçanërisht në aspektet e të ardhurave për frymë, normës së varfërisë, shpenzimeve për mbrojtjen sociale dhe nivelit të pagave. Rishikimi i politikave fiskale duhet domosdoshmërisht të shoqërohet me monitorimin e vazhdueshëm të ndikimit të treguesve kryesorë fiskalë në përmirësimin e standardit të jetesës.

Për më shumë detaje, aksesoni dokumentin Excel bashkëlidhur këtij Artikulli.



1. Albania, Bosnia and Herzegovina, Kosovo, Montenegro, North Macedonia, and Serbia
2. Western Balkans Regular Economic Report, Toward Sustainable Growth, WORLD BANK GROUP No. 24, Fall 2023
3. The Economic and Investment Plan for the Western Balkans: assessing the possible economic, social and environmental impact of the proposed Flagship projects, European Union, 2022

Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Elivar Golemi