Open Data Albania ka përditësuar të dhënat në lidhje me numrin e lindjeve dhe vdekjeve në Republikën e Shqipërisë. Numri i lindjeve dhe vdekjeve kanë si bazë të dhënat nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile.

Numri i lindjeve në vendin tonë përgjithësisht paraqet një tendencë rënëse. Ulja vjetore më e madhe e numrit të lindjeve shënohet në vitin 2002, ku krahasuar me vitin 2001 kemi rreth 20% më pak lindje. Ndërsa viti me rritjen më të madhe vjetore të numrit të lindjeve është viti 1994, ku krahasuar me vitin 1993 kemi rreth 6.6% më shumë lindje. Numri më i madh i lindjeve është shënuar në vitin 1990 me  82 125 lindje, ndërsa numri më i ulët i lindjeve është shënuar në vitin 2008 me 33 445 lindje.

Burimi: INSTAT       
Komente dhe Analiza: Open Data Albania       

Në klasifikimin e lindjeve sipas gjinisë, vihet re që raportet nuk kanë ndryshuar në asnjë vit. Që prej vitit 1990 kemi më shumë lindje të gjinisë mashkullore sesa të gjinisë femërore, duke mbajtur një koeficent mashkulliniteti (raporti lindje meshkuj/femra) mbi 1. Numri më i lartë dhe më i ulët i lindjeve në gjininë mashkullore dhe femërore përkon me vitet 1990 dhe 2008, sikurse në rastin e lindjeve totale.


Burimi: INSTAT
Komente dhe Analiza: Open Data Albania


Numri i vdekjeve paraqitet në nivele më konstante kundrejt numrit të lindjeve. Rritja vjetore më e lartë e numrit të vdekjeve është shënuar në vitin 2001, ku kemi rreth 16% më shumë vdekje se një vit më parë. Ulja më e madhe vjetore e numrit të vdekjeve i përket vitit 1999, ku krahasuar me vitin 1998  kemi rreth 8.4% më pak vdekje.  Në vitin 2003 u shënua numri më i lartë i vdekjeve me 21 294 vdekje, ndërsa në vitin 2000 u shënua numri më i ulët i vdekjeve me 16 421 vdekje.


Burimi: INSTAT
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ashtu sikurse në rastin e lindjeve, edhe në këtë rast dominojnë vdekjet e gjinisë mashkullore për çdo vit që prej vitit 1990. Numri më i ulët i vdekjeve për gjininë mashkullore dhe femërore përkon me vitin me numër vdekjesh më të ulët, pra vitin 2000. Nga ana tjetër, numri më i lartë i vdekjeve të gjinisë mashkullore është shënuar në vitin 2003 me 11 897 vdekje, ndërsa për femrat numri më i lartë i vdekjeve është shënuar në vitin 2012, me 9 700 vdekje.


Burimi: INSTAT
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kontribuoi: Ina Baja