Investimet publike janë një ndër elementët më kryesorë që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të një vendi. Open Data Albania ka marrë në analizë realizimin faktik të tyre në vitin 2014, duke i vendosur në raport me disa tregues të tjerë financiar si Shpenzimet Totale të Buxhetit dhe Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Për vitin 2014 ishin parashikuar 67.2 miliardë lekë investime, që përbënin 14.7% të Shpenzimeve Totale të Buxhetit dhe 4.82% të PBB-së. Pjesa më e madhe e investimeve, rreth 57% apo 38.6 miliardë lekë ishin me financim të huaj.


Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Rishikimi i buxhetit me Aktin Normativ në shtator të 2014-s solli një rritje fare të lehtë në investimet publike totale, me 44.9 milionë lekë, por në të njëjtën kohë prezantoi edhe një ndryshim në strukturën e financimit. Financimi i huaj u ul me 8.6 miliardë lekë dhe nëtë njëjtë masë u rrit financimi brendshëm, duke shfaqur pamundësinë për thithjen e fondeve të huaja të programuara dhe kalimin e barrës financuese në financimin e brendshëm.


Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe nevojës për një planifikim të mirë të financave publike, viti 2014 u karakterizua nga një realizim shumë i ulët i investimeve publike në pjesën e parë të vitit, çfarë solli nevojën për rishikimin e buxhetit apo përdorimin e mekanizmave si Letër Kreditë për përmirësimin e treguesve.

Deri në muajin shtator (9 muajt e parë të vitit) ishin realizuar 11.5 miliardë lekë investime me financim të brendshëm, që përbënin 40% të planit vjetor fillestar dhe 31% të planit të rishikuar me Aktin Normativ të dt. 17.9.2014. Në tre muajt e fundit të vitit u realizuan 22.4 miliardë lekë investime me financim të brendshëm ku spikat muaji dhjetor gjatë të cilit është realizuar 39% e investimeve të gjithë vitit.


Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Nisur nga niveli i ulët që po ecte realizimi i investimeve dhe rrezikut për mosplotësimin e parametrave fiskal të parashikuar, Ministria e Financave u mbështet në përdorimin e Letër Kredive, duke hapur një diskutim të madh nëse investimet ishin realizuar faktikisht apo ishte gjetur thjesht një mekanizëm që kënaq shifrat e raportuara, por nuk përkon me situatën faktike të trupëzimit të investimeve.

Letër Kredia është një instrument financiar, sipas të cilit një bankë angazhohet në emër të blerësit (shtetit në rastin tonë) se pagesa do të kryhet te përfituesi kur të përmbushen termat e Letër Kredisë. Ajo përdoret kur shitësi nuk ka informacion mbi blerësin dhe nuk kërkon transferim dhe bllokim të fondeve të institucioneve në emër të klientit pranë bankës që ka hyrë në këtë marrëdhënie, sikurse ka ndodhur në rastin tonë. Në ligjin nr. 9936, dt. 26.06.2008 “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, neni 54 specifikohet se pagesa kryhet vetëm nga Llogaria e Thesarit dhe nëse dokumentacioni bazë vërteton kryerjen e shërbimit. Të dy këta elementë e shndërrojnë Letër Kredinë në mekanizëm të përdorur nga Ministria e Financave për të shmangur djegien e fondeve dhe llogaridhënien mbi realizimin e ulët të investimeve publike.

Nisur nga fakti që realisht, këto investime nuk janë kryer deri në dhjetor të vitit 2014, por thjesht janë bllokuar paratë e tyre, shuma totale e investimeve të “realizuara” nëpërmjet Letër Kredive duhet të zhvishet nga raportimi i parametrave fiskalë për vitin 2014.

Vlera totale e investimeve me Letër Kredi për vitin 2014 ishte rreth 3.3 miliardë lekë. Kjo shifër përbën 9.7% të shpenzimeve kapitale të planifikuara në Buxhetin e Rishikuar dhe 25% të investimeve faktike të muajit dhjetor. Përdorimi i Letër Kredisë ka bërë që buxheti i investimeve publike totale të realizohet në masën 90% krahasuar me Buxhetin e Rishikuar, ndërkohë që në mungesë të tyre, niveli i realizimit do të ishte 85% po 10 miliardë lekë më pak.


Burimi: Ministria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Kontribuoi: Blerta Zilja