Open Data Albania ka përditësuar të dhënat e stokut të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) në ekonominë shqiptare sipas të dhënave të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Stoku i Investimeve të Huaja Direkte përfaqëson nivelin e Investimeve Direkte në një pikë të caktuar kohore. Ndryshe stoku i IHD-ve përfaqëson vlerën e aseteve që zotërojnë të huajt në ekonominë shqiptare, në formën e kapitalit dhe huave neto që ata kanë dhënë për kompanitë rezidente.  

Në fund të vitit 2017, stoku i Investimeve të Huaja Direkte në ekonominë shqiptare arriti në 6.5 miliardë euro, çka shënon vlerën më të lartë historike. Vlera e aseteve që të huajt zotërojnë në Shqipëri ka ardhur në rritje nga viti në vit, dhe nga 3.9 miliardë euro që ishte në vitin 2012 ka mbërritur në 6.5 miliardë euro në fund të vitit të kaluar.


Të dhënat: BSH
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Open Data Albania ka hulumtuar edhe origjinën e investimeve të huaja direkte në Shqipëri sipas vlerave dhe viteve. Vendi me stokun më të lartë të IHD-ve mbete Greqia. Në fund të vitit 2017 stoku i investimeve të kompanive greke në Shqipëri ishte 1.28 miliardë euro ose 19.6 për qind e totalit.

Shtete të tjera me peshë për sa i përket Investimeve të Huaja Direkte në Shqipëri janë Zvicra me 13.6 për qind, Kanadaja me po 13.6 për qind dhe Holanda me 13%. Kompanitë italiane dhe ato turke zotërojnë respektivisht 10 për qind dhe 8 për qind të Investimeve të Huaja Direkte në Shqipëri, ndërsa Austria zotëron 6.4 për qind.


Të dhënat: BSH
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Investimet greke në vend përgjithësisht janë të shtrira në sektorin bankar, atë të telekomunikacioneve, por edhe sektorë të tjerë prodhues. Për Kanadanë, pjesa dërrmuese e investimeve përfaqësohet nga Bankers Petroleum, ndërsa në rastin e Zvicrës pesha e lartë e investimeve lidhet me gazsjellësin Transadriatik.

Interesante është se si ka ndryshuar ndër vite stoku i Investimeve të Huaja Direkte sipas vendit të origjinës. Të dhënat tregojnë se Greqia ka pasur pak a shumë një nivel konstant të stokut të Investimeve të Huaja në 3 vitet e fundit. Ndërsa, vendi me rritjen më të madhe është Zvicra, e cila në 3 vitet e fundit i ka rritur me mbi 10 herë investimet në Shqipëri, nga 79.4 milionë euro në vitin 2014 në 888.3 milionë euro në fund të 2017.

Po kështu një tjetër vend me rritje të vrullshme të Investimeve të Huaja në Shqipëri është edhe Holanda. Stoku i Investimeve holandeze në Shqipëri u rrit nga 506 milionë euro në 2014-ën në 845.7 milionë euro në fund të vitit të kaluar me një rritje prej gati 70 për qind.

Në rastin e Zvicrës, rritja e investimeve të huaja i dedikohet thuajse tërësisht gazsjellësit Transadriatik, ndërsa për Holandën ajo ka ardhur nga kompania e naftës Shell, por edhe si pasojë e faktit se një sërë kompanish koncesionare (partneritete publike dhe private) që janë në Shqipëri po vijnë nga Holanda.

Shkarko excel: Stoku i IHD-ve sipas vendit të origjinës 2012 – 2017
Comment and Analysis: Open Data Albania