Numri i bankave të huaja është rritur veçanërisht në 2008, kur u shtuan edhe 2 banka të reja. Gjithashtu bankat me kapital të huaj kanë edhe pjesën më të madhe të aktiveve të sistemit (rreth 90%), ndërkohë që bankat me kapital vendas zënë vetëm 10% të totalit të aktiveve. Vlera totale e aktiveve të sektorit bankar në Kosovë në fund të vitit 2009 vlerësohet në rreth 2.2 miliardë Euro, duke paraqitur një rritje vjetore prej 21.9% (krahasuar me një vit më parë).
Bazuar në këto të dhëna vlerësohet se aktivet e sistemit bankar janë rreth 56.5% të Produktit të Brendshëm Bruto. Pjesën më të madhe të aktiveve të sistemit bankar e përbëjnë kreditë (58.5%).
Ndërkohë në krahun e pasivit, depozitat kanë peshën më të madhe (rreth 79%), ndërkohë që kapitali aksioner zë rreth 9.3% të totalit. Krahasuar me vitin 2009, vlera totale e depozitave është rritur me rreth 21% nga viti paraardhës. Një ndër problemet potenciale të sistemit bankar në Kosovë është përqëndrimi i aktivitetit në dy banka: Procredit Bank dhe Raiffeisen Bank Kosovo, të cilat sëbashku kanë rreth 65% të aktiveve totale, gjë që ndikon negativisht në konkurrencën e sistemit bankar.

