Open Data Albania në këtë artikull analizon Listën e Investimeve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për periudhën 2025-2028. Lista e investimeve bazohet në Ligjin nr. 87, datë 12.12.2025 “Për Buxhetin e Vitit 2026”, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe publikuar në faqet zyrtare të Kuvendit dhe Ministrisë së Financave, së bashku me tabelat shoqëruese të paketës buxhetore.
Në planin afatmesëm 2025 – 2028, AKSHI parashikohet të realizojë / prokurojë gjithsej 50 Projekte Investimi, me një vlerë totale portofoli prej 38.62 miliardë lekësh, ose rreth 398.6 milionë euro.
Në Listën e Projekteve 2025 – 2028, evidentohet si projekti me vlerë më të lartë ‘Zgjerimi i rrjetit GovNET’, një projekt i ri me vlerë totale portofoli 4.7 miliardë lekë. Për vitin 2026 ky projekt paraqitet pa financim të planifikuar, ndërkohë që financimi kryesor është i përqendruar në vitet pasuese, kryesisht pas vitit 2028, me rreth 4.2 miliardë lekë, ose 88.7% të vlerës totale të projektit.
Në vendin e dytë renditet projekti ‘Ngritja e qendrave BCC (Business Continuity Center) dhe DRC (Disaster Recovery Center) për sistemet elektronike qeveritare’, me një vlerë totale portofoli prej rreth 4.5 miliardë lekësh.
Projekti me financim të huaj ‘Smart Lab’, i mbështetur nga WBIF/CEB dhe i nisur në vitin 2024, paraqitet me një vlerë totale prej rreth 4.3 miliardë lekësh.
Burimi: Kuvendi, Buxheti 2026
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Dhjetë projektet me vlerë më të lartë për vitet 2025-2028, në listën e investimeve të AKSHI-t janë:
Zgjerimi i rrjetit GovNET – me një vlerë totale portofoli prej rreth 4.7 miliardë lekësh;
Ngritja e qendrave BCC (Business Continuity Center) dhe DRC (Disaster Recovery Center) për sistemet elektronike qeveritare – me një angazhim financiar që kap vlerën e afërsisht 4.5 miliardë lekëve;
Smart Lab – me portofol investimi prej rreth 4.3 miliardë lekësh;
Digjitalizimi i pushtetit vendor – rreth 4.1 miliardë lekë kosto totale të vlerësuar;
Bashkëfinancim IPA për digjitalizim – me vlerë investimi rreth 1.9 miliardë lekë;
Modernizimi i sistemit të prokurimeve publike – paraqitet me portofol financiar rreth 1.9 miliardë lekë;
Përmirësimi i shërbimeve elektronike me teknologji mikroservisi – përfaqëson një investim të planifikuar rreth 1.7 miliardë lekë;
Sistemet TIK për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve (DPT) (Integrim në BE) – ka një vlerë rreth 1.2 miliardë lekë;
Sistemet TIK për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) (Integrim në BE) – me kosto investimi rreth 1.1 miliardë lekë;
Implementimi i Platformës Qeveritare të Ndërveprimit 2.0 dhe site sekondar – përfaqëson një investim të planifikuar në rreth 1.4 miliardë lekë;
Burimi: Kuvendi, Buxheti 2026
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Renditja e projekteve sipas vlerës së parashikuar për shpenzim gjatë vitit 2026 evidenton në krye projektin ‘Modernizimi i sistemit të prokurimeve publike’, me një vlerë prej rreth 1.15 miliardë lekësh për këtë vit. Ky investim është pjesë e paketës së projekteve GovTech, të mbështetura me financim nga Banka Botërore (marrëveshje 9483-AL dhe 97780-AL). Vlera totale e projektit është rreth 1.9 miliardë lekë, ndërsa financimi i vitit 2026 përfaqëson rreth 60.7% të vlerës totale.
Në vendin e dytë renditet projekti ‘Përmirësimi i shërbimeve elektronike me teknologji mikroservisi’, me rreth 600 milionë lekë të planifikuara për vitin 2026. Ky projekt, gjithashtu pjesë e paketës GovTech dhe i nisur në vitin 2024, ka një vlerë totale portofoli prej rreth 1.7 miliardë lekësh dhe parashikohet të përfundojë në vitin 2027.
Projekti i tretë sipas financimit për vitin 2026 është ‘Implementimi i Platformës Qeveritare të Ndërveprimit 2.0 dhe site sekondar’ me një planifikim prej rreth 563.6 milionë lekësh.
Burimi: Kuvendi, Buxheti 2026
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Dhjetë Projektet e AKSHI-t me financimin më të lartë për vitin 2026 janë:
Modernizimi i sistemit të prokurimeve publike (GovTech 2) – me një financim të planifikuar prej 1.15 miliardë lekë.
Përmirësimi i shërbimeve elektronike përmes arkitekturës së mikroserviseve – me një planifikim buxhetor në nivelin e 600 milionë lekëve.
Platforma Qeveritare e Ndërveprimit 2.0 – me një fond të parashikuar prej 563.6 milionë lekësh.
Zhvillimi i sistemeve TIK për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve (Integrim në BE) – shoqërohet me një financim prej 463 milionë lekësh.
Sistemet TIK për MBZHR dhe AZHBR (Integrim në BE) – me një buxhet të planifikuar prej 400 milionë lekësh.
Smart Lab – parashikon për vitin 2026 një financim në vlerën 340 milionë lekë.
Infrastruktura hardware e qendërzuar – paraqitet me një fond të parashikuar prej 336 milionë lekësh.
Shoqëria Oracle – me një angazhim financiar prej 300 milionë lekësh.
Përmirësimi i Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë (SIFQ) – ka të parashikuar për vitin 2026 një financim prej 213 milionë lekësh.
Sistemi i menaxhimit të dokumenteve elektronike dhe arkivës 2.0 – me një buxhet të planifikuar prej 210 milionë lekësh.
Burimi: Kuvendi, Buxheti 2026
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kategorizuar sipas burimit të financimit, 45 projekte rezultojnë me financim të brendshëm, vlerë totale portofoli 24.34 miliardë lekë dhe 5 projekte me financim të huaj, me një vlerë totale portofoli prej rreth 14.28.
Në këtë artikull kemi renditur investimet në Teknologji dhe Digjitalizim që planifikohen të prokurohen dhe realizohen me strukturë zbatuese AKSHI-n. Nuk janë përfshirë projekte të tjera në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit që zbatohen nga institucione apo dikastere të tjera të qeverisë, si, për shembull, projekti Smart City.
Projektet dhe kontraktimet e kësaj agjensie mund të evidentohen dhe gjurmohen edhe përmes aksesimit të transaksioneve të buxhetit të shtetit përmes Thesarit. Ky shërbim aksesohet përmes Spending Data Albania.
Ky artikull publikohet së bashku me dataset-in e plotë në versionin Excel, si pjesë e angazhimit për transparencë dhe ripërdorim të të dhënave publike. Dataset-i përmban informacion të detajuar, sipas viteve, për secilin nga 50 projektet e investimit të AKSHI për periudhën 2025 – 2028 dhe mund të përdoret për analiza të mëtejshme nga studiues, media dhe publiku i interesuar.
Shkarko excel: Lista e Investimeve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për vitin 2026Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: O.D.A




